73.3 për qind të nxënësve e kaluan Testin e Maturës

Aktuale

73.3 për qind të nxënësve e kaluan Testin e Maturës

Më: 21 qershor 2018 Në ora: 14:11
Këto të dhëna për Maturën Shtetërore i ka bërë publike Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi përmes një konference për media, përcjell KosovaPress.

73.3 për qind e nxënësve e kanë kaluar Testin e Maturës të mbajtur në territorin e Kosovës gjatë muajit qershor, duke shënuar kështu rënie me rreth 10 për qind krahasuar me vitin e kaluar, ku këtë test e kishin kaluar 83.5 për qind të nxënësve të nënshtruar.

Këto të dhëna për Maturën Shtetërore i ka bërë publike Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi përmes një konference për media, përcjell KosovaPress.

Sipas ministrit, këto rezultate janë më realet që ka pasur ndonjëherë ky test në Kosovë, si dhe nga to mund të merren hapa për ndryshimin e cilësisë dhe shkollimin e mëtutjeshëm.

Bytyqi: Kalueshmëria 73.3 për qind

“Nga rezultatet që na kanë ardhur dhe që janë finalizuar nga komisioni vlerësues, rezulton që kalueshmëria në mbajtjen e pjesës së parë të testit të maturës për vitin 2018 e kemi 73.3 për qind, shihet një shkallë me e lartë e arritshmërisë tek pjesa e mësimit në gjuhën shqipe dhe përputhet me 73.3 për qind, tek gjuha boshnjake kemi kalueshmërinë diku 88.7 për qind , dhe te pjesa e gjuhës turke kemi 56.6 për qind, pra e kemi pjesën më të ulët të kalueshmërinë. Po ashtu e kemi edhe shkallën e arritshmërisë për secilin nivel, duke filluar nga ndarja e drejtimeve, në drejtimet e përgjithshme, natyrore, matematikore, ku na kanë sjell një rezultat që kemi ulje në krahasim me vitin e kaluar”, u shpreh Bytyqi.

Ministri tutje, si sukses të këtij viti e ka cilësuar atë se përkundër disa problemeve teknike, testi i maturës është shumë më real dhe mund të bazohen mbi këto shifra.

Në konferencë, Bytyqi ka folur edhe për ndëshkimet që morën nxënësit dhe administratorët që nuk respektuan rregullat.

Bytyqi: 87 nxënës dhe 8 administratorë janë larguar nga testi

“Në këtë proces për shkak të shkeljeve të cilat janë konstatuar gjatë mbajtjes së testit të maturës, janë larguar nga testi, janë anuluar testet e 87 nxënësve, pra në pjesën e parë këta nxënës janë anuluar dhe nuk i kanë pasur rezultatet e numëruara në këto shifra që po flasim ne, ndërsa po ashtu janë larguar nga procesi i administrimit 8 administratorë në tërë Kosovën, këta administratorë të cilët kanë bërë shkelje sipas vendimeve të cilat janë lëshuara nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë më nuk do të kenë të drejtë të jenë pjesë e mbarëvajtjes së testit të maturës, jo vetëm këtë vit, por asnjëherë më nuk kanë të drejtë të jenë pjesë e mbajtjes së testit të maturës”, u shpreh Bytyqi, përcjell KosovaPress.

Bytyqi ka thënë se nuk kanë pasur pritshmëri më të larta se ky rezultat i arritur, por synim kanë pasur rezultatet reale.

Pjesa e dytë e këtij testi do të mbahet në muajin gusht, mirëpo ende nuk është bërë e ditur data e saktë. Provimit të Maturës Shtetërore iu nënshtruan 29 mijë e 816 nxënës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat