Serbia po e mban të bllokuar linjën energjetike Kosovë - Shqipëri

Aktuale

Serbia po e mban të bllokuar linjën energjetike Kosovë - Shqipëri

Më: 27 maj 2018 Në ora: 17:46
Ilustrim

Ka dy vjet që është inauguruar linja e interkoneksionit mes Kosovës dhe Shqipërisë, por e cila ende mbetet jofunksionale për shkak të bllokimit të lëshimit në qarkullim nga ana e Serbisë, thonë zyrtarët në Qeverinë e Kosovës.

Kjo linjë, ishte shpallur e përfunduar, inauguruar dhe testuar në qershor të vitit 2016. Linja interkoneksionit 400 kilovatësh në mes Shqipërisë dhe Kosovës, ka një shtrirje në një gjatësi totale prej 241.1 kilometrave, nga të cilat 151.1 kilometra shtrihen në territorin e Shqipërisë dhe 90 kilometra në territorin e Kosovës, ka kushtuar 75.5 milionë euro.

Mbi 33 milionë euro u financuan nga Kosova, ndërsa 42 milionë të tjera nga Shqipëria.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka, thotë se trysnia e Qeverisë së Kosovës për zgjidhjen e këtij problemi është rritur shumë.

Por, Beogradi zyrtar, sipas tij, po pengon zhbllokimin e linjës, duke insistuar që marrëveshja energjetike të ngritët në bisedimet Prishtinë – Beograd, që po zhvillohen në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Kjo punë ka marrë një hov më të madh, jemi shumë më dinamik. Tashmë kemi edhe një negociator gjerman, ish ministrin e ambientit të Gjermanisë, Klaus Toepfe, i cili po na ndihmon në zgjidhjen e problemit, në mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Jemi në diskutime e sipër. Në takimin e fundit që kemi qenë se bashku jemi pajtuar që të shikojmë edhe në një takim në nivel politik në Berlin, në mes Kosovës e Serbisë me ndërmjetësimin e ish ministrit gjerman për të shikuar zgjidhjen e problemit në mënyrë sa më të shpejtë”, ka thënë Lluka për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, ish-ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se në këtë drejtim po mungon një angazhim më serioz i Qeverisë së Kosovës, por që edhe Bashkimi Evropian, sipas saj, nuk po bën presion sa duhet ndaj Serbisë.

Tani kur Kosova e ka filluar procesin drejtë zbatimit marrëveshjes së Asociacionit,shprehet ajo, është koha që edhe Serbia të zbatojë marrëveshjen energjetike, por edhe marrëveshjet tjera të arritura të cilat nuk po zbaton.

“Atëherë në një mënyrë Bashkimi Evropian nuk është një ndërmjetësues i cili po përcjell agjendën kohore dhe obligimet e të dyja e palëve”.

“Pastaj, Qeveria e Kosovës duhet të jetë më e zëshme, unë nuk po e shoh se është e zëshme. Kjo qeveri vetëm një herë ka mbajtur takim teknik në Bruksel dhe në atë ka dështuar. Pra, nuk po shoh angazhime serioze në këtë drejtim nga ana e Qeverisë sonë”, thotë Tahiri.

Ajo tha po ashtu se Beogradi po zvarritë zbatimin e marrëveshjeve të arritura me Prishtinën, duke u munduar që ato t’i bartë për fazën finale të bisedimeve.

Ndryshe, nga moszbatimi i marrëveshjes për energjinë, të nënshkruar në vitin 2013 ndërmjet përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, shteti i Kosovës humb rreth 25 milionë euro në vit, thotë në anën tjetër, ministri Lluka, duke përfshirë këtu edhe bllokimin e linjës energjetike Kosovë- Shqipëri.

“Rreth 10 milionë euro nga inkasimi i tarifave të transmisionit, që energjia kalon transit përmes Kosovës, kurse Serbia i inkason mjetet në emër të Kosovës. Kemi deri 11 milion euro që qytetarët e veriut nuk e paguajnë energjinë e shpenzuar, 2 milion euro humbin për shkak mos të aktivizimit të linjës dhe po ashtu rreth 2 milion euro që paguhen për kthimin e kredisë që është bërë investimi në rrjet”, tha Lluka.

Linja e interkonesionit Kosovë – Shqipëri është bllokuar për shkak të mos zbatimit të marrëveshjes energjetike në mes Prishtinës dhe Beogradit, që është arritur në Bruksel.

Në bazë të kësaj marrëveshje kusht për Serbinë është edhe regjistrimi i një kompanie të re serbe, sipas kornizës ligjore të Kosovës, e cila do të furnizojë më energji konsumatorët në katër komunat veriore më shumicë serbe.

Autoritetet kompetente të Kosovës kanë plotësuar të gjitha kriteret dhe kushtet për regjistrimin e kësaj kompanie, por që Serbia nuk po e bën një veprim të tillë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat