Kuvendi do të mblidhet në seancë të re plenare këtë të enjte

Aktuale

Kuvendi do të mblidhet në seancë të re plenare këtë të enjte

Më: 15 maj 2018 Në ora: 06:17
Kryesia e Kuvendit

Kuvendi i Republikës së Kosovës, do të mblidhet në seancë të re plenare këtë të enjte, në të cilën do të shqyrtojë një varg projektligjesh dhe pritet të debatojë për tema të ndryshme me interes publik.

Të mërkurën e ardhshme, ndërkaq, më 23 maj, do të vazhdojë seanca e me pikat e papërfunduara më 16, 17, 18, 20 dhe 26 prill 2018, si dhe ajo e datës 3 maj 2018.

Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të kryesuar nga Kadri Veseli.

Në seancën e kësaj jave, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, Kuvendi do të shqyrtojë vendimin e Presidentit të Republikës së Kosovës për kthimin e Ligjit për shoqëritë tregtare.

Në vazhdim, Kuvendi do të shqyrtojë për herë të parë katër projektligje: Projektligjin për Statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në të ardhurat personale, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në vlerën e shtuar.

Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohet Projektligji për Kryeqytetin e Republikës së Kosovës/Prishtinën dhe ai për mbrojtjen e konsumatorit.

Kuvendi do të vazhdojë punimet me shqyrtimin e Programit Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (PKZMSA) 2018-2022, shqyrtimin e Strategjisë shtetërore të ujërave në Kosovë 2017-2036, shqyrtimin e Planit të veprimit për biodiversitetin 2016-2020, si dhe të tri raporteve: raportit vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2017, raportit vjetor të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2017 dhe raportit vjetor të Agjencisë për ndihmë juridike falas për vitin 2017.

Më pas, Kuvendi do të shqyrtojë propozimin e Grupit Parlamentar të AAK-së për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare dhe të zgjedhë dy anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave.

Në këtë mbledhje, deputetët do të shqyrtojnë edhe dy propozim rezoluta: propozim-rezolutën për heqjen e Romingut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë dhe atë për hapjen e tërësishme të kontrollit për hyrje/daljet e shtetasve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikave të kalimit kufitar në Vërmicë, Qafë Prush dhe Qafë Morinë.

Në vazhdim të kësaj seance, Kuvendi pritet t’u kthehet debateve. Deputetët do të debatojnë në lidhje me të drejtat e punëtorëve dhe adresimin e papunësisë në Republikën e Kosovës, sipas kërkesës së GP të LVV, në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë për unifikimin e pikave doganore ndërmjet tyre, sipas kërkesës së GP të PSD-së, në lidhje me kartonin e gjelbër, sipas kërkesës së GP të PSD-së, si dhe për gjendjen jo të mirë të rinisë kosovare, sipas kërkesës së deputetit Fidan Rekaliu, mbështetur edhe nga pesë deputetë.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.

Nismën legjislative “Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-176 për Hetim Parlamentar”, hartuar nga nënkryetarja e Kuvendit Aida Dërguti, mbështetur nga 11 deputetë, Kryesia e procedoi për mendim në qeveri, sikurse edhe nismë legjislative “Projektligji për peticione”, hartuar nga deputetja Albulena Haxhiu, mbështetur edhe nga dhjetë deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Për mendim në qeveri u procedua edhe nisma legjislative “Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2004/32 për familjen i Kosovës” hartuar nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit.

Projektligji për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ndërkaq, do t’u shpërndahet deputetëve. 

Në këtë mbledhje, Kryesia shqyrtoi dhe miratoi edhe Raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2017, konform rekomandimit të Komisonit për Buxhet dhe Financa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat