Vazhdojnë punimet për rrugën e Plavës, shmanget Zona e Mbrojtur

Aktuale

Vazhdojnë punimet për rrugën e Plavës, shmanget Zona e Mbrojtur

Më: 27 maj 2018 Në ora: 16:18
Punimet në rrugë

Këshilltari politik i Ministrit të Infrastruktuës, Fatos Mani tha se punimet për rrugën e Plavës po vazhdojnë duke shmangur Zonën e Mbrojtur rreth Manastirit. Sipas tij, kundërshtimi i Manastirit për mos ndërtimin e rrugës ka karakter politik.

Mani ka konfirmuar se punimet e rrugës po vazhdojnë mirëpo për momentin jashtë punimeve mbeten gjashtë kilometrat e rrugës nga Deçani.

“Kundërshtimi i Manastirit është i gabuar, i dëmshëm për lëvizjen e lirë, s’ka lidhje me sigurinë e Manastirit dhe si i tillë merr karakter politik. Punimet po vazhdojnë në kilometren e 6-të e tutje, duke e shmangur zonën e Mbrojtur rreth Manastirit”, tha Mani të dielën për Express.

Por, kjo rrugë po del të jetë problem për shkak të Ligjit për Zonat e Mbrojtura të miratuar kohë më parë në Kuvendin e Kosovës. Manastiri po kërkon zbatimin e ligjit, ata kanë kundërshtuar ndërtimin e rrugës për Plavë dhe për këtë i ka njoftuar edhe ndërkombëtarët.

“ Ndërtimi në zona të mbrojtura është i ndaluar me Ligjin për Zonat e Mbrojtura që u miratua nga Parlamenti i Kosovës. Shkelja e këtij ligji, nënkupton refuzimin e Qeverisë së Kosovës që të bëj implementim vendimin të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, duke i konfirmuar të drejtat pronësore të Manastirit të Deçanit përfaqëson shkeljen më flagrante të institucioneve të Kosovës”, thuhet në reagimin e Manastirit të Deçanit.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 12 milionë euro për vazhdimin e ndërtimit të kësaj rruge e nisur para katër vitesh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat