Sherifi: Në zgjedhjet e radhës, Fatmir Limaj kandidat për kryeministër

Aktuale

Sherifi: Në zgjedhjet e radhës, Fatmir Limaj kandidat për kryeministër

Më: 18 qershor 2018 Në ora: 22:09
Sherifi këto komente i bëri sonte në mbrëmje në Kuvendin Rinor të Nismës Socialdemokrate.

Sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka deklaruar se momentalisht Kosova nuk ka lider dhe kandidat më të denjë për kryeministër sesa zëvendëskryeministrin aktual, Fatmir Limaj.

Këto komente Sherifi i bëri sonte në mbrëmje në Kuvendin Rinor të Nismës Socialdemokrate, me ç’rast edhe bëri të ditur se Fatmir Limaj do të jetë kandidat për kryeministër në zgjedhjet e radhës.  

Sherifi: Në zgjedhjet e radhës, Fatmir Limaj kandidat për kryeministër

“Nisma Socialdemokrate në mos në zgjedhjet e ardhshme, në zgjedhjet e tjera të radhës kandidat për kryeministër do të ketë z. Fatmir Limaj, sepse ne besojmë që lider më të mirë, më të drejtë dhe më të aftë për të qeverisur vendin, do të kishim pasur dëshirë të ketë ky vend, por fatkeqësisht nuk ka. Nëse ju dikush do të del pas 10 vitesh, do të krenohemi me ju, mirëpo aktualisht e kemi Fatmir Limajn dhe të gjithë do të angazhohemi të punojmë që t’i tregojmë rinisë anë e kënd Kosovës, se nuk ka lider më të mirë sesa ai. Dhe ne jemi të lumtur që e kemi”, deklaroi ai.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka uruar te rinjtë e Nismës Socialdemokrate për punën e suksesshme të tyre dhe pati një porosi për ta.

Bytyqi: Angazhimi duhet të jetë shumë i madh

“Ajo çka Nisma Socialdemokrate ka treguar me aktivitetet e saj, me angazhimet e saj, me një punë të vazhdueshme, me një koherencë në punën e saj, ka bërë që sot të jemi këtu. Të jemi një forcë politike serioze si në nivelin qendror, ashtu edhe në nivelin lokal. Pra na mbetet tutje, që sa më shumë të rritemi si parti, angazhimi duhet të jetë shumë i madh, sepse na presin edhe përgjegjësi më të mëdha”, theksoi Bytyqi.

Tutje, ai tha se degët e Nismës Socialdemokrate dhe kryesia e saj, janë të gatshme që të bashkëpunojnë me rininë, që ta bëjnë këtë të fundit faktor në nivel qendror dhe lokal.

Kryetari i të rinjve të Nismës Socialdemokrate, Albert Maxhuni është shprehur se ka ardhur fundi i të gjithë atyre që janë të mbyllur për gjeneratën e re, duke potencuar se si Nismë përfaqësojnë qytetarët e Kosovës në kuvendet komunale në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ai deklaroi se nga ky Kuvend i Nismës duhet të dal një mision, e që është që në zgjedhjet e ardhshme lokale Nisma Socialdemokrate të udhëheq me kryeqytetin.

Maxhuni: Ka ardhur fundi i të gjithëve atyre që janë të mbyllur për gjeneratën e re

“Ne jemi të bindur se ka ardhur fundi i të gjithëve atyre që janë të mbyllur për gjeneratën e re, të gjithë atyre që kanë fjalë po jo vepra. Sot, ne të rinjtë e Nismës kemi një mision, misioni ynë është që të merremi me hallet dhe brengat e të rinjve, që brengat e qytetarëve të jemi ne ata që do t’i zgjedhim, që zëri i të rinjve i këtij vendi të jetë i njëjtë. Nisma Socialdemokrate vazhdon të shtrihet anë e kënd Kosovës dhe kjo falë punës dhe angazhimit të juaj, sepse pa ju është e pamundur që të ngritim zërin aty ku jemi. Uroj që ky Kuvend të nxjerr një mision dhe misioni të jetë që në zgjedhjet e ardhshme lokale Nisma Socialdemokrate të qeverisë me Prishtinën”, tha ai.

Sekretari për rininë në Nismën Socialdemokrate, Endrit Zabërgja u zotua se do të vazhdojnë rrugën për një jetë më të mirë të të rinjve në Kosovë.

Zabërgja: Rinia është shtylla e shoqërisë tonë

“Së bashku do të punojmë dhe do të aktivizohemi në vlerat socialdemokrate për të mirën e shoqërisë dhe vendit. Të rinjtë dhe të rejat janë shtylla e shoqërisë, ndërsa investimi në gjeneratën e re është investim në të ardhmen e kombit tonë”, u shpreh Zabërgja.

Ndryshe, Kuvendi Rinor i NISMA-s Socialdemokrate është duke vazhduar punimet e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat