Të gjithë me lot në sy për legjendën Vokrri

Aktuale

Të gjithë me lot në sy për legjendën Vokrri

Më: 9 qershor 2018 Në ora: 17:54
Ramiz Krasniqi

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri ka ndërruar jetë ketë mëngjes pas një sulmi në zemër.

I ndjeri nuk ka mundur ta  përballoj sulmin, dhe ka vdekur ende pa mbërritur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Të gjithë trajnerët, lojtarët  dhe bashkëpunëtorët e Vokrrit u tronditën kur morën lajmin se presidenti kishte vdekur.

Në shkurt të vitit 2008, ai e  mori timonin e Federatës së Futbollit të Kosovës si njeriu më i duhur për ta drejtuar FFK-në drejt anëtarësimit në UEFA e FIFA. Më 15 janar 2016, Vokrrit iu besua mandati i tretë katërvjeçar si president i FFK-së, por ai nuk mundi ta përfundojë deri në fund.

Eroll Salihu, njeriu më i afërt me Vokrrin ishte i tronditur pas këtij lajmi dhe ai këtë vdekje e cilësoi si një ndër humbjet më të mëdha në shtetin tonë.

Salihu: E vështirë të përcjellësh Vokrrin

Image
Eroll Salihu

“Është e vështirë me përcjell një person me të cilin sinqerisht jo vetëm ne aspektin zyrtar, si shok mik të ngushtë që e kam pasur kam kaluar së paku 10 vitet më intensive të jetës time, momentet më të këqija, momentet më të vështira por edhe e kemi pasur fatin edhe Fadil Vokrri si legjendë e futbollit por edhe si personalitet i cili ka bërë një bujë të madhe edhe në organizmat më të mëdha të futbollit. Ka krijuar miq nuk ka krijuar armiq, ka krijuar miq dhe i kemi dyert e hapura kështu që ndihem krenar së pari si ish futbollist si shok, së pari si sekretar gjeneral i tij që kemi pasur një president të tillë, një person të tillë”, deklaroi Salihu.

Trajneri i kombëtares u-19 të Kosovës, Ramiz Krasniqi pohoi se Vokrri ishte ai shtytësi kryesor i punës, ai i cili ka folur gjithmonë për vazhdimin e punës  dhe pritjet e rezultateve pas punës.

Krasniqi: Atë çfarë ka bërë Vokrri mundet ta bëjë vetëm ai

Image
Ramiz Krasniqi

“Përkrahja ka qenë maksimale prej tij në çdo aspekt, pothuajse çdo herë ku kemi qenë para opinioni, ai nuk e ka treguar atë mbështetje, duke aluduar do të shohim, do të shohim, por në të vërtetë gjithmonë kemi pasur përkrahje maksimale dhe mendoj që ata që ka bërë ai me bashkëpunëtorët e vet, komunitetit ekzekutiv, edhe të gjithë njerëzit, miqtë, dashamirët nga Italia, Gjermani dhe të gjithë vendeve tjera për pranimin që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm shumë orë pa fjetje dhe kështu me radhë kështu me radhë”, deklaroi Krasniqi.

Trajneri i mirënjohur kosovar, Ismet Munishi ishte tejet i mërzitur me faktin se nuk do ta gjejë më Fadil Vokrrin në organizimet sportive, duke thënë se ai ka humbur idollin e tij.

Munishi: Vdiq Vokrri, vdiq idolli im

Image
Ismet Munishi

“Ka ditë gjithmonë të na befasojë , edhe kësaj radhe na befasoi por na befasoi shumë rëndë. Na ka befasuar me gola të mirë, ka qenë lojtar i jashtëzakonshëm, ka qenë legjendë, lojtari më i madh shqiptar, ka bërë kontribut të jashtëzakonshëm si kryetar edhe është një humbje e madhe për të gjithë ne, një humbje e madhe për opinionin futbolldashës, për popullin shqiptar. Jemi tronditur, na ka tronditur, iku shpejt. Mirëpo iku për me hy në përjetësi. Ai do të jetë i përjetshëm , gjithmonë do ti kem kujtimet më të mira për legjendën, për Fadil Vokrri”, tha ndër tjerash Munishi.

Kryetari i grupit të tifozëve “Dardanët”, Lul Berisha u shpreh i mërzitur me ikjen e kryetarit të Federatës së Kosovës në Futboll, ai e cilësoi këtë vdekje si më të rëndën të vendit.

Berisha: Vdekje e tmerrshme është kjo e kryetarit Vokrri

Image
Lul Berisha

“Besoj që çdo fjalë është e tepër, në aspektin mbarë shqiptar sepse ka qenë një njeri shumë i madh. Besoj që mbas vdekjes së Ibrahim Rugovës është vdekja më e rëndë e këtij vendi. Kushdo që e ka njofto ka mundur të dijë se si kanë mundur të jenë takimet me të. Çka të shtojmë është e tepërt besoj që është tmerruese”, deklaroi Berisha.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër nga ora 15:00.

Presidenti Fadil Vokrri, si figurë qendrore e futbollit të Kosovës dhe ndërkombëtarizimit të tij, do të përcillet me të gjitha nderimet shtetërore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat