Haxhiu: 15 veprat e Qeverisë për të cilat duhet shkuar në zgjedhje

Aktuale

Haxhiu: 15 veprat e Qeverisë për të cilat duhet shkuar në zgjedhje

Nga: G.B Më: 25 maj 2018 Në ora: 12:49
Albulena Haxhiu

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se veprat e Qeverisë, janë arsye për zgjedhje, përcjell Bota sot.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, ajo i ka përmendur 15 vepra të Qeverisë, për të cilat duhet shkuar në zgjedhje, derisa përmend Rikallon, ministrat, zv/ministrat, pazaret me Milan Radojçiq, Demarkacionin, Asociacionin, Telekomin e shumë të tjera.

Postimi i saj i plotë:

Veprat e Qeverisë, arsyet për zgjedhje:

1) E filloi me pazaret me kriminelin nga veriu Milan Radojçiq për koalicion me Listën Serbe;

2) E vazhdoi me ministrin Rikallo për të cilin dhjetëra shqiptarë thonë se ka qenë në mesin e bandave të Serbisë që kanë malltretuar njerëzit gjatë luftës;

3) I bëri plot 21 ministra, 80 zëvendës-ministra, e 5 zëvendës-kryeministra për të rehatuar familjarë e farefis e militantë të afër 20 partive në qeveri të cilat po i ndajnë pozitat e buxhetin porsi plaçkë;

4) Duke i shkelur së paku tri ligje, Ligjin e ZRrE-së, Ligjin e Prokurimit dhe Ligjin për Ndërmarrjet Publike, nënshkroi kontratën kapitulluese për termocentralin e ri me një fond investiv privat “Contour Global” të cilit ne ia garantojmë shitjen, kredinë dhe fitimin prej 18,5%, kurse qytetarëve ua shtrenjtojmë energjinë elektrike;

5) Ia dyfishoi vetes pagat në shtetin me varfërinë e papunësinë më të lartë në Evropë – rritja e pagës vetvetes është hajni;

6) Organizoi faljen e borxheve publike të ndërmarjeve të papërgjegjshme, a thua se po falte nga kuleta e vet. Falte jashtëligjshëm borxhe. Mund ta falësh gjobën ose ndëshkimin, por jo borxhin. Dhe, këtë duhet ta bëjë Kuvendi në republikë parlamentare e jo qeveria. Falja e borxhit të privatit ndaj shtetit është privatizim abuziv.

7) Ratifikoi demarkacionin e Mehës dhe Thaçit me Malin e Zi, i cili na e ndryshon kufirin e na i humbet 8.200 hektarë;

8 ) Mashtroi për liberalizimin e vizave, ndërsa ne mbetemi ende vendi me qytetarët më të izoluar në Evropë;

9) E rifilloi ‘Zajednicën’ e Serbisë me iniciativën për hartimin e statutit të saj;

10) E dërrmoi Postën dhe Telekomin e Kosovës me keqmenaxhim e mbipunësim duke i shkaktuar humbje të mëdha drejt një bankrotimi të qëllimshëm;

11) Një pjesë të kabinetit e ka të mbushur me njerëz që janë nën hetim për vepra kriminale;

12) Na e diskreditoi arsimin universitar kosovar duke e ç’regjistruar atë nga cilësia evropiane;

13) Si deficiti tregtar e borxhi publik po ashtu edhe mjerimi social vetëm sa janë rritur;

14) Pagoi 1 milionë euro për serbët në veri që nuk paguajnë energjinë elektrike;

15) Bëri spektakël me arrestimin e Gjuriqit të cilin nuk e gjykuan dhe dënuan kurse i dënuan gjashtë shtetas turq me dëbim pa gjyq e pa ligj.

Për këto të fundit kryeministri Haradinaj tha se nuk e ka ditur. Ndërkohë ai jep intervista për mediet në Serbi ku e tallin dhe shajnë shtetin tonë kurse Haradinaj qeshet. Çka din ky kryeministër? Nuk e di se çka din ky kryeministër, por e di se ky është një kryeministër të cilin presidenti Thaçi e ka marrë me qira, sidomos për ‘Demarkacion’ por edhe për ‘Zajednicë’. Pra, ky nuk është kryeministër, por është ushtrues detyre i kryeministrit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat