“Haradinaj nuk do ta rishikojë demarkacionin, Kosova po rrezikohet me Zajednicën”

Aktuale

“Haradinaj nuk do ta rishikojë demarkacionin, Kosova po rrezikohet me Zajednicën”

H.Orana Nga H.Orana Më 27 maj 2018 Në ora: 19:23
Ilustrim

Ndonëse Kryeministri Ramush Haradinaj, kishte premtuar rishikim të marrëveshjes së demarkacionit, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

Deputetë të opozitës thonë se një rishikim i tillë nuk do të ndodhë kurrë dhe ky është vetëm një mashtrim tjetër i kryeministrit Ramush Haradinaj.

Kështu deputetja e Vetëvendosjes, Drita Millaku thotë se formimi i komisioni të ri për demarkacionin është vetëm mashtrim, sa për të kaluar versionin e Murat Mehës.

Image
Drita Millaku

“Formimi i komisionit Bulliqi ka qenë vetëm mashtrim i opinionit për të kaluar versioni i Murat Mehës. Rishikimi i demarkacionit nuk do të ndodhë asnjëherë. Haradinaj ka hyrë në kthetrat mashtruese të Thaçit dhe Kadrisë dhe fatkeqësia më e madhe se në këto kthetra ka hyrë me vetëdëshirë. Haradinaj do të shtrydhet si limoni dhe do të hudhet si leckë në mbeturina. Naiviteti politik dhe dëshira për të qëndruar në karrigen e kryeministrit po e shkatërrojnë shtetin e Kosovës”, thotë deputetja Millaku.

Millaku thotë se Haradinaj do të jetë ‘vegla’ e fundit e Thaçit dhe Veselit për të qëndruar në pushtet, ndërsa Kosovës po i kanoset rreziku i Zajednicës.

“Si po duket Haradinaj do të jetë vegla e fundit e Thaçit dhe Kadrisë për të qëndruar në pushtet. Rishikim të demarkacionit nuk do të ketë asnjëherë, tani neve po na kanoset edhe një rrezik më i madh, Zajednica”, vlerëson deputetja e Vetëvendosjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat