Lushaku: Vendimi për rritjen e pagave, mund ta dëmtojë procesin e liberalizimit të vizave

Aktuale

Lushaku: Vendimi për rritjen e pagave, mund ta dëmtojë procesin e liberalizimit të vizave

Më: 15 qershor 2018 Në ora: 22:06
Jehona Lushaku

Ligjëruesja universitare dhe njohësja e marrëdhënieve ndërkombëtare, Jehona Lushaku ka thënë se është e rëndësishme se para gushtit do të publikohet raporti i Komisionit Evropian.

“Procesi i liberalizimit është në përmbyllje, do të vlerësohet se a janë përmbushur këto kritere të mbetura nga raporti i fundit që është adresuar nga viti 2016”, ka thënë Lushaku në emisionin “Përballje”.

Njohësja e marrëdhënieve ndërkombëtare ka treguar procedurat që ka Bashkimi Evropian, për t’i dhënë popullatës së një vendi (në këtë rast Kosovës) të drejtën për udhëtim pa viza.

“Vendimi final për liberalizim ose jo të vizave për Kosovën do të merret në Këshillin e Ministrave të BE-së. Vizat liberalizohen nëse marrim votën pro të shteteve që përbejnë 55% të popullatës së BE-së, dhe 65% të territorit”, ka sqaruar Lushaku, përcjell Telegrafi.

Ajo ka thënë se duhet pasur kujdes me shtetet e mëdha që na kanë njohur, që të mos rrjedh asnjë votë, pasi edhe pa votën e pesëshes së BE-së që nuk na ka njohur, liberalizimi i vizave nuk rrezikohet.

“Ka shtete që kanë 20 vota, por ka edhe të tilla si Qipro dhe Malta që kanë nga tri vota. Nëse i heqim numrin e votave të pesë shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovës, ne nuk dëmtohemi, por nëse humbim ndonjë prej shteteve të mëdha siç mundë të jetë Franca, atëherë rrezikohet liberalizimi i vizave”, ka shtuar më tej Lushaku.

Ligjëruesja universitare ka thënë se edhe vendimet e fundit për rritjen e pagave apo ndonjë rast ku nuk u respektuan vendimet e gjykatave, mundë të ndikojnë keq në procesin e liberalizimit të vizave.

“Mos të harrojmë se marrim kredite edhe nga vendimet e fundit për rritjen e pagave, për mosrespektim të vendimeve të gjykatave. Krejt këto hyjnë në vendime politike, dhe momentalisht institucionet nuk janë duke i respektuar disa kritere”, ka përfunduar Jehona Lushaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat