Historia e Mercedesit në Ballkan – dënimi ndaj Gruevskit dhe vendimi kundër Qeverisë së Kosovës

Aktuale

Historia e Mercedesit në Ballkan – dënimi ndaj Gruevskit dhe vendimi kundër Qeverisë së Kosovës

Më: 24 maj 2018 Në ora: 06:56
Një veturë luksoze e tipit Mercedes u bë shkak i dënimit me dy vjet burgim të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. Lideri i opozitës në Maqedoni u dënua për shpërdorim detyre në rastin e blerjen së një Mercedesi në vlerë të 580 mijë eurove.

Kompania e njohur gjermane e automobilave “Daimler-Benz AG”, e cila prodhon veturat e tipit Mercedes dhe Smart, është ballafaquar me situata të vështira në shtetet e Ballkanit por pa fajin e saj. Njëra ka të bëjë me pushtetin në Maqedoni disa vite më parë, ndërsa tjetra me pushtetin në Kosovë.

Në Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, një veturë luksoze e tipit Mercedes u bë shkak i dënimit me dy vjet burgim të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. Lideri i opozitës në Maqedoni u dënua për shpërdorim detyre në rastin e blerjen së një Mercedesi në vlerë të 580 mijë eurove.

Po ashtu, në aktgjykimin e gjykatës që doli sot, u dënua edhe ish-ndihmësministri i punëve të Brendshme, Gjoko Popovski, me gjashtë vjet e gjysmë burgim ndërsa proces i veçantë gjyqësor për këtë rast është duke u zhvilluar edhe ndaj ish-Ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.

Akuza ndaj Gruevski, Popovskit e Jankullovskës ka të bëjë me shkeljet ligjore në procesin e blerjes së automjetit të blinduar, Mercedes-Benz.

Gjykatësja, Dobrila Kacarska tha sot se Nikolla Gruevski kishte kërkuar nga ish-ministrja e brendshme, Gordana Jankullovska të nisë procedurën për blerjen e veturës ndërsa kjo kishte nxitur Gjoko Popovskin që të favorizojë një kompani të afërt të saj në procedurat e tenderimit. Ajo tha se me shkeljet e bëra, Gruevski ka nënçmuar dhe fyer qytetarët meqë pas shpinës së tyre dhe në fshehtësi është pajisur me veturë sipas dëshirës së tij.

Kompania gjermane “Daimler-Benz AG” nuk pati përvojë të mirë as në Kosovë. Ajo u detyrua t’i jepte fund marrëdhënieve me Qeverinë e Kosovës në vitin 2012 për shkak të keqpërdorimeve në procedurat e prokurimit nga zyrtarë të shtetit të Kosovës, shkruan insajderi.

Siç kishte raportuar media, drejtues të gjigantit gjerman të automobilave patën konfirmuar në fillim të vitit 2012 se kompanitë private (përfaqësuesit e autorizuar) nuk do të mund t’i shesin vetura Mercedes nëpërmjet tenderëve publikë institucioneve të Kosovës prej janarit 2012, gjë që tanimë po ndodh.

Që prej asaj kohe nuk u është shitur asnjë veturë Mercedes institucioneve kosovare dhe në mungesë të tyre janë blerë vetura të markave tjera, si: Wolksvagen, Peugeot, KIA, Ford etj. Një vendim të tillë “baba” i veturave simbol të kualitetit dhe qëndrueshmërisë e ka marrë për shkak të shkallës së lartë të korrupsionit në Kosovë, gjë që e potencon edhe “Transparency International” në raportet e publikuara për Kosovën.

Zyrtarët e kompanisë “Daimler Ag” kishin bërë të ditur se kanë vendosur me Kosovën të bëjnë biznes vetëm si transaksione të drejtpërdrejta, gjë që, sipas tij, garanton një shkallë të lartë të transparencës në proceset biznesore.

“Ne kemi vendosur të bëjmë biznes me institucionet qeveritare dhe organizatat ndërkombëtare vetëm si transaksione të drejtpërdrejta me një numër vendesh, ku përfshihet edhe Kosova. Kjo na garanton një shkallë të lartë të transparencës në proceset biznesore”, kishte thënë Ute West von Vellberg, menaxher i lartë për komunikime, integritet dhe çështje ligjore në “Daimler-Benz Ag” në Shtutgard të Gjermanisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat