Avni Arifi e kushtëzon dialogun me Serbinë me zgjidhjen e çështjes së energjisë

Aktuale

Avni Arifi e kushtëzon dialogun me Serbinë me zgjidhjen e çështjes së energjisë

Më: 31 maj 2018 Në ora: 17:00
Avni Arifi

Një korrespondencë email-ash mes një zyrtari të Bashkimit Europian në ekipin lehtësues të dialogut Kosovë- Serbi, Thomas Busch, dhe kreut të delegacionit kosovar në këto bisedime, Avni Arifi, ka nxjerrë në dritë pakënaqësitë e këtij të fundit rreth mënyrës së si zyra në Bruksel është duke e përgatitur takimin e radhës ndërmjet dy delegacioneve, duke e vënë në pikëpyetje mbajtjen e takimit të radhës në kuadër të dialogut të cilin BE planifikon ta mbajë më 7 e 8 qershor.

Kallxo e ka siguruar këtë korrespondencë përmes burimeve të veta. Në to shihet kërkesa e zyrtarit të BE-së për ta caktuar kohën e takimit dhe një përgjigje e ashpër e kthyer nga Arifi rreth mënyrës së si janë përzgjedhur temat për t’u diskutuar.

Vërejtja kryesore e Arifit është te ajo që ai dyshon se Brukseli po i përshtatet agjendës së Beogradit duke e vënë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe si prioritet, dhe duke e lënë anash implementimin e marrëveshjes për Energjinë.

Në përgjigjen e tij, Arifi nuk e konfirmon kërkesën për datën dhe orën e takimit ndërsa e kushtëzon pjesëmarrjen e delegacionit kosovar me implementimin e të gjitha marrëveshjeve që kanë mbetur pa u implementuar deri më tani.

Arifi gjithashtu nuk pajtohet me kërkesën e Busch që koordinatori i ekipit për hartimin e Statusit të Asociacionit… ta bëjë një prezantim të punës së deritanishme gjatë takimit të kërkuar në Bruksel. Arifi preferon që koordinatori më parë ta njoftojë vetë atë për punën e bërë, para se ky prezantim të shkojë në Bruksel.

Më 24 maj, zyrtari i Bashkimit Europian i ka dërguar një email zyrtar shefit të delegacionit kosovar në bisedimet teknike me Serbinë, Avni Arifit për ta njoftuar për datën dhe temat e takimit të ardhshëm në kuadër të dialogut teknik.

“Siç diskutuam përmes telefonit, do të doja t’ju ftoj për një takim përmbledhës  rreth implementimit të mbetur nga marrëveshjet e arritura në dialog. Ky takim do të mbahej në Bruksel më 7 qershor pasdite si dhe më 8 qershor. Koha e saktë e fillimit të takimit më 7 qershor mund të diskutohet edhe më tej”, ka shkruar Busch.

Në këtë takim, sipas zyrtarit të BE-së, fokusi do të jetë në marrëveshjet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, lirinë e lëvizjes, menaxhimin e integruara të kufirit si dhe energjinë.

“Në këtë kontekst, do të doja që Ekipi Menaxhues ta bëjë një prezantim se ku janë me hartimin e Statutit të Asociacionit. Formati do të jetë i kufizuar, 3 individë shtesë për Kryenegociatorin (1+3). Nga ana e Ekipit Menaxhues do të doja ta ftoj koordinatorin (Vinka Radosavljeviq) + 1. Ju lutem më tregoni nëse kjo është e pranueshme sa më herët që të mundeni”, thuhet në emailin e Thomas Busch.

Avni Arifi, në përgjigjen që i ka kthyer zyrtarit të BE-së një ditë më vonë, më 25 maj, i thotë se është “plotësisht i zhgënjyer dhe i fyer” nga ftesa e tij ndërsa e akuzon atë për anim nga delegacioni serb.

“Kjo ftesë dëshmon se roli i juaj si Ekip Lehtësues i BE-së për Dialogun Teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është transformuar në dorë të djathtë për delegacionin e Serbisë, duke i shërbyer interesave të Serbisë në krijimin e agjendës së tyre”, ka thënë Avni Arifi në këtë përgjigje.

“Për muaj të tërë ne me të drejtë kemi insistuar dhe kërkuar ndihmën tuaj në lehtësimin e implementimit të marrëveshjes për Energjinë the marrëveshjet tjera që janë në pritje. Megjithatë, ju i keni injoruar në tërësi kërkesat tona të vazhdueshme dhe të njëpasnjëshme për t’u fokusuar në çështjen e energjisë, shkaku i të cilës është prishur i tërë tregu kontinental (europian) i energjisë, dhe e cila kërkon vetëm dy orë për t’u zgjidhur”, ka thënë Arifi.

Më tej, Arifi i ka përmendur edhe disa ngjarje tjera të cilat kanë ndodhur javëve të fundit.

“Për më tepër, ju keni heshtur kur vajzat e ekipit kosovar të hendbollit u terrorizuan dhe nuk u lejuan ta luajnë një ndeshje sportive në Serbi. Ju keni heshtur kur autoritetet e Serbisë refuzuan lëvizjen e lirë (hyrjen) e ekipit të karatesë të Kosovës në Serbi, për arsye tërësisht raciste. Ju keni heshtur kur disa kosovarë u mbajtën në kufi me Serbinë pa ndonjë arsye dhe (u përballën) me sjellje diskriminuese”, ka thënë Arifi në këtë email.

Arifi, në këtë email, e akuzon zyrtarin e BE-së të ketë heshtur edhe kur takimet rreth menaxhimit të Integruara të Kufirit (IBM) janë anuluar dhe refuzuar nga ana e Serbisë dhe “çka është më e keqja, ju keni heshtur kur krerët e shtetit të Serbisë gënjyen publikisht se i kanë implementuar të gjitha marrëveshjet me Kosovën”.

“Për ta bërë punën më keq, ofensiva diplomatike e Serbisë kundër Kosovës është duke u bërë me shumë publicitet nga zyrtarët e Serbisë të cilët me mburrje e kanë angazhuar tërë fuqinë diplomatike ndërkombëtare kundër njohjeve të reja të Kosovës dhe lobojnë fuqishëm te të gjitha shtetet që e kanë njohur Kosovën, për t’i tërhequr njohjet”, tha Arifi.

Kjo, sipas Arifit, është kundër parimeve dhe frymës së Marrëveshjes për Bashkëpunim Rajonal të arritur në kuadër të dialogut.

Në këtë drejtim, Arifi i është përgjigjur se pala kosovare do të marrë pjesë në dialog atëherë kur të jenë zbatuar të gjitha marrëveshjet e arritura. Në këtë drejtim, Arifi ka përmendur marrëveshjet për Energjinë, Lirinë e Lëvizjes, Njohjen e Diplomave Universitare, IBM-në, Përfaqësimin dhe Bashkëpunimin Rajonal dhe urën e Mitrovicës.

Arifi nuk është pajtuar as me propozimin që ekipi menaxhues për hartimin e Statutit të Asociacionit të bëjë prezantim në Bruksel.

“Përfundimisht, para se të bëjnë prezantim në Bruksel ose diku tjetër, Ekipi menaxhues duhet të punojë me ekipin e OSBE-së dhe ta bëjë prezantimin para meje”, ka thënë Arifi në këtë email.

“Për qëllime të qartësimit, siç e kam përmendur me të drejtë në takimin tonë të fundit përmbledhës në Bruksel, ekipet tona udhëtojnë në Bruksel për të marrë pjesë në takime teknike në mënyrë që ta lehtësojnë implementimin e të gjitha marrëveshjeve ekzistuese, pa i mbajtur peng të gjitha shkaku i njërës, siç bën vazhdimisht delegacioni i Serbisë. Ju rikujtoj deklaratën e udhëheqësit të delegacionit Serb: ‘ne jemi këtu për zbatimin e Marrëveshjes së Asociacionit’. Me këtë, në themel, edhe ju po e thuani të njëjtën gjë”, përfundon emaili i Avni Arifit për zyrtarin e BE-së, Thomas Busch.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat