Heqja e roamingut pas dakordimit mes autoriteteve të Kosovës dhe të Shqipërisë

Aktuale

Heqja e roamingut pas dakordimit mes autoriteteve të Kosovës dhe të Shqipërisë

Më: 31 maj 2018 Në ora: 14:53
Kreshnik Gashi

Zbatimi i Rezolutës së Kuvendit të Kosovës për heqjen e tarifave të roamingut me Shqipërinë, mund të ndodhë vetëm pas arritjes së marrëveshjes dy palëshe.

Në këtë  rast mes autoriteteve qeveritare të Kosovës dhe të Shqipërisë.

Kështu ka thënë kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Kreshnik Gashi, i cili nuk e di një datë të përafërt se kur pritet të hiqet kjo tarifë e telefonisë mobile ndërmjet këtyre dy vendeve për qytetarët që lëvizin nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas.

Sipas tij, çmimet e roamingut me Shqipërinë janë rreth 40 cent për një thirrje telefonike nga Kosova, ndërsa rreth 20 cent për pranimin e thirrjes në Shqipëri. 

Gashi në një intervistë për KosovaPress thotë se rezoluta është një hap pozitiv për qytetarët që udhëtojnë në Shqipëri dhe për qytetarët e Shqipërisë që vijnë në Kosovë, sepse sipas tij, marrëveshjet për heqje të roamingut nuk janë veprime të reja, ngaqë i gjithë Bashkim Evropian e ka arritur një marrëveshje të përbashkët e cila është implementuar plotësisht që nga muaj maj i vitit të kaluar.

Gashi: Marrëveshje për heqjen e roamingut varet nga vullneti i Kosovës dhe Shqipërisë

“Marrëveshja në mes Kosovës dhe Shqipërisë sigurisht se varet nga vullneti dy palësh, i dy shteteve për implementimin e plotë të saj dhe Kosova është shpreh e gatshme, ne kemi pasur edhe qëndrimin Qeverisë dhe Kuvendit që në mënyrë unanime pothuajse të plotë ka miratuar rezolutën dhe ekziston vullneti. Andaj si i tillë për çështjen e arritjes ose dakordimit të tekstit mund të kryhet shumë shpejt. Po ashtu edhe ARKEP në Kosove si dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike Postare në Shqipëri kanë gatishmëri të plotë që ta bëjnë implementimin e  çfarëdo marrëveshje. Në Kosovë, në rastin tonë ne kemi për obligim ligjor që në bazë tëLigjit për Telekomunikime Elektronike, marrëveshjet ndërkombëtare janë obligative për implementim nga ARKEP-i për operatorët në Republikën e Kosovës”, ka thënë Gashi.

Ai ka shtuar se në momentin që do të ketë një marrëveshje të nënshkruar, ARKEP do të merr të gjitha masat që ajo të implementohet sa më shpejt në mënyrë që qytetarët të përfitojnë nga një marrëveshje e tillë përkatësisht nga heqja e roamingut.

Kryetari i Bordit të ARKEP ka treguar për përfitimet e heqjes së tarifave të roamingut ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, tha se është komunikim më i lirë dhe nuk ka nevojë të ketë tarifa ekstra.

Gashi: Ideja është se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor ta largojnë roamingun

“Me implementimin kësaj marrëveshje, në momentin kur të hyn në fuqi rezoluta e Kuvendit të Kosovës, atëherë qytetarët e Kosovës do të mund të shfrytëzojnë pakot që kanë aktuale në Kosovë, edhe në Shqipëri dhe nuk do të kenë nevojë të paguajnë ekstra. Kjo është një mënyrë më e lirë e komunikimit dhe në secilin rast në vendet e BE-së ka treguar se rritet vëllimi në masë të madhe i komunikimit në mes qytetarëve për shkak të zvogëlimit radikal të kostos. Po ashtu dua të shtoj se më 17 maj të këtij viti në Sofje të Bullgarisë, gjashtë presidentët e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar një marrëveshje për largimin gradual deri ën heqjen e plotë të roamingut për vendet e Ballkanit Perëndimor. Dhe ideja është se të gjitha venet e Ballkanit Perëndimor ta largojnë roamingun në mes tyre fillimisht dhe pastaj të kenë një trajtim të tillë edhe në BE”, tha Gashi.

Mirëpo, ai ka thënë se për ndryshimin e marrëdhënieve kontraktuale nevojitet, edhe një marrëveshje ndërmjet operatorëve të telefonisë mobile. Sipas Gashit, operatorët do të jenë pjesë e negocimit, por implementimi i saj nuk mund të vije në diskutim në asnjë rast.

Gashi: Nuk e di një datë të saktë se kur mund të hiqet roamingu në Shqipëri

“Unë nuk mund ta them një datë të saktë, mirëpo e kam parë që ekziston vullneti i Kosovës dhe sigurisht edhe i Shqipërisë. Besoj që sa më shpejt të arrihet kjo marrëveshje është në dobi të qytetarëve tanë dhe zhvillimit sa më të madh të komunikimit në mes këtyre dy vendeve. Operatorët mund të kenë hezitime fillestare, por është marrë një vendim nga organi më I lartë ligjvënës në Kosovë dhe në bazë të kornizës legjislative dhe rregulloreve në fuqi, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka përgjegjësi dhe kompetencë që ta arrijë një marrëveshje të tillë, po ashtu edhe ARKEP mund të imponojë një vendim të tillë. Ne do ta implementojmë një vendim në rast se ka një marrëveshje të tillë, pa marr parasysh efektin imediat që mund të ketë tek operatorët. Por mund ta konfirmoj se të gjitha vendet e BE-së, me disa përjashtime të vogla, me shtimin e vëllimit të komunikimit në afat më të gjatë kanë pasur përfi time nga heqja e tarifave të romingut. Prandaj, një gjë e tillë pritet të ndodhë edhe në shkëmbimet në mes Kosovës dhe Shqipërisë”, ka thënë Gashi.

Pjesë e implementimit të kësaj marrëveshje të mundshme do të jetë si rregullator, ARKEP-i.

Unanimisht të mërkurën deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar pro Rezolutës për heqjen e tarifave të roamingut me Shqipërinë, rezolutë kjo e propozuar nga GP i PSD-së, që ka marrë 69 vota pro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat