Ministri i Financave refuzon pagën e rritur nga kryeministri, por ja çka thotë Haradinaj

Aktuale

Ministri i Financave refuzon pagën e rritur nga kryeministri, por ja çka thotë Haradinaj

Më: 22 qershor 2018 Në ora: 12:44
Bedri Hamza dhe Ramush Haradinaj

Ministri i Financave, Bedri Hamza nuk ka pranuar të marrë pagën me rritje dhe retroaktive.

Këshilltari i tij, Lulzim Rafuna, ka thënë se shefi i tij së bashku me këshilltarët kanë refuzuar të marrin pagën me rritje për të cilën vendosi kryeministri Ramush Haradinaj.

I pyetur nëse ministria ka forcë ligjore për të penguar rritjen e pagave të qeverisë, Rafuna ka thënë se kjo gjë nuk mund të bëhet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në mbledhjen e qeverisë të mbajtur javën e kaluar, duke konsideruar qëndrimin e Kushtetueses mbi rritjen e pagave, ministri i Financave, Hamza, nuk votoi vendimin për rritje pagash me sugjerimin që të pritej miratimi i Ligjit për pagat në mbështetje të cilit do të harmonizohej rritja e pagave të zyrtarëve të lartë.

Gjykata Kushtetuese ka thënë se vendimi për rritjen e pagave nuk bie ndesh me Kushtetutën.

Qeveria më 20 dhjetor të vitit 2017 kishte marrë vendim për rritjen e pagave për kryeministrin, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe pjesën tjetër të kabinetit qeveritar. Haradinajt nga 1443 euro paga iu dyfishua në 2950 euro.

Asokohe, Haradinaj rritjen e pagave e arsyetonte jo vetëm përse e kishte më të vogël se drejtuesit e disa agjencive të pavarura, por edhe si nevojë për të blerë kravata.

Haradinaj: Hamza nuk po kallëzon burrni që nuk po e merr pagën me rritje

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar së voni u sfidua edhe nga ministri i Financave, Bedri Hamza.

Kryeministri Ramush Haradinaj e cilësoi të pakuptimtë qëndrimin e ministrit Hamza, i cili refuzon ta pranojë pagën me rritje.

“Nëse dëshiron ministri i Financave, Bedri Hamza, të jetë burri më i mirë i Qeverisë dhe Kosovës, le të ndihmojë të përshpejtohet ligji për nivelizimin e pagave, por qasja e tij nganjëherë është e pakuptimtë”, tha Haradinaj.

Ai theksoi se vendimi për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar do të jetë i përkohshëm, deri në miratimin e ligjit për nivelizimin e pagave.

Kjo deklaratë e kryeministrit Haradinaj vjen një ditë pasi shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova, ka kërkuar që vendimi për rritjen e pagave të tërhiqet dhe të pritet miratimi i ligjit të ri për pagat.

“Vlerësimi i BE-së për rritjen e pagave është një vlerësim me rëndësi. Ne kemi dialog të hapur me BE-në; megjithatë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ky vendim tani është i pashmangshëm. Është një vendim që do të jetë përkohësisht, pasi pastaj do të pasojë ligji për nivelizimin e pagave, i cili do t'i inkorporojë të gjithë ata që paguhen nga buxheti i shtetit”, tha Haradinaj, gjatë një konference me gazetarë pas mbledhjes së Qeverisë.

Ai tha se me ligjin për pagat synohet të përfitojnë edhe policia, mjekët, arsimtarët dhe administrata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat