Liderët e grupit që planifikonin sulmin ndaj kombëtares izraelite të futbollit nuk pendohen para Gjykatës

Aktuale

Liderët e grupit që planifikonin sulmin ndaj kombëtares izraelite të futbollit nuk pendohen para Gjykatës

Më: 15 maj 2018 Në ora: 16:33
Foto nga gjykimi

Është dëgjuar fjala përfundimtare e prokurorit special, avokatëve dhe nëntë të akuzuarve për organizimin e sulmit të parandaluar terrorist, që cak dyshohet të kenë pasur lojtarët dhe tifozët izraelit, që në nëntor të vitit 2016 zhvilluan ndeshjen kualifikuese më Shqipërinë, në stadiumin e ri të Shkodrës. Media sjell përmbledhje nga seanca e fundit gjyqësore që u mbajt të martën në gjykatën Themelore të Prishtinës.

“E kam pasur mundësinë që 1 vit e gjysmë me kry sulm terrorist, po se kam bo”. Kështu, Leutrim Vojvoda u mundua ta bindë Gjykatën se Prokuroria Speciale po e akuzon pa faj se është terrorist.

Tha që s’ka për çka të pendohet, dhe nuk e konsideron veten fajtor për akuzat që i janë ngarkuar, e që pas pak ditësh do t’i jepet vendimi i gjykatës për to.

Vojvoda, gjatë fjalës së tij përfundimtare u kërkoi falje edhe tre prej bashkë të akuzuarve tjerë, të cilët e pranon se i implikoi në krim kur u morr në pyetje për herë të parë nga hetuesit e antiterrorizmit, në momentin e arrestimit në nëntor të vitit 2016.

“Po du me ju kërku falje publikisht Visar Ibishit, Leutrim Musliut dhe Flamur Gashit, për dëmet eventuale që ua kam shkaktu. Ma bani hallall”, tha ai në gjykatë, duke e kthyer kokën në drejtim të tre të akuzuarve tjerë.

E pse erdhi deri aty, fajësoi hetuesit anti-terror të Policisë së Kosovës. Madje edhe i akuzoi rëndë ata, kur rrëfeu orët e para të kaluara në paraburgim.

“Për 10 orë në burg, nonstop kam pasur kërcënime nga ana e hetuesve. Nonstop është ngritur presioni. Nuk ka pas askënd që mu mem dal në krah, mem than nalnu. Bile kanë fillu mem intervistu pa ardh avokati im”, pohoi i akuzuari për terrorizëm.

“Mas 6 orëve jam pajtu me than krejt çka dojnë policët”, pretendoi ai.

Para këtyre fjalëve të Vojvodës, Prokurorja speciale Merita Bina-Rugova kërkoi dënim maksimal ndaj tij dhe pesë të akuzuarve tjerë, derisa i kërkojë gjykatës që të ketë parasysh masat lehtësuese ndaj tre të akuzuarve tjerë në këtë rast që kanë pranuar fajësinë.

 

Për Vojvodën, ajo tha në telefon, kur u arrestua, i është gjetur skica dhe fotografi të stadiumit “Loro Boriqi”, jashtë të cilit pretendon se fillimisht ishte paraparë të kryhet një sulm me eksplozivë gjatë zhvillimit të ndeshjes Shqipëri-Izrael, në nëntor të vitit 2016.

Por, sipas Prokurores, plani i të akuzuarve Visar Ibishi, Leutrim Vojvoda dhe Burim Istrefi, kishte ndryshuar pasi pak ditë para kësaj ndeshje futbolli kishin vizituar Shkodrën.

“Fillimisht është menduar që eksplozivi të vendoset jashtë stadiumit dhe për të arritur lojtarët dhe tifozët e Izraelit, të shpërthehet me telekomandë. Por, plani është pa që më lehtë është të vendoset eksplozivi në një urë në hyrje të Shkodrës”, tha prokurorja Bina-Rugova gjatë fjalës së thaj përfundimtare.

Sipas saj, të akuzuarit kanë vepruar si dorë e zgjatur e kryeterroristit tashme të vrarë nga Kaçaniku, Lavdrim Muhaxheri nga i cili tha se i kanë marrë detyrat, parat dhe eksplozivin. Grupit, ajo tha se më vonë i është bashkuar edhe Flamur Gashi nga Shkupi, me kërkesë të Ridvan Haqifit, komandantit, po ashtu të vrarë, shqiptarë të ISIS’it.

“Disa ditë pas shkuarjes së tyre në Shkodër policia e Kosovës ka zbatuar masat e fshehta. Njëra nga masat e zbatuara ka qenë regjistrimi i thirrjeve telefonike, mënyra e zakonshme e komunikimit mes të akuzuarve ka qenë me anë të internetit, por në këtë periudhë kanë pas edhe kontakte të shpeshta telefonike. P.sh. Ibishi me të akuzuarin Burim Istrefi i ka pas 90 kontakte telefonike, por gati 42 thirrje kanë qenë në kohën e përgatitjes së sulmit, për gjatë vetëm një muaji tetor- nëntor, në periudhën e njëjtë i akuzuar Vojvoda ka pas 18 biseda me të akuzuarin Ibishi edhe pse gjatë tërë vitit 2016 fare nuk kanë kontaktuar”, tha prokurorja speciale.

Gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare, në gjykatë, prokurorja e shtetit tha se kishte qenë i akuzuari Visar Ibishi ai që kishte vërejtur policinë vëzhguese që e kishin vënë në ndjekje, pak ditë para arrestimit, dhe për këtë kishte diskutuar me të akuzuarin tjetër Leutrim Gashin. Madje, tha se ata kishin nisur të diskutonin se kush nga grupi i kishte tradhtuar.

“Të gjithë të akuzuarit kanë qenë tërësisht të radikalizuar me ideologjinë militante të ISIS dhe kanë pasur kontakte të vazhdueshme me pjesëtarë të ISIS’it në Siri, si Lavdrim Muhaxheri dhe Ridvan Haqifi”, tha prokurorja, në seancën e cila nisi me vonesë për shkak se në sallë nuk erdhi me kohë i akuzuari Arton Ahmeti.

“Disa prej tyre kanë pranuar fajësinë, ndaj duhet të merret parasysh masa lehtësuese ndaj tyre”, i tha ajo trupit gjykues, duke iu referuar Arton Ahmetit që pranoi akuzat qysh në seancën e shqyrtimit fillestar, dhe dy të akuzuarve tjerë Kenan Plakaj dhe Besart Peci që kanë pranuar fajësinë gjatë shqyrtimit gjyqësorë, seanca e fundit e të cilit u zhvillua sot.

Të martën, në seancë, kanë dhënë fjalën përfundimtare edhe mbrojtësit e të akuzuarve, të cilët thanë se prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë me fakte se nëntë të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.

“Deklarata e të mbrojturit tim të dhëna në polici nuk mund të merren parasysh pasi që ka qenë shumë i stresuar. Nga stresi që ka përjetuar nuk ka kundërshtuar asnjë pyetje nga frika se mund të ndodhë ndonjë sulm dhe të ketë humbje të jetëve të njerëzve të pafajshëm”, tha avokati i Leutrim Vojvodës, Skënder Musa, fjala përfundimtare e të cilit u dëgjua menjëherë pas prokurores, duke ju referuar deklaratës në hetuesi për të cilën foli në seancë edhe vetë i akuzuari, e në të cilën kishte pranuar veprimet për të cilat tash i mohon se i ka kryer.

E i akuzuari si lider i grupit në fjalë, gjatë fjalës së tij përfundimtare tha se SHBA’të po derdhin miliona para për ta luftuar islamin, në emër të terrorizmit, ndaj për këtë janë arrestuar dhe po gjykohen sot.

Derisa filloi të mbante dres për islam në gjykatë, Visar Ibishi tha se hetuesit që i morën në pyetje nuk kishin lidhje me punën që bënin e as me islamin.

Tha se e njeh vetëm drejtësinë e Allahut, që e ka Zotin e vetëm, dhe nuk ndihet fajtor e as terrorist.

“Krejt çka dinin për mua ishte se isha mysliman dhe e praktikoj këtë dhe dhe kjo u mjaftoi për të më akuzuar”, tha Ibishi në gjykatë.

Visar Ibishi, Burim Istrefi, Leutrim Vojvoda, Flamur Gashi, Kenan Plakaj, Arton Ahmeti, Lulzim Gashi, Leutrim Musliu dhe Besart Peci, ngarkohen me akuza për disa vepra penale të terrorizmit, posedimit të armëve dhe mjeteve shpërthyese, etj..

Sipas aktakuzës së ngritur vitin e shkuar, i akuzuari Visar Ibishi, në nëntor të vitit 2016, pas komunikimeve që ka pasur nga Kosova në Siri, me terroristin nga Kaçaniku Lavdrim Muhaxheri, me qëllim të frikësimit të popullsisë dhe të destabilizojë Ballkanin, me dashje i është përgjigjur kërkesës së ish-komandantit shqiptar të ISIS-it që më 12 nëntor 2016 të kryhet një sulm terrorist ndaj futbollistëve të përfaqësueses së Izraelit që do të luanin një ndeshje në stadiumin “Loro Boriqi” në Shkodër, kundër kombëtares Kuq e Zi, si nikoqire e takimit kualifikues për kampionatin botëror që nis pas një muaji në Rusi.

Ibishit, sipas Prokurorisë Speciale, përmes një personi të paidentifikuar ende, Lavdrim Muhaxheri ia kishte dërguar nga Siria në Kosovë 1350 euro për të organizuar sulmin e parandaluar terrorist.

Ndërkohë, që pretendohet se i janë bashkuar edhe dy të akuzuarit tjerë Burim Istrefi, Leotrim Vojvoda dhe Flamur Gashi, që pak ditë para zhvillimit të ndeshjes kanë qëndruar në Shkodër dhe kanë vëzhguar stadiumin.

Në aktakuzë pretendohet se Istrefi e Vojvoda kishin konstatuar se sulmi assesi nuk mund të kryhej në stadiumin “Loro Boriqi” për shkak të masave të larta të sigurisë. Ndaj, sipas Prokurorisë, kishin paraparë që eksplozivi të vendoset nën një urë në Shkodër, dhe në momentin që të kalojë eskorta me futbollistë izraelitë të shpërthejë.

Po me urdhër të komandantit shqiptar të vrarë në ISIS, Prokuroria Speciale pretendon se Arton Ahmeti dhe Lulzim Gashi, gjatë të njëjtës periudhë ishin duke organizuar sulme tjera terroriste në Kosovë, që cak kishin diplomatët e huaj të akredituar në Kosovë.

Të akuzuarit Leutrim Gashi dhe Besart Peci dyshohen se kanë mbajtur në shtëpitë e tyre armët me të cilat ishin paraparë të kryhen sulmet, sikurse edhe eksplozivin që sipas aktakuzës e ka prodhuar Kenan Plakaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat