Vendimi për masa mbrojtëse të prodhuesve të qumështit të marrë pëlqimin e Qeverisë

Aktuale

Vendimi për masa mbrojtëse të prodhuesve të qumështit të marrë pëlqimin e Qeverisë

Më: 20 qershor 2018 Në ora: 11:35
Tryeza e Klubit të Prodhuesve

Në tryezën e Klubit të Prodhuesve është diskutuar për mos zbatimin e vendimit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) për masat mbrojtëse të qumështit, i cili importohet nga Bosnja dhe Hercegovina.

Vendim që synim kryesor ka pasur mbrojtjen e industrisë vendore të qumështit nga produktet që vijnë nga importi dhe shiten nën kosto të tregut.

Sekretari gjeneral i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Vllaznim Osmani ka thënë është brengosëse dhe shqetësuese gjendja e sektorit të industrisë së qumështit. Ai tha se janë për treg të lirë, por me kushte të barabarta.

“Në rastin e Bosnjës, neve po na vjen në tregun tonë qumësht prej këtij vendi më lirë se në tregun e Bosnjës. Andaj, gjendja është e vështirë për sektorin e qumështit kosovarë dhe për punëtorët në këtë sektor”, tha ai.

Besim Kuqi, Kryetar i Shoqatës së Fermerëve Kosovarë të Qumështit, tha se e kanë mirëpritur vendimin e MTI-së për masat e produkteve të qumështit nga Bosnja, mirëpo shprehet i habitur pse nuk po zbatohet nga Dogana.

Ai shtoi se janë të dëmtuar mjaft nga mos zbatimi i vendimit .

Alush Kryeziu nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka thënë se tendenca e rritjes ka vazhduar edhe në tremujorin e parë të vitit 2018. Në bazë të hulumtime të ndryshme në këtë sektor ka pasur parregullsi.

“Në këtë drejtim kemi ardhur në përfundim se cmimi i qumështit është më i lirë se prodhuesit vendor. Konform kësaj kemi kërkuar të merret një masë për me ndikuar në mbrojtjen e prodhuesve vendor”, ka thënë Kryeziu.

Këshilltari në Ministrinë e Financave Lulëzim Rafuna ka thënë se MF ka në prioritet zhvillimin e sektorit privat, ku janë marr vendime që shkojnë drejtpërdrejt në të mirën e prodhuesve vendor.

“Ka pasur një mos qartësim ligjor, vendimi i MTI duhet të shkoj në Qeveri për ta obliguar me vendim doganën që ta zbatoj vendimin për masa mbrojtëse të qumështarëve”, ka thënë Rafuna.

Profesori Muhamet Mustafa ka thënë se sektori i qumështit është sektor strategjik dhe i rëndësishëm, mirëpo situata në këtë sektor është jo e mirë, ngase ka zvogëlim të kapaciteteve në këtë sektor përkundër subvencioneve që jepen në vazhdimësi. Sipas tij, problemet janë tek tregtia e lirë.

Deputeti Dardan Sejdiu ka thënë se nuk ka kuptim dhe logjikë që një vendim me marrë kohë mbi 40 ditë dhe mos me gjetur zbatim.

“Masa mbrojtëse nuk ka kuptim me pritë 45 ditë për zbatim, dhe është pak si tepër”, tha deputeti Sejdiu.

Edhe Ramadan Memaj, kryetar i shoqatës së qumështarëve të Kosovës, ka thënë se nuk ka asnjë kuptim që dy muaj me pritë të zbatohet një masë.

“Ka munguar vullneti për zbatimin e këtij vendimi, mungon edhe vullneti i deputetëve për zgjidhjen e problemit të qumështarëve. Ishte dashur të mbahet një seancë e jashtëzakonshme. Është për të ardhur keq që Qeveria nuk mbron prodhuesit vendor”, ka thënë Memaj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat