Arkivistët shqiptarë kërkojnë më shumë mbështetje

Aktuale

Arkivistët shqiptarë kërkojnë më shumë mbështetje

Më: 9 qershor 2018 Në ora: 09:57
Arkivistët

(E plotësuar) - U mbajt konferenca kombëtare e arkivave. Aty u kërkua më shumë mbështetje institucionale.

Në Ditën Ndërkombëtare të Arkivistikës është potencuar se gjendja e arkivit të Kosovës, atij të Shqipërisë dhe të Maqedonisë nuk është e mirë, ndërkohë është kërkuar që kjo veprimtari të përkrahet më shumë.

Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, në kuadër të vitit mbarëkombëtar të heroit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, si dhe me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Arkivistikës – 9 qershorit - kanë organizuar konferencën e dytë shkencore “Arkivat dhe puna arkivore në trevat e shqiptarëve në shekujt 20-21”.

Me këtë rast, drejtori ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj, tha se arkivat kanë pasur dhe kanë rol të rëndësishëm për shtetin dhe shoqërinë pasi që mbesin tempull i trashëgimisë kulturore shqiptare.

Manaj: Veprimtaria e arkivave ka mbetur larg përkrahjes së nevojshme

“Kjo veprimtari përgjithësisht në hapësirat tona, veçmas në Kosovë e them me shumë keqardhje deri tani ka mbetur larg përkrahjes së nevojshme e meritore për të qenë në nivelin e duhur dhe krahasuese e konkurrente me vendet e rajonit dhe botës. Kjo pjesë është përgatitur kështu me shpresën se do të kishim të pranishëm eksponent të politikës dhe institucioneve të vendit, por si shumë herë tjera kanë qenë pak më shumë të zënë me punë të tjera. Është pasojë e mos valorizimit [vlerësimit], apo valorizimit të pamjaftueshëm institucional, mungesa e konditave të domosdoshme hapësinore, teknologjike, posaçërisht kapaciteteve njerëzore e profesionale dhe deri tek digjitalizimi është pyetje, përgjigjen e të cilës ende nuk e kemi”, tha ai.

Manaj tha se shpreson që kjo të jetë koha e fundit që gjendja e arkivit të Kosovës të ndryshojë, ndërkohë që potencoi se nuk mjafton që veprimtaria arkivore të çmohet vetëm nga ata që punojnë aty.

Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido, tha se deri më tani shqiptarët janë të unifikuar drejt së keqe. Ai bëri thirrje që të bashkohen drejt së mirës.

Sipas Bidos, kjo është mënyra që do t’i qonte përpara arkivat dhe do të kishte një ecje drejt bashkimit kombëtar. Bido deklaroi se nëse nuk mund të ketë bashkim kombëtar territorialisht, mund të ketë bashkim shpirtëror, ku ai tha se të gjitha do të ofrojnë përkrahje.

Bido: Të unifikojmë modelin arkivor në vendet tonë

“Duhet të vendosim si objektiv tonin të radhës që të unifikojmë modelin arkivor në vendet tonë, legjislacionin arkivor në mënyrë që të arrijmë këtë objektiv madhor që do të na bashkojë, por do të na uli edhe koston. Është një përfitim i gjithanshëm që të gjithë së bashku duhet të ecim në këtë drejtim. Sot nuk është që ka politikan në këtë sallë, por tek politikanët duhet ta prezantojmë këtë ide në mënyrë të vazhdueshme që ta materializojmë dhe jam i bindur se nëse e prezantojmë ashtu siç duhet do të mundemi ta materializojmë për të tejkaluar të gjitha problemet tona”, deklaroi ai.

Ankesa për gjendjen e arkivit pati edhe Muzafer Bislimi, zëvendësdrejtori i arkivit të Maqedonisë, i cili tha se punojnë në kushte jo të mira, pasi nuk kanë mbështetjen e nevojshme nga politika.

Bislimi: Edhe arkivi i Maqedonisë është në gjendje të keqe

“Për fat të keq të gjithë arkivat, edhe arkiva e Maqedonisë jemi në një situatë të njëjtë, sepse politika dhe qeveria interesohet vetëm kur kemi ndonjë problem. Ne në arkivin e Maqedonisë kemi një problem edhe më të theksuar, sepse disa vite më parë në kuadër të një projekti “famëkeq” Shkupi 2014 u ndërtua një ndërtesë kështu nga dukja e jashtme shumë e bukur, mirëpo aty ishte paraparë që bartet selia e arkivit të Republikës së Maqedonisë. Ani pse ndërtesa në të cilën ka qenë arkivi i Maqedonisë deri atëherë apostafat është ndërtuar me të gjitha standardet për arkivin e Maqedonisë. Nuk e di se çfarë mendimi kanë pasur politikanët kur u mbart, kështu që në ndërtesën e re ne kemi shumë probleme, mirëpo besoj që edhe kjo do të zgjidhet”, tha ai.

Ai tha se bashkëpunimi me arkivin e Kosovës dhe të Shqipërisë është i mirëseardhur, pasi sipas tij Maqedoni ka shumë dokumente që kanë të bëjnë me shqiptarët.

Bislimi po ashtu tha se shpreson që konferenca e tretë të mbahet në Maqedoni, por që tha se duhet të gjendet një modifikim për emrin pasi mbarëkombëtar nuk është lehtë i realizueshëm.

Ndryshe, 9 qershori njihet si Dita Ndërkombëtare e Arkivistikës.

***

Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës po mban konferencën me temë “Arkivat dhe puna arkivore në trevat e shqiptarëve në shek. XX – XXI”.

Sipas njoftimit, kjo konferencë organizohet në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të heroit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, si dhe me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Arkivistikës-9 qershori.

Konferencës do t’i paraprijë hapja e ekspozitës “Lidhja shqiptare e Prizrenit”, e cila është hapur dje në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat