Haliti: Jam angazhuar shumë që të mos vritet Bujar Bukoshi

Aktuale

Haliti: Jam angazhuar shumë që të mos vritet Bujar Bukoshi

Më: 24 maj 2018 Në ora: 21:06
Xhavit Haliti dhe Bujar Bukoshi

Xhavit Haliti thotë ka bërë shumë “luftë” për të mos u vrarë e për të mos u marrë peng Bujar Bukoshi, ish-kryeministër i Kosovës në kohën e luftës.

“Unë kam bërë luftë me njerëz që kanë dashur të shkojnë ta marrin peng Bujar Bukoshin në Gjermani, se nuk po i jep paratë”, ka thënë Haliti në “Rubikon”.

“Madje, ka pas një rast që kanë dashur edhe ta vrasin në Tiranë. Ç’është e vërteta e kemi shpëtuar situatën bashkë me kryeministrin e Shqipërisë. Kam pasur angazhim personal që të mos ndodh ajo vrasje në Kukës”, ka thënë Haliti, teksa ka përmendur edhe emrat e Kudusi Lames e Fatos Klosit si të përfshirë në përgatitjen e të gjithë logjistikës për të pamundësuar vrasjen e Bukoshit.

“Kemi arrestuar disa nga njerëz tonë në Kukës nga frika që mund të implikohen në atë punë, dhe ka shpëtuar për fat”, ka thënë tutje Bukoshi.

Ai ka thënë se është e vërtetë që ka ndodhur një takim mes Bujar Bukoshit, me Hashim Thaçin, ku ka marrë pjesë edhe ai, Rexhep Selimi, Ahmet Krasniqi. Kemi takuar edhe Fatos Nanon.

“Kemi qenë bashkë. Është e vërtetë që Hashim Thaçi të udhëheqë bisedimet dhe është e vërtetë që ka kërkuar që paratë të përdoren për luftën e UÇK-së. Nuk ka pasur ultimatum”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se është e vërtetë edhe se pas këtij takimi është lëshuar një komunikatë nga Qeveria e Kosovës me firmën e Bukoshit që nuk ka dy ushtri, ka vetëm Ushtri Çlirimtare të Kosovës.

Haliti ka ripërsëritur se nuk dëshiron të flasë tash për këto çështje.

“S’dua të flas tash. Nuk dua të bëj atkakuzë ndaj Bukoshit. Ashtu kështu tash është në gjendje të rëndë shëndetësore. Le t’ia lëmë gjyqësorit”, ka thënë ai.

Haliti thotë se Bukoshi kishte sabotuar Krasniqin

Sipas ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së Xhavit Haliti, ish-kryeministri i qeverisë së Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi dhe qeveria e tij e kishin sabotuar ministrin e Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi.

Duke deklaruar se Krasniqi i kishte bërë ofertë UÇK-së se qeveria është e gatshme t’ua japë gjithë buxhetin, Haliti ka thënë se Ahmeti është sabotuar nga qeveria në këtë aspekt.

“As që ia kam lyp paratë, por ai e ka bërë ofertën, pa kushte hiq. Janë të gjallë të gjithë të pranishmit në atë takim pos Agim Mehmeti, që nuk është. Ahmetin e kanë sabotuar, e ka sabotuar qeveria e Kosovës. Bujar Bukoshi sepse Isa Mustafa në atë kohë ka qenë ministër i Bujarit dhe s’ka mundur të vendosë për paratë. Ai ka dhënë mjete më shumë për çështje tjera. S’është koha për me i çelë këto karta. S’po them asnjë shumë. Thash që të gjitha janë shuma qesharake sa ka dhënë dhe për çka i ka dhënë. Kam komunikuar me Bujarin, nuk dua ta mohoj. Gatishmëria e tij ka qenë tepër e madhe, por çka i ka ndodh nuk e di. Sidomos pas vrasjes së Ahmetit, ka qenë situatë e rëndë edhe për mua edhe për të. Akoma janë të pandriçuara. Pas vrasjes së Ahmetit, s’kam dashur të merrem me askënd. S’kam marrë pjesë në asnjë takim. Ka shkuar Kadri Veseli në takime me ta. S’dua të flas më shumë. Kam marrë para, por jo tetë milionë. Janë të shkruara sa. Le të merret dikush tjetër me to. Për mua duhet të mbeten sekret”, ka thënë Haliti.

Haliti ka paralajmëruar se gjithçka mund të zbulohet pas tre katër muajsh, por se vetë ai nuk do të flasë kurrë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat