Si e mori lejen avioni turk që dërgoi "gulenistët" nga Prishtina në Stamboll

Aktuale

Si e mori lejen avioni turk që dërgoi "gulenistët" nga Prishtina në Stamboll

Më: 22 maj 2018 Në ora: 23:48
Gylenistët e dëportuar

Brenda 24 orësh, aeroplani i ‘Birlesik Insaat’ kishte arritur ta siguronte lejen për aterrim në Kosovë, leje e cila përveç që ishte dhënë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, kishte devijuar edhe qëllimin.

Këtë fakt e ka pranuar edhe drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil, Dritan Gjonbalaj, i cili ka raportuar para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, duke thënë se kompania fluturuese i ka mashtruar autoritetet nga Kosova.

Për këtë, Gjonbalaj ka thënë se janë duke u zhvilluar hetime por që kjo është përgjegjësi e Ministrisë së Infrastrukturës. Gjonbalaj ka pranuar se pas miratimit të një fluturimi komercial nga MI-ja, Agjencia bën kontrollimin e aeroplanit dhe asnjë pasagjer nuk mund të hyjë pa kaluar përmes Agjencisë por kjo nuk kishte ndodhur me aeroplanin që po i bartte gjashtë personat për në Turqi.

Tutje ai ka bërë të ditur se kompania mund të dënohet deri në 1 milion euro gjobë. Ministria e Infrastrukturës nuk kishte dhënë shumë detaje për fluturimin misterioz që me vete mori 6 turqit e arrestuar nga Policia e Kosovës.

Në një përgjigje elektronike, Argjend Zejnaj, këshilltar i ministrit Pal Lekaj, në kohën e arrestimit, kishte treguar se aeroplani i kompanisë turke kishte aplikuar për leje fluturimi jo të rregullt/charter 48 orë para fluturimit.

Ministria nuk ishte përgjigjur as në kërkesën e televizionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat