‘Arbëreshët një vlerë e ruajtur që duhet ta çmojmë’

Aktuale

‘Arbëreshët një vlerë e ruajtur që duhet ta çmojmë’

Më: 22 maj 2018 Në ora: 18:47
Ramush Haradinaj gjatë një takimi në Itali me përfaqësuesit e arbëreshëve

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi sot se arbëreshët e Italisë kanë qenë gjithnjë burim frymëzimi dhe fuqie për gjithë shqiptarët.

Ai gjatë një takimi në Itali me përfaqësuesit e arbëreshëve të këtushëm, vlerësoi lart angazhimet e tyre të pareshtura për të ruajtur dhe kultivuar identitetin kombëtar shqiptar.

"Kosova po i bashkohet familjes së popujve evropian dhe kjo i forcon edhe më shumë lidhjet tona shpirtërore dhe kombëtare", tha Haradinaj.

Me qëllim të ruajtjes së kulturës dhe fuqizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe arbëreshëve në Itali, kryeministri Haradinaj ftoi përfaqësuesit e organizatave kulturore arbëreshe që të vizitojnë sa më shpesh Kosovën.

“Ju keni mbijetuar ndër shekuj identitetin, gjuhën, vlerat shqiptare dhe kristiane, të trashëguara që atëherë. Dëshiroj të ju them se ne ju çmojmë shumë”, tha Haradinaj.

Ai përmendi faktin se marrëdhëniet me komunitetin arbëreshë të Italisë janë shumë të rëndësishme, dhe në këtë drejtim shqiptarët duhet t’i intensifikojnë ato, me qëllim ruajtjen e kësaj pasurie kulturore e kombëtare, por edhe kultivimin e miqësisë së ndërsjellë.

Kryeministri Haradinaj vizitoi edhe Kishën Katolike Abreshe Shën Thanasi dhe Kolegjin grek ku u njoftua për së afërmi me vlerën historike dhe kulturore të këtyre dy monumenteve nga intelektuali arbëresh Domenico Morelli.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat