Thaçi konfirmon takimin me Vuçiqin, jep detaje

Aktuale

Thaçi konfirmon takimin me Vuçiqin, jep detaje

Më: 19 qershor 2018 Në ora: 12:08
Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq

(E plotësuar)- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka konfirmuar se të dielën do të takohet me homologun tij serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, me ftesë të shefes së diplomacisë së Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Ai ka bërë të ditur se temë e diskutimit në këtë fazë të dialogut pritet të jetë implementimi i marrëveshjeve të arritura, si dhe arritja e një marrëveshje përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi: Të dielën takohemi në Bruksel me Vuçiqin

“Kemi pranuar ftesën si president i vendit nga zonja Mogherini për të vazhduar dialogun në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë për të shikuar mundësitë e implementimit të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani, por edhe për të hapur një kapitull të ri apo intensifikuar procesin e ri të dialogut, atë përfundimtar të arritjes përfundimtare të marrëveshjes në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Mund të them se kemi konfirmuar pjesëmarrjen si Kosovë, si shtet i Kosovës ekipet tona do të takohen në ditët e ardhshme, ndërsa takimi në nivel të presidentëve do të ndodh të dielën”, u shpreh Thaçi.

Ai u shpreh se do të ketë një koordinim me të gjithë partnerët ndërkombëtarë, spektrin politik e shoqëror në vend me qëllim të krijimit të një konsensusi më të gjerë.

Ai këto komenti i bëri pas hapjes së fushatës “Bëhu zëri im”, e cila ka për synim vetëdijesimin e shoqërisë për një trajtim më të mirë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, për të cilat u kërkua drejtësi.

Ndryshe, paraditen e së martës, përfaqësuesja e lartë e BE-së, dhe ndërmjetëse në dialogun mes Kosovës e Serbisë në Bruksel, Federica Mogherini ka bërë me dije se takimi i radhës do të zhvillohet më 24 qershor. 

Zyrtare, këtë të diel takimi Thaçi – Vuçiq në Bruksel

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohen më 24 qershor në Bruksel, në kuadër të dialogut në nivelin e lartë politik, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Takimi, që do të lehtësohet nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini do të ketë në fokus diskutimin mbi marrëveshjet e arritura deri më tani, sfidat e zbatimin e tyre si dhe hapat e mëtejmë drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në dy nivele, atë politik, ku delegacionet përfaqësohen nga presidentët e shteteve apo kryeministrat, dhe niveli teknik, që zhvillohet përmes ekipeve të ekspertëve, ministrave dhe përfaqësuesve të institucioneve nga të dyja shtetet.

Fillimisht, bisedimet nisën me takimet në nivelin teknik në mars të vitit 2011. Por, ndërkohë, po me lehtësimin e Brukselit, u iniciuan edhe takimet në nivelet më të larta politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat