KDI i reagon Listës Serbe: Ndaleni linçimin, angazhohuni për dialog

Aktuale

KDI i reagon Listës Serbe: Ndaleni linçimin, angazhohuni për dialog

Më: 14 maj 2018 Në ora: 17:09
KDI

Instituti Demokratik i Kosovës, ka reaguar ndaj Listës Serbe rreth pohimeve të tyre se politikani serb, Çedomir Jovanoviq, është paguar për të marrë pjesë në debatin e organizuar nga ky institut ditë më parë.

“Ardhja e Çedomir Jovanoviq në debat të KDI është i bazuar plotësisht në vullnetin e tij. KDI është e hapur për shpalosjen e pikëpamjeve politike për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që nga Lista Serbe deri te qasjet liberale sikur të Çedomir Jovanoviq”, ka thënë nga KDI, Jeta Krasniqi.

“Asnjë lider nuk duhet të linçohet nga partitë politike për shpërfaqjen e qëndrimeve që promovojnë paqen dhe stabilitetin rajonal dhe mbi të gjitha të cilat reflektojnë vlerat evropiane të fqinjësisë së mirë dhe mirëqenies qytetare. Politikat përjashtuese që promovojnë ndasi dhe përçarje mbi baza etnike janë politika të shekullit të kaluar, të cilat nuk kanë vend në të ardhmen evropiane të të gjithë rajonit. Këtë duhet ta kuptojnë sa më parë liderët politik të të dyja shteteve, ka thënë Krasniqi –menaxhere e programit të dialogut në KDI.

Sipas saj partitë politike nga të gjitha komunitetet duhet të kenë guximin të përballen me qytetarët në diskutime formale dhe jo formale, për të dëgjuar kërkesat e tyre duke ju përgjigjur direkt atyre dhe jo interesave të individëve të caktuar.

“Në kuadër të punës së saj, KDI përgjatë dy viteve ka punuar ngushtë me Kuvendin e Kosovës për të rritur transparencës e procesit të dialogut Kosovë-Serbi, për të promovuar një dialog të brendshëm në mes komuniteteve duke vënë në pah kërkesat e qytetarëve rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe problematikat në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të këtij procesi”.
“KDI ka qenë në të gjitha rajonet e Kosovës dhe ka biseduar me qytetarë të të gjithë komuniteteve ku nevoja për dialog të brendshëm politik dhe shoqëror është artikuluar në mënyrë të qartë. Gjë që do të vazhdoj të bëj edhe në 2 vitet e ardhshme, për të ndërtuar konsensusin e brendshëm shtetëror rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe perspektivën e qartë evropiane të Kosovës”.

Krasniqi pohon se dialogu është e vetmja mënyrë se si dy vendet mund të ecin përpara dhe se si politika e partitë politike mund t’iu ofrojnë garanci qytetarëve të të gjitha komuniteteve që jetojnë në tërë territorin e shtetit të Kosovës, mundësi për jetë më të mirë.

“Vetëm qasjet që promovojnë bashkëjetesën në mes komuniteteve në respektim të të drejtave të parapara me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës, mund të avancojnë të ardhmen e të dyja shteteve, dhe të ardhmen e të gjithë rajonit – mbi të gjitha mirëqenien e qytetarëve”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat