Thaçi: Kosova është prej vendeve më të sigurta në Evropë

Aktuale

Thaçi: Kosova është prej vendeve më të sigurta në Evropë

Më: 30 maj 2018 Në ora: 19:53
Hashim Thaçi në promovimin e librit biografik “New State, Modern Statesman: Hashim Thaçi – A Biography”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se duhet ecur përpara që të bëjmë kompromise që të ndihmojnë popullin në Kosovë dhe Serbi të arrijnë pajtimin, ndërkohë që po punohet për themelimin e forcave të armatosura si ushtri multietnike sipas standardeve të NATO-s.

Ai këto komente i bëri me rastin e promovimit të librit biografik “New State, Modern Statesman: Hashim Thaçi – A Biography” nga Akademia Diplomatike e Vjenës, që flet për jetën e presidentit Hashim Thaçi.

Kreu i vendit tonë tha se nuk sheh ndonjë rrezik për sigurinë e Kosovës.

Thaçi: Kosova është prej vendeve më të sigurta në Evropë

“Kosova është prej vendeve më të sigurta në Evropë, pasi është prezenca e NATO-s, një prezencë e fuqishme dhe nuk ka rrezik nga askush për t’u ataktuar. Ne kemi themeluar institucionet tona të sigurisë për të luftuar pa kompromis kundër terrorizmit dhe po punojmë maksimalisht për themelimin e forcave të armatosura të Kosovës si ushtri multietnike, sipas standardeve të NATO-s dhe në një proces të koordinuar me NATO-n dhe SHBA do të formohet kjo ushtri, ka thënë Thaçi.

Ai tha se prania e NATO-s në Kosovë paraqet mesazh për paqen në rajon, ndërkohë që dëshirohet edhe prania e Kosovës në strukturën veri-atlantike, derisa e quajti të rëndësishëm vazhdimin e dialogut me palën serbe.  

Thaçi: Duhet të bëjmë kompromise

“Duhet të ecim që të bëjmë kompromise që të ndihmojnë popullin në Kosovë dhe Serbi të arrijnë pajtimin, ose t’u hapim derën forcave radikale e nacionalizmit apo forcave tjera që do të shkatërrojnë të gjitha të arriturat. Zgjidhja është shumë afër, por edhe shumë larg, andaj na duhet një lidership i fortë nga Brukseli dhe përkrahje e fuqishme nga Uashingtoni”, ka thënë Thaçi.

Ambasadori Albert Rohan ka përkujtuar momentet e marrëveshjes së Rambujesë, duke thënë se Hashim Thaçi e kuptoi kompleksitetin e zhvillimeve dhe arriti të bindë komandantët në vijat e luftës për t’u pajtuar me marrëveshjen.

Ai ka folur edhe për takimet e Grupi të Kontaktit dhe planin e Martti Ahtisaarit, për të cilin tha se në libër nuk përmend që parashihte pavarësinë e Kosovës, por që sipas tij ky është një keqkuptim.

Rohan: Nuk është e vërtetë se Plani i Ahtisarit nuk përmend pavarësinë

“Nuk është e vërtetë se Plani i Ahtisaarit nuk përmend pavarësinë. Ma merr mendja se ky është një keqkuptim, elementi thelbësor i pakos së Ahtisarit ishte rekomandimi për statusin dhe pavarësinë, me disa rezerva dhe kjo është sqaruar në raportin e Ahtisaarit në Kombet e Bashkuara”, është shprehur ai.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se ende nuk e ka lexuar librin biografik mbi presidentin Hashim Thaçi, por u zotua se do ta bëjë këtë, duke thënë se ai është njeri që bëri të pamundurën të mundur në proceset drejt shtetbërjes së Kosovës.

Rama: Thaçi duhet të lirojë edhe vetë serbët nga makthi i tyre

“Hashimi duhet të lirojë edhe vetë serbët nga makthi i tyre më i madh për ta gjetur rrugën, por gjëja më e rëndësishme që nuk e përmendët është gjarpri, Nuk është nofkë e keqe, siç e tregon aftësinë e tij për të gjetur zgjidhjen edhe para detyrave më të vështira, sikurse është tash detyra e vështirë tash për kompromis për t’u arritur nga të dyja palët.

Ndërsa, ish- i dërguari i BE-së për Kosovën, Wolfgang Petritsch, ka folur rreth takimit të tij të parë me Hashim Thaçi si lider i UÇK-së, në kohën kur po punonte rreth zgjidhjes së çështjes së Kosovës me diplomatin amerikan Richard Holbrook.

Ai ka folur po ashtu edhe rreth Rambujes, dhe bisedimet e delegacionit të Kosovës dhe atij të palës serbe, duke thënë se rezultati përfundimtar ishte ai që dëshirohej nga shqiptarët, derisa pala serbe refuzoi marrëveshjen, gjë e cila çoi në intervenimin e NATO-s kundër Serbisë.

Gjatë prezantimit të këtij libri, disa të pranishëm lëshuan në shenjë proteste ndaj promovimit të librit mbi presidentin Thaçi, duke iu treguar ambasadorëve Petritsch dhe Rohan nga një letër që mbanin në duar.   

Ndryshe, libri “New State, Modern Statesman: Hashim Thaçi – A Biography” është shkruar nga Roger Boyes dhe Suzy Jagger.

Roger Boyes është gazetar britanik dhe redaktor diplomatik i gazetës “Times”, i cili ka eksperiencë në shkrimin e biografive politike, ndërsa Suzy Jagger është zëvendësredaktore në të njëjtën gazetë.

Libri me 320 faqe botohet nga “Biteback Publishing”, ndërsa thuhet se nxjerr Hashim Thaçi njeriun kyç të luftës së fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat