Diaspora me kërkesa të qarta për institucionet e Kosovës

Aktuale

Diaspora me kërkesa të qarta për institucionet e Kosovës

Më: 18 maj 2018 Në ora: 13:58
Kuvendi i Kosovës

Pesë kërkesa ka pasur diaspora shqiptare për institucionet e Kosovës, të cilat janë paraqitur në hapjen e konferencës katërditore “Diaspora Flet”, të organizuar nga Kuvendi i Kosovës në bashkëpunim me organizatën “Germin”.

Kuvendi sot hapi dyert për diasporën, derisa në një seancë pune, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, theksoi se diaspora ka qenë gjithmonë shtyllë e rezistencës dhe lirisë së Kosovës, pasi që nga Rilindja Kombëtare e deri në ditët e luftës për çlirimin e Kosovës, të gjitha projektet e mëdha kanë filluar në mesin e diasporës.

Veseli: Diaspora kontribuuese në të kaluarën dhe të tashmen për Kosovën

“Ju jeni kontribues të mëdhenj jo vetëm të së kaluarës por edhe tani aktualisht kur po kontribuoni duke qenë pjesëmarrës edhe në jetën tonë drejtpërdrejt, po flas veçanërisht në dimensionin social duke ndihmuar familjet tona. Në të njëjtën kohë diaspora jonë ka evoluar shumë duke qenë shumë e fuqishme edhe në fushën e ndërmarrësisë. Por në të njëjtën kohë edhe në fushën intelektuale, ku aktualisht kemi shumë njerëz që janë avokatë të nderuar, janë mjekë të nderuar, në të njëjtën kohë janë bërë edhe politikanë të nderuar, përveç ndërmarrës në vendet ku jetojnë”, tha Veseli.

Sipas Veselit, diaspora përbënë një potencial të madh nga i cili mund dhe duhet të përfitojë Kosova.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i organizatës “Germin”, Behar Xharra, ka paraqitur pesë kërkesat që i ka diaspora ndaj institucioneve të Kosovës.

Xharra: Diaspora ka veç pesë kërkesa

“Pesë kërkesat që sot i kemi si diaspora janë. E drejta e votës apo përmirësimi i procesit për votim jashtë vendit. Mësimi plotësues në gjuhën shqipe, përfaqësimi në politikë-bërje, kartoni i gjelbër, posaçërisht për mërgatën në Evropë, e cila udhëton me vetura në vendin tonë dhe angazhimi i profesionistëve të diasporës që sot është një mundësi e mirë t’i shohin se kush jemi si vend”, theksoi Xharra.

Richard Lukaj, drejtor ekzekutiv i “Bank Street Group” në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u shpreh i emocionuar me pritjen në Kosovë.

Lukaj: U emocionova me këtë pritje

“Mu kujtua në rini kur e pyeta babain tim se ne na kanë shtyrë jashtë Shqipërie, Mali i Zi nuk na ka pritur mirë, Italia na ka maltretuar, Amerikën e kemi gjetur në diskriminim të plotë dhe pyeta a do të gjejmë një ditë një vend që na mirëpret. Dhe sot, shiheni sot ku jemi që besoj se jemi të mirëpritur të gjithë”, u shpreh Lukaj.

Anëtar i bordit të “Germin” dhe udhëheqës i MAASBESA në Boston të SHBA-së, Mark Kosmo, tha se diaspora shqiptare është e domosdoshme për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë dhe se pa diasporë nuk ka Evropë. Ai kërkoi nga udhëheqësit e këtyre vendeve që të mos e shohin diasporën vetëm si para, por si profesionist.

Kosmo: Diasporën mos e shihni si euro por si profesionist

“Dua të theksoj se nuk jemi këtu për të ndihmuar vetëm shqiptarët e Kosovës, jemi këtu për shqiptarët e Kosovës, për serbët e Kosovës, për turqit, për goranët, për boshnjakët, për romët për të gjithë, jo vetëm për shqiptarët sepse ne punojmë për shtetin e Kosovës. Unë mendoj që përqendrimi i Qeverisë së Kosovës ndaj diasporës ka qenë shumë i gabuar, sepse përqendrimi gjithmonë ka qenë për investim, ka qenë për lek, dollar, euro, do të thotë xhepi i diasporës. Por pasuria diasporës nuk është financiar, pasuri është eksperienc profesionale, pasuri është truri. Dhe duhet shfrytëzuar truri i diasporës, jo xhepi i diasporës”, theksoi Kosmo.

Ai tha se duhet të formohet një këshill i diasporës për të bashkëpunuar me Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë për të angazhuar diasporën në fusha të ndryshme.

Mbështetje diasporës i kanë dhënë edhe tre ministrat e Diasporës, i Kosovës Dardan Gashi, i Shqipërisë, Pandeli Majko dhe i Maqedonisë, Edmond Ademi.

Pas hapjes së konferencës “Diaspora Flet”, puna ka vazhduar në katër komisione parlamentare, në të cilat përfaqësuesit e bizneseve dhe shoqatave të ndryshme në diasporë, kanë prezantuar para deputetëve të Kuvendit, mundësitë që diaspora ka për të dhënë në Kosovë.

Sesione janë mbajtur në Komisionin për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacione dhe Ndërmarrësi, Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat