Javën që vjen rasti Dehari shkon për ekspertizë në Zvicër

Aktuale

Javën që vjen rasti Dehari shkon për ekspertizë në Zvicër

Më: 17 maj 2018 Në ora: 10:10
Seanca e Kuvendit

(E plotësuar) - Lënda për vdekjen e Astrit Deharit nga java e ardhshme do të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri në seancën e Kuvendit, kur është pyetur nga deputeti i VV-së, Sami Kurteshi, se në cilën fazë është ky proces.

Kurteshi: Në cilën fazë janë hetimet?

 “Pyetja ime ka të bëjë, që nga data 16 mars 2018 kur ju keni informuar Kuvendin, Qeveria dhe Prokuroria kompetente, as avokati as familja, por as Kuvendi nuk ka pranuar njoftim se çfarë është ndërmarr deri tash dhe çfarë do të ndërmerret në të ardhmen. Në cilën fazë janë hetimet?”, pyeti Kurteshi.

 Ndërsa, në përgjigjen e tij, ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, tha se vonesat kanë ndodhur si pasojë e lëndës voluminoze, meqë kanë qenë rreth 3 mijë faqe për përkthim.     

Tahiri: Nga java e ardhshme lënda do të dërgohet në Institutin e Lozanës

“Unë iu informoj që këtë javë ka përfunduar përkthimi i lëndës komplet. Ka qenë lëndë voluminoze me një material rreth 3 mijë faqe. Jam informuar nga prokuroria e shtetit që javën që do të vijë nga e hëna e tutje lënda do të dërgohet përmes atasheut policor të ambasadës së Zvicrës që është në Republikën e Kosovës drejtë institutit në fjalë. Pra Ministria e Drejtësisë nuk është ndërlidhëse në këtë rast, por është prokurori i rastit përmes Prokurorisë së Shtetit”, tha Tahiri.

Nuk kalon vendimi i Thaçit për kthimin e Ligjit për shoqëritë tregtare

Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar vendimin e presidentit Hashim Thaçi për kthimin e Ligjit për shoqëritë tregtare, pasi 28 deputetë votuan pro, 32 ishin kundër dhe 7 abstenuan. Me mos miratimin e vendimit të presidentit, projektligji mbetet ashtu siç është miratuar me amendamentin, i cili parasheh kuotën për bizneset që në bordet e tyre udhëheqëse të kenë 40 për qind gra.

Deputetja, e cila ka propozuar amendamentet që obligojnë shoqëritë tregtare që të kenë 40 për qind femra në bordet udhëheqëse, Mimoza Kusari-Lila, tha se argumentet e presidentit, nuk janë të qëndrueshme.

Kusari-Lila: Nuk qëndrojnë argumentet e presidentit

“Argumentet e presidentit nuk qëndrojnë, sepse ai ka injoruar nenin 24 të kushtetuese për parimet e të drejtat e grupeve që janë në pozitë të pabarabartë të cilat zbatohen deri në ndryshimin e pozitës. Kushtetuta kërkon që institucionet të garantojnë dhe respektojnë të drejtat e njeriut dhe trajtimin e barabartë. Sipas gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut nuk ndalon që një shtet të trajtojë një grup ndryshe, por në fakt kur ka pabarazi faktike është shteti ai që duhet të ndërmarr masa për përmirësimin e kësaj gjendje”, tha Kusari-Lila.

Në emër të grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi është shprehur kundër këtij amendamenti të propozuar nga Kusari-Lila.

Krasniqi: Ky amendament nuk e ka në fokus fuqizimin e grave në biznes

“Në emër të PDK-së, unë ju njoftoj se do ta mbështesim rekomandimin e presidentit që në fakt është rekomandim i komisionit sepse siç e parasheh kushtetuta, komisioni i ka dhënë mbështetje këtij rekomandimi. Ky amendament nuk e ka në fokus fuqizimin e grave në bizneset e Kosovës, është një tendencë për të imponuar vendime në biznesin privat. Nuk e ndihmon funksionimin e lirshëm të biznesit në Kosovë dhe si i tillë do të duhej të votohej rekomandimi i komisionit e amendamenti i Mimoza Kusarit të hiqej nga projektligji”, tha Krasniqi.

Sipas tij, me këtë logjikë të imponimit po e ngushtojnë funksionimin dhe veprimin e lirshëm të bizneseve duke i imponuar kuotën gjinore, të cilat do të duhej të vinin në mënyrë të natyrshme.

Ndërsa, deputetja Fatmire Mullhaxha-Kollçaku nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se janë kundër vendimit të presidentit dhe pro amendamentit të propozuar nga deputetja Kusari-Lila.

Imponim dhe jo barazi e ka quajtur deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, vendosjen e kuotës për bizneset private. 

Policia nuk e kontrollon një pjesë të kufirit me Serbinë

Deputeti i Nismës Socialdemokrate të Kosovës, Haxhi Shala, ka pyetur Ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, nëse ka paraparë hapa konkret në strategjinë sektoriale 2018-2022, për sigurinë dhe shëndetin në punë.

Kjo, pasi sipas tij, siguria në punë dhe shëndeti mbeten ende sfidat kryesore me të cilat përballën punonjësit në përgjithësi.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, tha se kanë paraparë masa të cilat do të ngrisin sigurinë në punë dhe të drejtat e punëtorëve.

Reçica: Janë paraparë masa për sigurinë në punë dhe mbrojtjen e shëndetit

“Në strategjinë sektoriale të MPMS janë parapara një sërë masa për të ngritur dhe garantuar respektimin e të drejtave të punëtorëve, respektimin e kushteve të punës, krijimit të sigurisë dhe mbrojtjen e shëndetit në punë. Ne si Ministri e Punës kemi nxjerr disa rregullore vitin e kaluar për sigurinë dhe shëndetin në punë të cilat janë transpozuar disa direktivave të Bashkimit Evropian dhe këto rregullore ndihmojnë në zbatimin e ligjit për siguri dhe shëndet në punë. Duke qenë të vedijshëm që siguria dhe shëndeti në punë janë çështje jetike për punonjësit por edhe për vetë punëmarrësit muajin e kaluar kemi lansuar fushatën për sigurinë dhe shëndetin në punë. Kemi filluar fushatën vedijësuse këtë vit më herët se rëndom dhe kemi filluar nga sektori me rrezikshmëri të lartë siç është ai i ndërtimtarisë dhe po vazhdojmë edhe në sektorë të tjerë”, tha Reçica.

Ai tha se në këtë fushatë ata ua kanë përkujtuar punëdhënëseve, por edhe punëmarrëseve vendosmërinë e tyre për zbatimin e legjislacionit për sigurinë dhe shëndetin në punë.

***

Në seancën e Kuvendit që është u ngrit edhe cështja e kontrollimit të kufirit nga ana e Policisë së Kosovës.

Është shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili e ka ngritur këtë shqetësim të tij dhe njëkohësisht e ka pyetur ministrin e Punëve të Brendshme nëse Policia  e kontrollon tërë kufirin me Serbinë, pasi ka shqetësime nga ana e banorëve të Karaçevës, fshat ky i komunës së Kamenicës në të clin shpesh raportohet për hyrje të polciisë serbe në territorin e Kosovës.

Duke u përgjigjur në pyetjen e Hotit ministri   Gashi, theksoi se përgjegjësia për mbikëqyrjen e vijës kufitare me Serbinë është ende nën mandatin e KFOR-it, i cili nuk e ka dorëzuar mandatin te Policia e Kosovës, ashtu siç e ka dorëzuar në pjesët tjera të vijës kufitare me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi.

 Gashi: Policia e Kosovës nuk ka qasje në një pjesë të kufirit me Serbinë

“KFOR-i mendon që pjesa e kontestuar ndërmjet fshatrave Novosellë dhe Karaqevë është nën juridiksionin serb në bazë të marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës të vitit 1999 dhe të nënshkruar ndërmjet KFOR-it dhe ushtrisë serbe. KFOR-it respekton këtë marrëveshje dhe kërkon të respektohet edhe nga ana e Policisë së Kosovës. Pavarësisht kësaj gjendje praktike, Policia e Kosovës është e pranishme në kufirin me Serbinë dhe e mbikëqyr këtë pjesë të kufirit në bashkëpunim me KFOR-in. Përjashtim bënë vetëm pjesa e vijës kufitare mes fshatrave Karaqevë e Poshtme, Karaqevë e Epërme dhe Buhovitët, e cila është e pamundur të realizohet nga ana e Policisë së Kosovës, për shkak të urdhëresës së komandantit të KFOR-it Salvadore Farina të 12 majit 2014, e cila e ndalon përdorimin e rrugës ‘bay pass’, që e lidh rrugën e vetme e cila mundëson  Policisë së Koso vës të ketë qasje në këto fshatra”, tha Gashi.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka ngritur problemin e përmbaruesve privat. Ajo tha se në kohën kur Ministria e Drejtësisë udhëhiqej nga Hajredin Kuçi, u miratua Projektligji për procedurën përmbarimore, për të cilin kishin paraqitur amendamente për heqjen e përmbaruesve privat, por të jenë vetëm përmbarues publik në mënyrë që ta kenë parasysh interesin publik e jo privat, siç bëjnë ata privat sot.

Haxhiu: Përmbaruesit privat s’e ndihmuan drejtësinë ta ulë numrin e lëndëve

“Atë kohë thuhej nga Hajredin Kuçi se do t’i ndihmonte sistemit të drejtësisë, nuk do t’i dëmtonte qytetarët, do të reduktonte lëndët, në atë kohë ishin 150 mijë lëndë të pazgjidhura, ndërsa sot përkundër përmbaruesve privat kemi rreth 300 mijë lëndë të pazgjidhura. Edhe pas katër viteve po shihet se ne kemi pasur të drejt. Aktualisht janë 140 milionë borxhe të pashlyera për rastet e shpronësimeve gjithandej Kosovës qoftë për komunat qoftë për qytetarët. Ajo çfarë është e papranueshme, është se çështja e përmbaruesve privat problematizohet me së shumti një ditë dhe atë shumë rrallë, saktësisht sa herë shohim ndonjë qytetarë që vuan nga vendimet e përmbaruesve privat”, theksoi ajo.

 Sipas saj, përmbaruesi privat nuk merret me të fortit, por merret me ata të ligët, si pensionistin, ata me raste sociale e tjerë.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, derisa kishte pyetje për ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, e cila nuk ishte e pranishme, theksoi se i ka humbur kuptimi i pyetjeve parlamentare, meqë mungesa e ministrave po bën që deputetët mos të jenë të interesuar të bëjnë pyetje.

Musliu: I ka humbur kuptimi pyetjeve parlamentare

 “Po dëgjoi në mediat e Kosovës për pasivitetin e deputetëve dhe dje e pashë lajmin me të fresktët që 62 për qind e deputetëve nuk kanë bërë fare pyetje dhe unë mendoj që duhet përfundimisht të tregohet që kjo është një nga arsyet pse deputetët nuk kanë motiv që të ngrisin qështje dhe të bëjnë pyetje. Sepse prej të gjitha pyetjeve parlamentare që unë kam bërë gjatë kësaj legjislature kam marrë vetëm dy përgjigje. Kështu që i ka humbur kuptimi edhe i pyetjeve parlamentare nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, tha Musliu.

Pyetja e Musliut ishte për degradimin e ambientit në Brezovicë dhe mungesa e infrastrukturës në atë pjesë.

Drejtpërdrejt nga seanca, deputeti shkon në Kuvend me dorë të thyer

Seanca e Kuvendit të Kosovës ka nisur me shqetësimin e deputetëve të LDK, lidhur me homologimin e mjeteve rrugore, ku u kërkua nga Ministrisë së Infrastrukturës dhe qeveria që mos të krijojnë monopol.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka ngritur çështjen e udhëzimit administrativ për përcaktimin e kushteve dhe kritereve për homologim të mjeteve rrugore i Ministrisë së Infrastrukturës i nënshkruar më 12 prill, të këtij viti.

Ajo tha se kur ka mbetur me pak se një vit e skadimit të kontratës me kompaninë “Eurolab”, respektivisht Devollëve dhe Ministrisë së Infrastrukturës të përfundojë dhe Qeveria të lirohet nga monopoli, ministria me këtë udhëzim i siguron një jetëgjatësi të pafund kësaj kompanie.

Bajrami: Ministria e Infrastrukturës ia vazhdoj monopolin Devollëve

“Në vend që Ministria e Infrastrukturës të kujdeset për interesin e juaj, ajo me krejt kreativitetin e saj e përdorë në funksion të ruajtjes së interesit të kompanisë që e ka monopolin që dhjetë vite në treg. Kështu futja në treg e operatorëve tjerë sipas këtij udhëzimi administrativ varet komplet nga vullneti i kompanisë e cila e ka homologimin. Neni 7 i këtij neni administrativ është në kundërshtim të plotë me nenin 119 të Kushtetutës së Kosovës i cili thotë, se veprimet që kufizojnë konkurrencën përmes vendosjes së abuzimit të pozitës dominuese ose praktikave që e kufizojnë konkurrencën janë të ndaluara në përjashtim kur këto lejohen me ligj. Ky udhëzim është në kundërshtim edhe me ligjin 05/L132 nga i cili derivon”, tha Bajrami. 

Deputetja Bajrami përmendi vendet e rajonit ku homologimin e kryejnë disa kompani, siç është Britania në të cilën janë 40 kompani që e kryejnë homologimin, në Mal të Zi janë 7 kompani.

Deputeti shkon në Kuvend me dorë të thyer

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Faton Topalli po del të jetë i interesuar për zhvillimet në Kuvend.

Ai në seancën e sotme është parë më ndryshe se herave të kaluara.

Në fjalimin që mbajti në foltore, Topalli u shfaq me dorën e thyer, të cilët e kishte të mbështjellur.

Derisa krahun e majtë nuk mundi ta lëvizte, ai detyrohej t’i ndërronte fletët e fjalimit me një dorë.

Image
Faton Topalli

Drejtpërdrejt nga seanca e Kuvendit

Kuvendi i Kosovës po mban seancën plenare, ku ndër të tjera do të shqyrtohet edhe projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin 1998/99 dhe projektligji për kryeqytetin.

Po ashtu, pritet të votohen propozim-rezoluta për heqjen e romingut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, si dhe ropozim-rezoluta për hapjen e tërësishme të kontrollit për hyrje/daljet e shtetasve të Kosovës dhe Shqipërisë nëpërmjet pikave të kalimit kufitar në Vërmicë, Qafë Prush dhe Qafë Morinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat