Detajet e pathëna të takimit mes Tahir Zemajt me Thaçin, Selimin e Zyrapin: Ke dy minuta kohë për të hequr portretin e Rugovës

Aktuale

Detajet e pathëna të takimit mes Tahir Zemajt me Thaçin, Selimin e Zyrapin: Ke dy minuta kohë për të hequr portretin e Rugovës

Nga: P.R Më: 27 maj 2018 Në ora: 17:35
Tahir Zemaj, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Bislim Zyrapi

Gjatë ditës së premte, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nderoi me medalje presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Për të pranuar këtë medalje, në zyrën e Thaçit, kishin shkuar familja e presidentit Rugova, gruaja Fana, vajza Teuta dhe dy djemtë, Mendimi dhe Uka.

Por, gjatë kohës sa ishte gjallë, të gjithë e dimë se si kanë qenë raportet mes Rugovës dhe Thaçit. Ky i fundit, e kishte luftuar me çdo mjet Rugovën. Dhe në kujtesën tonë, ende është e freskët deklarata shokuese e Thaçit, ku ai kërkonte që Rugova të dënohej rëndë, për veprimet e tij, të cilat Thaçi i quante antikombëtare.

Po ashtu, një detaj interesant tregohet edhe në librin “Kështu foli Tahir Zemaj”.

Në këtë libër, kolonel Tahir Zemaj, tregon se si e kishte kërcënuar Hashim Thaçi, duke i thënë “Ke dy minuta kohë për të hequr portretin e Rugovës”.

“Nga fundi i gushtit, jam informuar nga vendroja, se po afroheshin disa personaqë kishin shfaqur dëshirë të më takonin. I pranova dhe m'u prezentuan si "Shtab i përgjithshëm" i Ushtrisë Çlirimtare. Kisha dëgjuar pak për ta por nuk dija se kush ishin të organizuar etj. Në përbërje të tij ka qenë Hashim thaçi, Rexhep Selimi, Bislim Zyrapi etj. Në zyrën time, ish zyra e drejtorit të shkollës së Prapaqanit, në mur kanë qenë të varura fotografitë e Skenderbeut, Presidentit Rugova dhe fotografia e Jusuf Gërvallës. Sapo kanë hyrë më kanë kërkuar që të hiqja fotografinë e Rugovës. "Ke dy minuta kohë për të hequr portretin e Rugovës ! " më thanë, "Jo u thash, ai ka qenë dhe mbetet për mua Komandant Suprem i Forcave të Armatosura të Kosovës dhe President i saj !". Nejse ata u tërhoqën nga ai qëndrim dhe ne i vazhduam bisedimet diku tjetër, në sallën operative të shtabit. Fillimisht kanë kërkuar se përse në të gjithë dokumentacionin tonë figuronte Republika e Kosovës?”, shkruan në librin “Kështu foli Tahir Zemaj”, faqe 93-94, përcjellë “Bota sot”.

Image
Libri “Kështu foli Tahir Zemaj”.

Më tej, në rrëfimin e kolonel Tahir Zemajt në këtë libër, ai shkruan se Thaçi se bashku me Selimin, Zyrapin e kishin pyetur se a ishte për rrëzimin e Bujar Bukoshit.

“Ata argumentonin se ne nuk paskeshim republikë ! U deklaruam hapur se ishin kundër, nuk e njihnin dhe se ishin për rrëzimin e qeverisë. Më kanë pyetur në se isha edhe unë apo jo për rrëzimin e saj. U kam thënë : "Po, madje jam për kapjen dhe dënimin edhe të Millosheviçit !" "Jo, nuk po flasim për atë më thanë, a je ti për rrëzimin e Bujar Bukoshit ?" I kam thënë Thaçit se do të ishte mirë të flisnim rreth unitetit dhe bashkimit, se sa për gjëra të tilla. I kam deklaruar se, nëse ai angazhohej seriozisht në atë drejtim, unë do të ndërhyja pranë kolonel Ahmet Krasniqit që ai ta tregonte në Kosovë, kryeshefin e Shtabit, Halil Bicajn bashkë me disa  eprorë të tjerë, të bëhej njëherë e mirë unifikimi i shtabeve dhe ne si luftarë të mos kishim më këso problemesh. Më kanë pyetur se kush i ka përpiuluar disa komunikata të cilat kishin dalë pa dijenin e tyre. U thashë se ato ishin hartuar nga Faton Mehmetaj, i emruar  para disa ditëve si shef i informimit të Sh.O.Rr.D. Dhe kjo ka qenë e vërtetë. Fatoni i kishte dërguar ato komunikata në Gjenevë tek Xhafer Shatri, ish ministër i informimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Fatoni mbante lidhje të ngushta dhe të vazhdueshme me të”.

“(Bëhet fjalë për disa komunikata rreth të cilave në atë kohë është zhvilluar një polemikë e hapur në shtyp mes Jakup Krasniqit dhe Xhafer Shatrit). Pastaj bisedimet janë zhvilluar rreth strukturave, rreth profesionalizimit, por ata nuk e kishin hallin atje. Kuptohet që qysh në fillim të atij takimi, ne jemi prezentuar , bashkë me të gjithë kolegët e mi ushtarakë.

Ata u prezentuan po ashtu, i vetmi ushtarak mes tyre qe rreshter Bislim Zyrapi, të tjerët nuk kishin formim ushtarak. Për komandantin e tyre thanë se "ishte sekret" dhe nuk e përmendën. Edhe për marrëveshjen tonë të 20-21 gushtit për formimin e Drejtorisë së Tretë Operative të Rrafshit të Dukagjinit deklaruan se do ta shqyrtonin me organet e tyre dhe se në fakt nuk ishin dakord!”, shkruan në librin “Kështu foli Tahir Zemaj”, faqe 93-94.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat