Lut ministrat t’u gjejnë punë zëvendësministrave

Aktuale

Lut ministrat t’u gjejnë punë zëvendësministrave

Më: 15 maj 2018 Në ora: 12:49
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në mbledhjen e Qeverisë, i ka informuar ministrat e tij në lidhje me raportin e punës dhe takimin që ka pasur me zëvendësministrat.

Ai me këtë rast ka kërkuar nga ministrat që t’iu gjejnë sa më shumë punë zëvendësve të tyre.

Haradinaj: Jepni punë zëvendës ministrave

“Kam mbajtur një takim me zv/ministrat. Mund të them që shumica, mos me thanë që të gjithë kanë dëshmuar  një shkallë të kujdesit e seriozitetit në punë. Kanë pru raportet. Janë raporte kryesisht  të aktiviteteve të tyre, takim angazhim, vizitë, punë. Ajo që kam kërkuar që  mundësisht në të ardhmen me i mat edhe efektet, çka ka ndodhur prej punës së tyre.  Dhe kam kërkuar raportin e ardhshëm pas 6 muajsh. Çdo 6 muaj. Një lutje e kam dhe  për ministrat, nëse mundeni që të koordinoheni me ta më shumë,  për punët javore, ndoshta jo ditore çdo ditë, por punët javore.  Është praktikë e mire, në fund të fundit, ne mund të nxjerrim më shumë efekte te mira, për qytetarët e vendit nga gjithë kolegët.  Jam i bindur se  edhe pse është një numër i tillë çfarë është, e që janë  74 të emëruar zv/ministra, prapë së prapë arsyeshmëria mund të argumentohet, nëse at yre iu nxjerrim pune. Iu kisha lut jepni punë”, tha ai.

Kryeministri po ashtu i njoftoi ministrat e tij, se ai do të udhëtoj nesër së bashku me presidentin HashimThaçi dhe zëvendëskryeministrin e parë Behgjet Pacollin në Sofje për të marrë pjesë në samitin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai tha se do ta përfaqësojnë denjësisht Kosovën.

Haradinaj: Do ta përfaqësojmë Kosovën, denjësisht në Sofje

“Nesër do te udhëtoj me Thaçin dhe  ministrin e jashtëm Pacollin në Sofje.  Në atë pjesën e parë, kryesisht është njëfarë agjende pak jo aq e qartë e definuar për mua e Behgjetin, por do të jemi aty. Në pjesën është njëfarë Vjena Forum edhe aty jemi bashkë. Ka dhe ndonjë ministër i thirrur se është  interkonektiviteti. Ata që jemi atje, do ta përfaqësojmë denjësisht Kosovën. Nja dy ditë s’do të jemi  këtu në Kosovë, por do të rrimë në komunikim për çfarëdo qoftë“, tha ai.

Qeveria po ashtu ka miratuar propozimin për themelimin e ndërmarrjes së re energjetike të Kosovës.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka tha se po hapet rruga që të fillohet me procesin konkurrues, për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

Lluka: Po hapet rruga që të fillohet me procesin konkurrues për “Kosovën e Re”

“Pas nënshkrimit të marrëveshjes komerciale me datën 20 dhjetor 2017, për ndërtimin e kapaciteteve të reja  gjeneruese, konkretisht projektit termocentrali Kosova e Re, sot jemi para përmbushjes së një prej kushteve që derivon nga këto marrëveshje, dhe kjo është themelimi i ndërmarrjes publike,  korporata e re energjetike e Kosovës, e cila do të jetë nënshkruese e marrëveshjes për blerjen e energjisë. Gjithashtu siç jeni të informuar me 19 maj, është dhe përmbyllja efektive e marrëveshjes komerciale. Dhe si kryesues i komitetit  drejtues të projektit, kam thirr takim për të premten në ora 11 ku pritet të kryhen procedurat administrative, që mundësojnë përmbylljen efektive të këtyre marrëveshjeve. Si dhe hapet rruga që të fillojmë me procesin konkurrues, për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re”, tha ai. 

Qeveria po ashtu  ka emëruar drejtor të Agjencisë  qendrore të prokurimit në kuadër të Ministrisë së Financave Behxhet Rukiqi, për një mandat 3-vjeçar.  Qeveria ka emëruar  Nexhmije Selimin, drejtoreshë të  përgjithshëm të akreditimit të Kosovës,  në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe industrisë.

Ndërsa ka miratuar raportin vjetor të statistikave për vitin 2017. Ka miratuar dhe draft koncept dokumentin, mbi vlerësimin e ndikimit në mjedis si dhe draft koncept dokumentit për Filharmoninë, Operën dhe Baletin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat