Xhavit Haliti tregon mosmarrëveshjet që kishte pasur me kolonelin Ahmet Krasniqin

Aktuale

Xhavit Haliti tregon mosmarrëveshjet që kishte pasur me kolonelin Ahmet Krasniqin

Nga: D.RR Më: 24 maj 2018 Në ora: 21:06
Xhavit Haliti dhe kolonel Ahmet Krasniqi

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti,  që ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, në një emision televiziv ka sqaruar pikat ku s’ishte marrë vesh me Ahmet Krasniqin.

Ai thotë se Krasniqi kishte kërkuar takim dhe se kishte pasur një ofertë që qeveria është e gatshme ta ndihmojë UÇK-në me të gjithë buxhetin e vet.

Për detajet nga takimet me Krasniqin, Haliti nuk ka folur, por, ka bërë të ditur se në një takim në Oslo, Krasniqi kishte pasur disa kërkesa, që s’ishin pranuar nga pala e UÇK-së, ka thënë Haliti në Rubikon, përcjell “Bota sot”.

“Me Ahmet Krasniqin kam qëndruar çdo ditë. Në Oslo ka qenë situatë më ndryshe nga ajo që interpretohet në media. Unë kam pas raporte të mira me bacën Adem Demaçi. Realisht bacën Adem e kam çuar të bisedojë me Sali Berishën, kur ai ka qenë president edhe me Bujar Bukoshin kur ishte kryeministër dhe i kishte mjetet. Në Oslo e kemi caktuar takimin për të biseduar pikërisht për ofertën e Ahmet Krasniqit. Jo për të bërë marrëveshje siç interpretohet. Takimi është i regjistruar dhe nuk ka nevojë të shtrembëroj asgjë. Disa gjëra i ka kërkuar që unë s’jam pajtuar. Ka kërkuar që komunikatat të lëshohen në emër të qeverisë, komunikatat që lëshonte UÇK -ja, dhe ka bë ofertë për t’u bashkuar të gjithë. Ka dhënë propozimin që forcat e bashkuara të quhen Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës. Ka qenë ide e tij. Ne nuk jemi marrë vesh as për atë çështje. Unë e kam përfaqësuar UÇK-në, ai e ka përfaqësuar atë grupin e oficerëve që ky ka qenë koordinator i tyre dhe s’ka folur në emër të Bujarit, por ka thënë që e kam ofertën me na dhënë paret. S’ka fol asnjëherë në emër të Bujarit. Ai ka thënë se qeveria e Kosovës i ka ofruar të gjitha paret që ka për UÇK–në”, ka deklaruar Haliti.

Haliti ka thënë se asnjë oficer ushtarak s’ka hyrë në Kosovë si Forcë e Armatosur e Republikës së Kosovës (FARK).

“Si FARK s’kanë hy kurrë në Kosovë. Ata mund ta kenë pasur plane tjera. Ahmeti ka kërkuar që oficerët t’i orientoj unë dhe t’i çoj në Kosovë dhe me iu dhënë brigadat t’i drejtojnë. Unë s’e kam pas atë fuqi. S’kam mundur me i thënë çoje filanin me e drejtuar një brigadë, kur ajo brigadë e ka pas komandantin e vet. Ne jemi marrë vesh edhe në shtab të përgjithshëm që oficerët të vijnë në Kosovë e që shtabi i përgjithshëm i emëron në cilën brigadë të shkojnë e në detyra të veçanta qysh ka ndodh me shumicën e atyre që kanë ardhur në Kosovë për të luftuar”, ka thënë Haliti.

Haliti ka paralajmëruar se gjithçka mund të zbulohet pas tre katër muajsh, por se vetë ai nuk do të flasë kurrë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat