IFC-ja ndihmon në rritjen e qasjes në financim për mikro-bizneset

Aktuale

IFC-ja ndihmon në rritjen e qasjes në financim për mikro-bizneset

Më: 13 qershor 2018 Në ora: 11:00
Ilustrim

IFC-ja, anëtare e Grupit të Bankës Botërore, ka ofruar një kredi prej 1 milion eurosh për Agjencionin për Financim në Kosovë (AFK), institucioni më i madh mikrofinanciar në vend, për të rritur qasjen në financim për bizneset mikro dhe të vogla, si dhe në veçanti për fermerët dhe agrobizneset e vogla në zonat rurale dhe gjysmë urbane.

Fondet afatmesme dhe afatgjata janë kritike për zhvillimin e sektorit privat në Kosovë dhe për krijimin e vendeve të punës, por mbeten të pakta për pjesën më të madhe të vendit. Me seli në Pejë, AFK-ja është një nga institucionet e pakta mikrofinanciare pa zyrë qendrore në kryeqytetin Prishtinë, dhe u shërben më shumë se 14,000 klientëve përmes një rrjeti me 20 degë në mbarë vendin. Rreth 40 për qind e klientëve të AFK-së janë fermerë dhe ndërmarrës në sektorin e bujqësisë, të cilët shpesh përballen me sfida kur përpiqen të sigurojnë fonde nga bankat komerciale.

“IFC-ja do të na ndihmojë që ta përmirësojmë dhe ta rrisim kreditimin tonë për ndërmarrësit dhe fermerët në Kosovë", tha Vahdet Anadolli, Kryeshef Ekzekutiv i AFK-së.

Investimi përfshin një hua prej 0.7 milion eurosh për llogarinë e vetë IFC-së dhe një hua prej 0.3 milion eurosh nga IFC-ja, si njësia zbatuese për Dritaren e Sektorit Privat të Programit Global të Bujqësisë dhe Ushqimit (GAFSP).

“Duke siguruar këtë hua për AFK-në, ne konfirmojmë besimin tonë në sektorin mikrofinanciar të Kosovës", tha Thomas Lubeck, Menaxher Rajonal i IFC-së për Evropën Qendrore dhe Juglindore.

Për ta zhvilluar më tej marrëdhënien me bujqësinë, në gusht 2016 AFK-ja nënshkroi një marrëveshje me ekipin këshillues të agro-financimit të IFC-së për të rishikuar qasjen ndaj agro-kreditimit të organizatës dhe për të ngritur ekspertizën e personelit në agrobiznes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat