Mërgim Lushtaku, pa shtëpi, me shumë biznese e mbi 45 mijë euro ‘cash’

Aktuale

Mërgim Lushtaku, pa shtëpi, me shumë biznese e mbi 45 mijë euro ‘cash’

Më: 12 qershor 2018 Në ora: 11:46
Mërgim Lushtaku

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Mërgim Lushtaku, i cili punon edhe në Ndërmarrjen ‘Ibër Lepenc’, ka kohë të merret edhe me katër biznese në të cilat ai është aksionar.

Mërgimi që është djali i ish Kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, si duket ende nuk ka trashëguar pasurinë e babait pasi nuk ka deklaruar pasuri të paluajtshme në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Në deklarimin e pasurisë së tij, Lushtaku thotë se ka një veturë ‘Mercedes B180’ në vlerë prej 18 mijë euro.

Ai poashtu, ka deklaruar 45 mijë e 500 euro para të gatshme në bankë, shtuar kësaj bashkëshortja e tij ka 12 mijë e 500 euro në bankë.

Lushtaku paraqitet aksionar 40, 50 dhe 100 përqind respektivisht në katër biznese: ‘AIM’, ‘Ferma Jonë’, ‘Virtyti Sh.p.k.’, dhe Koni Projekt sh.p.k..

Kapitali i përbashkët i këtyre bizneseve përshkruhet rreth 7 mijë euro.

Deputeti ka të ardhura të ‘majme’ mujore duke marrë pagë nga Kuvendi i Kosovës në vlerë prej 8 mijë e 248 euro në vit, pastaj një pagë tjetër prej 2 mijë e 730 euro në vit dhe një honorar  nga ‘Ibër-Lepenci’ prej 4 mijë e 326 euro në vit.

Në sektorin e detyrimeve, Lushtaku thotë se ka investuar 26 mijë e 500 euro në kompaninë ‘Koni Projekt’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat