PSD: Kuvendi i Kosovës ta udhëheqë dialogun me Serbinë

Aktuale

PSD: Kuvendi i Kosovës ta udhëheqë dialogun me Serbinë

Më: 20 qershor 2018 Në ora: 11:25
Tryeza e PSD

(E plotësuar) - Partia Socialdemokrate (PSD) kërkon që për dialogun të vendos Kuvendi. Kjo kërkesë u diskutua në tryezën e partive politike në Kosovë, që kësaj radhe kishte nikoqire PSD-në. Kjo e fundit ka përcaktuar këtë temë edhe pse LDK si iniciatore e këtyre tryezave, e filloi për të diskutuar për zgjedhjet e reja në vend.

E edhe pas dy orë diskutimi, partitë politike nuk kanë arritur marrëveshje se kush duhet vendosur apo udhëhequr me dialogun, ndërkohë partitë opozitare kundërshtojnë që Presidenti Hashim Thaçi të udhëheqë dialogun.

Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti ka shpjeguar propozimin që kanë.

Ahmeti: Procesin e dialogut ta udhëheqë Kuvendi i Republikës së Kosovës

“Ne kemi propozuar që si Republikë parlamentare procesin e dialogut ta udhëheqë Kuvendi i Republikës së Kosovës. Nuk e kemi as sistemin politik të njëjtë si Republika e Serbisë, prandaj Kuvendi i Republikës së Kosovës në republikën tonë parlamentare dhe me kushtetutë është bartës i të gjitha proceseve vendimmarrëse. Prandaj, sot kemi dashur të diskutojmë se si mund të dakordohemi si subjekte politike që ky të jetë procesi përpara, pra cilat do të jenë mekanizmat, kush e mandaton, në këtë rast propozimi jonë ka qenë që të jetë Kuvendi. Ka pasur diskutime a do të jetë votë e kualifikuar apo do të jetë shumicë e thjeshtë, e deri tek propozimi jonë për themelimin e një komisioni të posaçëm parlamentar për mbikëqyrjen e dialogut. Të cilit ekipi i negociatave apo kushdo që do të bartë procesin e dialogut do të raportonte në mënyrë më të shpeshtë”, tha ai.

Ahmeti tha se për raundin e ri të bisedimeve janë njoftuar sot, vetëm kur presidenti i Kosovës Hashim Thaçi doli në konferencë për të treguar e sipas tij, nuk është e ditur se cila është tema e diskutimit.

Ahmeti tha se nëse flasin për një marrëveshje ndërkombëtare me Republikën e Serbisë, atëherë për ratifikimin e kësaj marrëveshje do të nevojiten 80 deputetë, do të thotë një konsensus.

Sipas tij, Thaçi nuk paraqet unitetin politik që është i domosdoshëm për të udhëhequr me dialogun.

Ahmeti: Thaçi nuk paraqet unitetin politik që është i domosdoshëm

“Ne e kemi thënë qëndrimin tonë, qëndrimi i PSD-së është që z. Thaçi nuk paraqet unitetin politik që është i domosdoshëm. Por, po e them edhe një herë ne jemi 12 deputet në Kuvendin e Kosovës as nuk mund të imponojmë shumicë e as nuk mund të themi që ky apo ai. Ne i shprehim qëndrimet tona që në momentin kur të vjen propozimi duhet, tash nuk është e drejtë unë mendoj as kryeministri të thotë që ai nuk preferon që ai ta udhëheq dialogun, sepse në fund të fundit ka marrë një përgjegjësi si kryeministër, nuk po themi që ai duhet të jetë po duhet të jetë pjesëmarrës më aktiv në këto procese”, tha Ahmeti.

Kreu i PSD-së bëri të ditur se në ditët në vijim do të kenë takime me subjektet politike për të parë se cilat janë qëndrimet dhe a mund të ketë një tekst që së paku të dakordohen për procesin, e që kjo sipas tij, do të hapte rrugën që të prezantohet një platformë shtetërore për negociata me qëllimin dhe vijat e kuqe që mund t’i kenë.

Kundërshtim se pse u diskutua për dialogun me Serbinë pati shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili tha se këto tryeza kanë filluar me një qëllim tjetër, për të përcaktuar datën e zgjedhjeve.

Ndërsa, sa i përket çështjes se kush duhet të udhëheq  bisedimet me shtetin serb, Hoti tha se askush nuk mund të marrë kompetenca më shumë se sa që i jep Kushtetua e vendit.

Hoti: Mandati për dialogun duhet të merret në Kuvend

“Ne të gjithë sillemi brenda mandatit tonë kushtetues, ne jemi parti opozitare, ne japim fjalën tonë në Kuvend. Askush nuk mund të marrë kompetenca shtesë më shumë se sa që i jep kushtetuta e vendit, mandati për dialogun mes Kosovës dhe Serbinë nuk mund të merret në konferenca për media po merret në Kuvendin e Kosovës. Platformë, Kuvendi i Kosovës nuk ka, për të mandatuar presidentin për dialogun me Serbinë, në fuqi është platforma e vitit 2011 që e mandaton qeverinë për këtë dialog... edhe në tryezë brenda e thash që po duket që rruga e vetme tani mbetet për rrëzimin e qeverisë është mocioni”, tha ai.

Ndërkaq, deputeti i PDK-së Memli Krasniqi, ripërsëriti qëndrimin e PDK-së, duke thënë se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është çështje që iu takon të gjithëve.

Ai deklaroi se gjithëpërfshirja në këtë proces është i domosdoshëm.

Krasniqi: Në Bruksel duhet të jemi pozitë dhe opozitë

“Për PDK-në është i rëndësishëm modeli dhe pjesëmarrja sa më e gjerë, institucionet nuk munden me qenë të përjashtuara. Unë sinqerisht e kam pak të vështirë me kuptua qysh mundet dikush me mendua se nuk duhet me udhëheq institucionet. Nëse nuk duhet Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, kush duhet me udhëheq, Kadri Veseli jo, kush. A të marrim disa organizata që e përfaqësojnë vetveten dhe t’i mandatojmë që të shkojnë në Bruksel. Njerëzit që e kanë marrë përgjegjësinë politike, që e kanë besimin qytetar ata duhet të jenë pjesë të dialogut, për këtë arsye po them që duhet të jenë partitë politike. Unë mendoj se në Bruksel duhet të jemi pozitë dhe opozitë dhe pastaj është çështje tjetër që ne merremi vesh se kush do ta udhëheq këtë ekip. Por, për mendimin tim e kam pak të vështirë me kuptua pse duhet me u frikësua prej dialogut, pse duhet me u frikësua prej negoc imeve e aq më shumë kur neve në këto negociata po na thirr BE dhe Amerika, e jo Rusia dhe Irani”, tha ai.

Deputetja e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci u shpreh se Lëvizja Vetëvendosje nuk frikësohet nga Uashingtoni dhe Brukseli, por frikësohen nga Thaçi.

Nagavci: Frikësohemi nga Thaçi

“Dua ta bëjë të ditur për të gjithë qytetarët se Lëvizja Vetëvendosje në asnjë moment nuk është frikësuar nga dialogu dhe nga bisedimi, aq më tepër nuk frikësohemi dhe kemi besim të plotë edhe tek Uashingtoni edhe tek Brukseli. Por, ne frikësohemi nga Thaçi dhe nga këto qeveri të cilët tashmë e kanë treguar se sa të dëmshëm janë për vendin dhe sa larg mund të shkojnë në nënshtrimin e marrëveshjeve të cilat e cenojnë vendin. Po e rikujtoj këtu vetëm marrëveshjen e prillit të vitit 2013 e nënshkruar nga Hashim Thaçi, marrëveshje që u vërtetua edhe nga Gjykata Kushtetuese e cila i ka shkelur 23 nene të kushtetutës. Kështu që, një person i tillë i cili ka nënshkruar marrëveshje që shkelin kushtetutën do të duhej të mbante përgjegjësi për veprimet e tij të deritanishme. E jo të ngarkohej me detyra të reja, apo thënë më mirë të vetë ngarkonte vetën me detyra të re ja”, tha ajo.

Kurse, deputeti i Alternativës Ilir Deda, tha se presidenti Hashim Thaçi në Bruksel do të shkojë në emër të tij personal dhe se çka do që merret vesh atje nuk është obligative për Kuvendin e Kosovës.

Deda: Asgjë që merret ai vesh me Vuçiqin atje nuk është obligative për Kuvendin

“Po të kishte me qenë Atifete Jahjaga presidente e Kosovës a mendoni se kishte me shkua ajo me bisedua me Vuçiqin në emër të Republikës së Kosovës pa mandat të Kuvendit të Kosovës. Nuk do të kishte me shkua, do të thotë edhe Thaçi sot shkon apo kurdo që shkon në Bruksel, ai shkon në emrin e tij personal dhe asgjë që merret ai vesh me Vuçiqin atje nuk është obligative për Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Nëse Thaçi nuk e kupton këtë do t’ia dërgojmë komentarin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ia tregon kompetencat atij çfarë janë dhe duhet të vijë ta kërkojë këtë mandatim.  Alternativa ka thënë prej fillimit, Kuvendi i Kosovës me 2 të 3 ta mandatoj delegacionin e Republikës së Kosovës i cili do ta përfaqësoj këtë shtet në këtë fazë finale të bisedimit”, tha ai.

Kjo tryezë që është organizuar nga Partia Socialdemokrate është e katërta me radhë, ku më herët janë thirrur nga LDK, PDK dhe Vetëvendosja.

***

Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, ka thënë se partia që ai drejton propozon që dialogu me Serbinë në Bruksel të udhëhiqet nga Kuvendi i Kosovës, ndërsa duhet themeluar edhe një komision parlamentar për mbikëqyrjen e këtij procesi të cilit duhet t’i raportojë ekipi negociator.

Ai këto komente i bëri në tryezën e partive politike ku është diskutuar rreth dialogut me Serbinë dhe fuqizimi i republikës parlamentare.

“Duke marrë parasysh që dialogu po merr një agjendë të madhe të politikës, ne kemi propozuar që dialogun ta udhëheqë Kuvendi i Kosovës, themelimi i një komisioni parlamentar për mbikëqyrjen e dialogut, ku ekipi negociator do t’i raportojë. Nëse mandatohet nga Kuvendi, ky i fundit mund ta shkarkojë këdo. Nuk e dimë se pse po shkohet në dialog. Nuk ka dakordim të subjekteve politike me këtë tekst”, tha ai.

Ahmeti, i cili është kryesues i kësaj tryeze me partitë politike shqiptare, ka bërë të ditur se PDK dhe Nisma kërkojnë konsensus mbi procesin e dialogut, por që nuk kanë dakordim me disa pika.

“Në Kushtetutë nuk parashihet dialog me Serbinë për njohje të dyanshme. Ne jemi republikë parlamentare. Mendojmë se në Kushtetutë është e qartë se Kuvendi duhet ta udhëheqë këtë dialog. Nuk po kërkojmë që të ketë ekip i unitetit, por po kërkojmë që të jemi së paku mbikëqyrës aktiv. Ne po kërkojmë që Kuvendi i Kosovës të jetë bartës, nuk mund të ketë bartës të negociatave pa u caktuar roli i Kuvendit. Qeveria e Kosovës sot është një qeveri minoritare, nuk e ka shumicën e thjeshtë”, tha ai.

Sipas tij, nëse Kuvendi i Kosovës vendos që presidenti Hashim Thaçi të udhëheqë dialogun, atëherë nuk do ta ketë mbështetjen e PSD-së.

"Jo, ne e kemi thënë qëndrimin tonë, ne e kemi thënë që Thaçi nuk e paraqet figurën e unitetit", tha Ahmeti.

Fillon tryeza e PSD-së, mungon Lista Serbe

Ka filluar tryeza e partive politike e thirrur nga Partia Socialdemokrate (PSD).

Në këtë tryezë po marrin pjesë përfaqësues të PDK-së, LDK-së, AAK-së, Nismës, Lëvizjes Vetëvendosjes, si dhe Alternativës.

Mirëpo, aty nuk janë parë edhe përfaqësuesit e Listës Serbe.

Tryeza eshte e mbyllur për media, por që pas përfundimit do të ketë prononcime për publikun.

Tryeza më herët kanë mbajtur edhe Lëvizja Vetëvendosje, PDK-ja dhe LDK-ja.  Përmes këtyre tryezave po synohet gjetja e një konsensusi për tema të rëndësishme në vend, kurse partitë opozitare kanë bërë edhe thirrje për caktimin e datës për zgjedhjet e jashtëzakonshme. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat