LB: Qeveria t’i arsyetojë 53 milionë ose të japë dorëheqje

Aktuale

LB: Qeveria t’i arsyetojë 53 milionë ose të japë dorëheqje

Më: 8 qershor 2018 Në ora: 15:16
Valon Murati

Lëvizja për Bashkim me shqetësim po i përcjell ngjarjet që kanë të bëjnë me ndarjen e 53 milionë eurove shtesë nga ana e Qeverisë së Kosovës për kompaninë Bechtel-Enka, me arsyetimin e zgjatjes së afatit të Kontratës edhe për një vit për ndërtimin e autostradës Arbën Xhaferi.

Kjo shumë bie ndesh me pohimet e zyrtarëve të qeverisë së kaluar, të cilët pohojnë se marrëveshja në parim, me kompaninë ka qenë 14.78 milion euro shtesë, thuhet në reagimin e LB-së.

Që nga fillimi, realizimi i Kontratës i ka pasur vështirësitë e veta për shkak të planifikimit të keq të ish-qeverive, që ka sjellë si pasojë zgjatjen e punimeve edhe për një vit, si dhe kosto shtesë nga buxheti i shtetit. Sidoqoftë, qeveria aktuale ka miratuar një vendim që kostoja shtesë të jetë 53 milionë euro. Deri më tani as ministri Lekaj, e asnjë zyrtar tjetër i Qeverisë nuk ka arritur të shpjegojë sesi është arritur deri te kjo shifër. Për më tepër, nuk ka një material zyrtar në të cilin shpjegohet ndërtimi i kësaj kostoje, ku do të ishte e përfshirë edhe kompania konsulente Hill International, përgjegjëse për menaxhimin e kontratës së ndërtimit të autostradës në fjalë.

Kjo situatë në variantin më të mirë dëshmon se kemi të bëjmë me keqmenaxhim të parasë publike nga qeveria aktuale, por edhe nga ajo e kaluara, kurse në variantin më të keq këto janë indikacione të një rasti të korrupsionit në përmasa galopante. Ky është një rast tipik, ku prokuroria e shtetit në bazë të detyrës zyrtare do të duhej t’i fillojë hetimet menjëherë.

Lëvizja për Bashkim kërkon nga qeveria që urgjentisht të shpjegojë sesi u avulluan edhe 39 milion euro shtesë dhe, nëse nuk arrin ta bëjë këtë, ajo duhet të japë dorëheqje për keqmenaxhim të parasë publike, thuhet në fund të reagimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat