Tahiri: Përmes dialogut të Brukselit kemi kthyer sovranitetin në veri

Aktuale

Tahiri: Përmes dialogut të Brukselit kemi kthyer sovranitetin në veri

Më: 23 maj 2018 Në ora: 12:59
Konferenca ”Fuqizimi i Grave në Politikë”

Kosova ka arritur që përmes dialogut të Brukselit të vë drejtësi dhe të vendosë kufirin në pjesën veriore, duke kthyer autoritetet shtetërore në atë pjesë.

Kështu deklaroi ish-negociatorja në dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiri në konferencën ”Fuqizimi i Grave në Politikë”, organizuar nga Qendra për Trajnime dhe Studime Gjinore, ku është folur për rëndësinë e rolit të gruas në jetën politike.

Tahiri tha se dialogu në Bruksel ka qenë shumë i përfolur dhe ka pasur suksese të shumta ku Kosova ka arritur ta shtrijë sovranitetin me institucionet e saj shtetërore në veri, të cilat nuk kanë qenë përpara dialogut.

Tahiri: Përmes dialogut e Brukselit kthyem sovranitetin në veri

“Ky dialog i shumëpërfolur, me paradokse dhe kundërshti ka arritur suksese të mëdha me integrimin e pjesës veriore të Kosovës në sistemin shtetëror, juridiko-kushtetues të Kosovës. Ka arritur që Kosova të shtrijë sovranitetin në pjesën Veriore me institucionet shtetërore që nuk kanë qenë para dialogut. Ne të gjithë e dimë se kur përfundoi lufta, në saje të disa lëshimeve të UNMIK-ut, në një mënyrë Serbia arriti të vë disa struktura paralele në veri dhe të manipulojë me një pjesë serbe duke i futur në ato struktura. Pikërisht ishte ky dialog i Brukselit për 7 vite që vazhdon edhe tash, që ne arritëm t’i shuajmë strukturat paralele të Serbisë në fusha relevante, siç është policia paralele serbe, doganat paralele serbe”, tha Tahiri.

Ish-negociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë,  vlerësoi se për një paqe të qëndrueshme gratë duhet të kenë një rol qendror në pozita udhëheqëse, por edhe në nivelet tjera.

Tahiri tha se me vendosjen e saj në krye të negociatave me Serbinë, Kosova ka dhënë një shembull shumë të mirë për rëndësinë e rolit të femrës në çështje të mëdha.

Tahiri: Dialogu pritet të përfundojë me njohjen reciproke Kosovë-Serbi

“Besoj në të ardhmen ky raport ndryshon, sidomos në fazën finale të këtij dialogu të Brukseli, ku pritet të finalizohet me njohjen reciproke mes dy shteteve. Paqen e kemi por për të arritur paqene  qëndrueshme, kemi shumë punë, deri te pajtimi mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë kemi shumë punë”, tha Tahiri.

Ndërsa këshilltari i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Driton Lajçi, tha se dialogu Kosovë-Serbi është i rëndësishëm për harmoninë ndëretnike, ndërsa bëri thirrje që të shtohet bashkëpunimi mes shqiptarëve dhe serbëve.

Lajçi: Dialogu i rëndësishëm për normalizimin e raporteve

“Dialogu Kosovë-Serbi është i rëndësishëm për normalizimin e raporteve ndërmjet dy shteteve, siç thuhet tash me marrëveshje të dyanshme obligative të karakterit ligjor. Mirëpo, shumë të rëndësishme janë edhe raportet brenda nesh. Komunikimet dhe raportet tona brenda, pajtimi jonë me serbët është gjithashtu i një rëndësie të veçantë. Prandaj ne nga perspektiva jonë, inkurajojmë bashkëpunim ndërmjet universiteteve, organizatave rinore dhe studentore, mësimin e gjuhës së njëri-tjetrit, heqja e paragjykimeve të cilat janë ndër kundërshtarët tonë më të mëdhenj”, tha Lajçi.

Ai foli edhe për rrugën e integrimit në BE me ç’rast tha se kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, mbetet i përkushtuar që  Kosova të përmbushë rekomandimet që dalin nga raporti i progresit të Komisionit Evropian.

Carmen Meyer, drejtoreshë e CFD-së, theksoi se nuk ka mundësi të ketë paqe pa pjesëmarrje të barabartë. Ndërsa këshilltarja e shefes së Zyrës së BE-së, Annette M. Fath-Lihic, u shpreh e pakënaqur me numrin e ambasadoreve gra që ka BE, duke thënë se kjo lë për të dëshiruar.

Ndryshe, ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha ka anuluar pjesëmarrjen e saj në këtë konferencë në momentin e fundit,  pasi që sipas njoftimit, kishte një takim të paparalajmëruar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat