Kimete Berisha: Nëse s’je me PDK-në, nuk ekziston

Aktuale

Kimete Berisha: Nëse s’je me PDK-në, nuk ekziston

Nga: N.H Më: 26 maj 2018 Në ora: 10:30
Kimete Berisha

Publicistja Kimete Berisha, përmes një postimi në Facebook, ka komentuar gjendjen në të cilën është duke kaluar sektori privat në Kosovë.

Berisha thotë se, s'ka sektor privat në Kosovë, sipas saj, ka skllavopronarë dhe ne jemi skllevër që punojmë kokëulur për bukë të gojës. 

Ndër tjerash, ajo thotë se, “anipse në institucionet shtetërore nuk shihet tmerri në shikim të parë, në shikim të dytë e sheh ti se nëse s'je me PDK-në, nuk ekziston. Shuhesh, tretesh, izolohesh, maltretohesh, përjashtohesh veç pse mendon ndryshe”, thotë Berisha.

Ja postimi i plotë i Kimete Berishës:

Memento mori, memento vivere

1. S'ka sektor privat në Kosovë, ka skllavopronarë dhe ne jemi skllevër që punojmë kokëulur për bukë të gojës. 
Skllavopronarë janë bosat e biznesit të lidhur me politikën, me drejtësinë dhe me mediat, prandaj askush-askujt sot nuk nuk mund t'i ndihmojë.

Skllevër pa asnjë të drejtë njerëzore, as m'u pëshurr shpesh nuk i lënë punëtorët me shku dhe s'guxojnë m'u vonu në ëc. 
...nuk u takon pushimi i martesës.
...nuk u takon pushimi i lehonisë.
...nuk u takon e drejta për pushim mjekësor.

Hata!

Sektori i skllavërisë dihet, i eksploaton të rinjtë e të rejat, të cilëve kolektivisht u ka ardhur shpirti te hunda, të mbytur në mërzi e në depresion, s'kanë kah t'ia mbajnë.

Nuk protestojnë njerëzit e mërzitur sepse mërzia ta këput shpirtin, ta lodh trupin. Për të protestuar duhet të jesh i nervozuar, kurse ne jemi vetëm të mërzitur dhe të dëshpëruar.

Me lyp të drejta njerëzore- e humb punën jonjerëzore.
Me hesht e mos me lyp shpëtim-e humb fatin dhe jetën.

S'është puna te aksidentalja, nëse besojmë në Zot, nuk mund të flasim për aksidentalen, se edhe aksidenti është shkruar të ndodh sipas fesë, dhe kjo të ngushëllon, të ngushëllon kur mendon se çdo gjë është e shkruar dhe jeta jote nuk varet nga ti, prandaj ti s'je fajtor pse je i varfër, i mundur dhe i pafat.

Por puna është te jeta e rëndë dhe pafuqia, pamundësia të jetosh si njeri derisa je gjallë.

Sikurse ju, për çdo ditë rrëzohem, 'vritem', ofendohem, frikësohem dhe mërzitem shumë, sepse gjithmonë njeriu i partisë është mbi ligjin, ama gjithmonë.

Anipse në institucionet shtetërore nuk shihet tmerri në shikim të parë, në shikim të dytë e sheh ti se nëse s'je me PDK-në, nuk ekziston. Shuhesh, tretesh, izolohesh, maltretohesh, përjashtojesh veç pse mendon ndryshe...

dhe një ditë, shpirti lodhet...
Vritesh ditë për ditë në mendje e në zemër, mbështetesh për muri, këmisha e bardhë-zemra e zezë, qesh me buzë të kuqe, e tinëz i fshin lotët. 
Të vrasin shumë herë para se të të lëshojë shpirti prej exheli.

Kah me ia mbajtë.

Duke qa' me thellësi të shpirtit për të riun që u rrëzua e vdiq në vendin e punës në Fushë Kosovë, kah dëgjoja vëllain e tij të thotë se i ndjeri ka vuajtur shumë dhe kurrë s'u bë rehat, sepse nuk e kishte shpinën e fortë, nuk kishte lidhje me pushtetin, prandaj nuk e kishin pranuar në punë mësues.

...shumë shumë gjynah, diplomën e Universitetit të Prishtinës së të vëllait të vdekur ia dëshmonte kamerave...
teksa tregonte se as kur u martua nuk i dhan pushim...
kur u bë babë, nuk i dhan pushim...kur u paqef-nuk i dhan pushim.

A jemi njerëz, a çka jemi na.

Trishtim, dehumnizëm, tragjedi. Njerëz të këqij.

Ramushi lyp nga Papa ta pranojë Kosovën, Vatikani, e vet s'është i zoti t'ua pranojë të drejtat punëtorëve të shkretë. I zoti është, po nuk ia ndin për juve, se është milioner.

Në fillim të javës më mërzitën fort dy djem të vetmuar dëshmorësh, të mundur dhe të mërzitur, të varfër e të papunë, qanin fatin e tyre me baballarët e tyre në varre, lypnin çare prej gurëve të varreve.

Ashtu siç erdhi, shkoi me lot kjo javë.

Meqenëse edhe vet ndjehem shumë e vetmuar dhe pa shokë s'kam as ide e as vullnet se si zhbëhet e si nxjerret me rrënjë ferra dhe kah duhet m'i ra për me dal n'dritë.

Me ikë...

2. Duke u kthyer në shtëpi, m'u ndal vetura midis xhades', në vend të keq. Mundohu me ndez, s'ka, s'don, lutju Zotit, mo' Zot mos ma kompliko jetën se kujt gjë keq s'i kam ba, mendo zi e terr, qysh s'kam kënd me thirrë me më nxjerr prej kësaj gjendje....morën me m'u mbush sytë lot-po s'i lash, dur i thah vetes, se boll kukate, tash ngadal 'zemër' Memento Vivere, Memento Mori. 
Kur e kujton vdekjen, e shp?ton jetën.

M'u çelën sytë, I thashë vetes 'shuj mshele gojën se mirë është puna'.

Pas meje veturat me boria hajde oj femër pse del në rrugë kur s'din me vozit, e unë e bllokuar midis rrugës ndjeva sikur m'u ndriqua shpirti.

E ktheva qetësinë. 
Dhe e zbulova këtë paradoks: Kur e kujton vdekjen (vdekja është ilaçi më i mirë për të ta shpëtuar jetën, sepse përballë vdekjes të gjitha problemet tona duken të vogla dhe qesharake. Kur thua memento mori, të bjen mend memento vivere, se kur kujton vdekjen të shishmohet jeta dhe të bjen mend se ke harru ta festosh jetën.

Kujto vdekjen kur të ngushtohet shpirti. Në alla minut ndjehesh më mirë.

I kam njëqind probleme. Punë e madhe, nëse nuk m'i zgjidh jeta ato -i palon vdekja. S'është e thënë m'i zgjidh krejt problemet, e thënë është me ditë me rrnu.

Më ka lënë sevdaja, më ka lënë dashnia! Punë e madhe, them, si sot, memento mori, para nesh kanë vuajtur miliona vjet dhe s'u bë kijameti.

Duhet të jetojmë me çdo kusht, deri në fund.
Se jam shumë e sigurt se do të bëhet mirë. Dhe do t'i shohim
vrasësit tonë kah vrapojnë rrugëve lakuriq për t'i mbledhur mendt e tyre të shkapërderdhura nëpër male, do t'i shohim kah ikin nga fantazmat e viktimave të tyre, dhe kah i shikojnë copat e mushkërive që u bien nga trupi.

Sepse nuk e kanë kujtuar vdekjen, kanë harruar se fati i mirë i ndan njerëzit, por vdekja i barazon.

Kur u nxora nga situata rrugore me këto mendime të 'arta', nuk u bë pa më ra në mend e shoqja e Kadri Veselit, mësuesja që vozit veturë 16 mijë euro..
Desha të çartem por thashë, memento mori, zemër.

Dhe prandaj dhe me fe thonë se është sevap dhe të bën shumë mirë për mendjen të vizitosh varrezat.

Moti s'kam vizitu varr, prandaj moti s'jam ndjerë e qetë, tuj lakmu dashni, miq, kerr e kopsht me trëndafila, thash me lënë me 30 maj për ditëlindjen time, ta vizitoj varrin e poetit, që këndoi:
'Njëqind vjet i vdekur mysafir të erdha
radhën e ke vizitën të ma kthesh
Eja e mos prit që pragun të ta çel pranvera
Se mal jam unë ku bora e zë borë'!

Memento vivere, po ju thotë motra.
Mendimi për vdekjen është ilaçi më i mirë për ta shëruar jetën nga pikëllimi, dhe gjithësesi të shpëton me fytyrë.

P.S. O zemër, ti që më mban në jetë,
ty që kurrë s'të kam e s'do të të shoh si dukesh
Ti s'e di, sepse ti je zemër, e zemra e kupton veç zemrën,
se di ti sa vuaj unë
nganjëherë si sot, 
më dhemb mishi, më dhemb gjaku, më dhëmbin nervat, më dhëmb shpirti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat