Pacolli i kërkon Izraelit ta njohë Kosovën

Aktuale

Pacolli i kërkon Izraelit ta njohë Kosovën

Më: 18 qershor 2018 Në ora: 21:31
Behgjet Pacolli ka pritur në një takim pune, ambasadoren e Izraelit, Alona Fisher Kamm.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka pritur në një takim pune, ambasadoren e Izraelit, Alona Fisher Kamm.

Me këtë rast, kryediplomati Pacolli dhe diplomatja izraelite, Fisher Kamm, kanë diskutuar mbi nivelin e përgjithshëm të marrëdhënieve në mes dy shteteve dhe dy popujve si dhe gjetjen e formave për shtimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit.  

“Jam i lumtur, që sot jam takuar me Ambasadoren e Izraelit për t’i diskutuar lidhjet tradicionale në mes dy popujve dhe dy vendeve. Kosova është mik i Izraelit dhe ne e konsiderojmë Izraelin mik të Kosovës. Ne, jemi të interesuar që të zhvillojmë marrëdhëniet në të gjitha fushat e interesit të përbashkët, në veçanti në ekonomi, siguri dhe edukim”, ka thënë numri dy i qeverisë së Kosovës.

Në vijim të takimit, ministri Pacolli i ka kërkuar diplomates izraelite, që Izraeli ta rishqyrtojë njohjen e Kosovës. 

“Ne, i kërkojmë Izraelit që ta njoh Kosovën. Izraeli tashmë është vonë në lidhje me këtë çështje. Të gjithë aleatët e Izraelit e njohin Kosovën dhe nuk ka arsye pse Izraeli nuk po e merr këtë vendim”, ka thënë Ministri Pacolli. 

Më pas, ai ka shprehur edhe interesimin e Republikës së Kosovës për të hapur Zyrën Ekonomike të Kosovës në Izrael si dhe organizimin e një Forumi të Përbashkët Ekonomik në mes dy vendeve, që do t’i bashkonte përfaqësuesit e biznesit.

Pacolli i ka kërkuar mysafires nga Izraeli edhe mbështetjen e shtetit të saj për anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat