Komisioni nuk diskuton për anëtarësim në INTERPOL

Aktuale

Komisioni nuk diskuton për anëtarësim në INTERPOL

Më: 22 qershor 2018 Në ora: 10:34
Mbledhja e Komisionit

(E plotësuar) - Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, kishte planifikuar që në mbledhjen e sotme të diskutonte për procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizatën botërore të Policisë, INTERPOL.

Por mungesa e materialit për këtë proces ka bërë që anëtarët e komisionit të kërkojnë heqjen nga rendi i ditës.

Deputeti i PDK-së, Fatmir Xhelili, si propozues për heqjen nga diskutimi të kësaj pike, tha se nuk ka kuptim të diskutojnë ata, sepse Qeveria e ka përkrahjen e plotë të këtij komisioni.

Xhelili: Kërkoj të mos diskutojmë për anëtarësimin në INTERPOL

“Unë mendoj që përkundër qëllimit të mirë dhe dëshirës, kjo pikë e rëndit të ditës nuk e ka vendin në komisionin tonë në këtë moment ose në këtë periudhë kohore. Dihet që Qeveria dhe shteti jonë ka aplikuar qysh vitin e kaluar për t’u anëtarësuar në INTERPOL, janë të gjitha lobimet duke u bërë për t’u pranuar Kosova në INTERPOL. Është duke u krijuar një klimë e posaçme, favorizuese për Kosovën për të qenë Kosova pjesë e INTERPOL-it”, tha Xhelili.

Edhe deputeti i Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka përkrahur kolegun e tij nga PDK, për ta hequr këtë pikë nga rendi i ditës. Ai tha se nuk ka material për të diskutuar, sepse Qeveria nuk ka dërguar në komision asgjë.

Megjithatë, sipas tij, komisioni do të jetë në përkrahje të plotë çdoherë për Qeverinë në këtë proces.

Selimi: S’kemi material për të diskutuar

“Po në fakt nuk kemi ndonjë material që të diskutojmë ose ta shqyrtojmë që e ka sjellë Qeveria këtu. Iniciativat e Qeverisë janë të çdo hershme, vit pas viti edhe vitin e kaluar ka pasur iniciativa të tilla, angazhim të Qeverisë dhe të Kosovës në organizata policore. Bashkëpunimi ndërkombëtarë policor është i rëndësishëm qoftë rajonal, qoftë në kuadër të EUROPOL-it, qoftë INTERPOL-it. Por meqë ne sot nuk kemi ndonjë material për ta diskutuar, pajtohem me kolegun që ta heqim fare nga rendi i ditës dhe të diskutojmë kur qeveria të sjellë diçka konkrete”, theksoi Selimi.

Ndërsa, deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, kërkoi që të jepet një shpjegim konkret se pse po hiqet nga rendi i ditës.

Nitaj: Ta japim një shpjegim pse po e heqim

“Nëse ju po propozoni që t’i japim mbështetje kësaj nisme pa e diskutuar fare, ok, por e nxjerrim në votim për ta nxjerrim me një fjali, me një justifikim. Me aq sa po kuptoj u dhanë dy shpjegime, e para nuk është se komisioni mund të diskutoj dhe kontribuoj kushedi sa për këtë çështje, në parim e mbështesim punën e Qeverisë në anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, prandaj ne heqim dorë nga debati për këtë pikë dhe për këtë deklarohemi me votë”, u shpreh Nitaj.

Komisioni ka miratuar në parim dhe ka dërguar në seancë për shqyrtim, projektligjin për mbrojtjen e të dhënave personale. Deputetët e kanë vlerësuar si të rëndësishëm miratimin e këtij projektligji për të funksionimin e duhur të Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Po ashtu në këtë mbledhje u formuan edhe disa grupe punuese për mbikëqyrjen e disa ligjeve që bien në domenin në Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së.

Komisioni heq nga rendi i ditës diskutimin për INTERPOL

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së ka hequr nga rendi i ditës diskutimin rreth procesit të anëtarësimit të Kosovës në Interpol.

Deputeti i PDK-së Fatmir Xhelili propozoi që kjo pikë të hiqet nga rendi i ditës meqë nuk ka material për të diskutuar, duke qenë se as Qeveria nuk ka sjell ndonjë material mbi të cilin do të diskutonin.

Këtë propozim të Xhelilit e mbështeti edhe deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi, i cili tha se pa pasur material nuk mund të diskutojnë, edhe pse përkrahja e komisionit për Qeverinë në këtë proces është dhe do të jetë e parezervë.

Me mbështetje unanime kjo pikë u hoq nga rendi i ditës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat