Haradinaj mbledh zv/ministrat, Dedaj i ankohet për shefin e tij

Aktuale

Haradinaj mbledh zv/ministrat, Dedaj i ankohet për shefin e tij

Më: 14 maj 2018 Në ora: 07:33
Mbledhja e zevendesministrave

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, që në mëngjes i ka mbledhur zëvendësministrat për të raportuar për punën e tyre.

Në takimin i cili filloi në orën 7:00 të mëngjesit, Haradinaj u tha zëvendësministrave se ata do të raportojnë çdo gashtë muaj në detaje, për punën dhe aktivitetet e tyre.

Ai u tha atyre se kanë përgjegjësi politike, qytetare, ligjore dhe kushtetuese.  Zëvendësministrave të cilët kishin dërguar raportet e tyre të punës, u tha se kjo është një dëshmi që secili prej tyre ndjen peshën e përgjegjësisë që ka marrë.

Haradinaj: Me raportu se çka mendoni që ka ndodhur fal angazhimit tuaj

“Pra mundeni me vazhdu këtë praktikën e raportimit të krejt dinamikave tuaja të punës, të aktiviteteve takimeve e të gjithave, por dikund ishte dashur me u gjetë njëfarë formule me shpjegu pastaj se në këta muaj të angazhimin tuaj, se çka është rezultati, çka mendoni ju që ka ndodhur fal jush në këtë rast, falë zv ministrit. Mundeni me fol dhe për suksesin e ministrisë në tërësi, çka ka ndodhur përmes ministrisë suaj për temat veç e veç, por ku mendoni ju që është rezultati juaj direkt ose konkret i punës suaj....Mirëpo që tani e këta 6 muaj nëse ju e keni vëmendjen tuaj, se çka ka ndryshuar prej juve, fal kontributit tuaj në sektorin tuaj. ..Nëse shkojmë në këtë frymë jam i bindur që ne në fund të këtij viti, do të mund të ua vërtetojmë jo vetëm atyre që na kanë dhënë besimin politik, por sidomos qytetarëve të vendit se angazhimi ynë i secilit do të jetë në dobi të qytetarëve”, tha ai.

Kryeministri Haradinaj po ashtu tha se nga raportet që ka pranuar, ka kuptuar që për këta muaj ka pasur angazhim konkret nga ana e zëvendësministrave.

Haradinaj: Ka pasur seriozitet nga të gjithë ju

“Unë sot vërtetë mundem me dëshmu se ka pasur një seriozitet të jashtëzakonshëm të gjithë juve. Edhe ju i kemi raportet të gjitha dhe të zvministrave të komuniteteve, çdo zvministri i kemi raportet. Shumica e këtyre raporteve flasin për angazhimet veç e veç. Çka ka ndodhur me angazhime. Psh mënyra e punës, ajo çka po na vyen tani dhe besoj që edhe ju bini dakord se do të bëhet, në fund të këtij viti, relativisht një vit pune edhe pse dikush është emëruar më vonë. Pra pas gjashtë muajve, një vit pune na nevojitet pos aktivitetit dhe angazhimeve t’i quaj ashtu narrative çka është efekti, çka janë rezultatet falë punës sonë veç e veç si zv ministra”, tha ai.   

Pas përfundimit të fjalimit të kryeministrit, mediat nuk u lejuan të qëndrojnë në takim, duke u pamundësuar marrjen e fjalimeve të zëvendësministrave.

***

Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, mëngjesin e sotëm ka pritur në takim pune zëvendësministrat në Qeverinë e Republikës së Kosovës, për të diskutuar rreth angazhimit të tyre institucional.

Kryeministri Haradinaj tha se nga raportet që ka pranuar, ka kuptuar që për këto muaj ka pasur angazhim konkret nga ana e zëvendësministrave, një dëshmi kjo që secili nga ju e dini peshën e përgjegjësisë.

“Ju e keni kuptuar përgjegjësinë kushtetuese që keni. Jemi në një periudhë që ka peshë për vendin, ku secili e ka rolin e tij / saj. Ju ftoj të jemi bashkë që të mos dështojmë drejt rrugëtimit tonë drejt familjes evropiane”, tha Kryeministri Haradinaj.

Më tej, kryeministri Haradinaj tha se sundimi i rendit dhe ligjit, njohjet e reja, gjendja ekonomike, arsimi, shëndetësia, mbrojtja, janë disa nga temat e ndjeshme dhe që kërkojnë shumë përkushtim, për të cilat kërkohet edhe angazhimi i gjithsecilit nga ne.

“Bëni përpjekje të komunikoni, të jepni nga vetja, që punët e mëdha që i ka vendi, të përmbyllen. Duhet ta përmbyllim me sukses këtë vit. Angazhimi juaj na ndihmon shumë”, tha Kryeministri Haradinaj, duke shtuar se nëse shkojmë të gjithë në këtë frymë, jemi të bindur që deri në fund të këtij viti, do t’i kemi efektet e angazhimit konkret.

Takimi i zëvendësministrave është i dyti i këtij niveli, i kërkuar nga Kryeministri Haradinaj. Takimi i radhës do të jetë pas 6 muajsh, për t’u përballur me rezultatet e matshme individuale.

Image
Mbledhja e zevendesministrave

Dedaj i ankohet për shefin e tij

Kryeministri Ramush Haradinaj i ka mbledhur zëvendësministrat e qeverisë së tij, të cilët në numër janë mbi 80.

Qëllimi i këtij takimi është pranimi i raporteve të punës së zëvendësministrave për punën e deritanishme.

“Kjo është një dëshmi që secili e ndjen peshën e përgjegjësisë, ju e dini që keni përgjegjësi ligjore kushtetuese. Raportet janë një raportim i aktiviteteve tuaja, këto janë dinamikat e juaj, kjo është dëshmi që ju keni hy në punë jeni në temën e juaj. Jam thellë i bindur se 6 muaj më vonë ju të gjithë jeni në temë, nëse ju e keni vëmendjen e juaj se çka ka ndryshuar prej juve, nëse shkojmë në këtë frymë jam i bindur se deri në fund vit do shohim ndryshime të tjera”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Ai ka shtuar se nevojitet seriozitet në punë dhe aktivitete të qarta për atë se çfarë është punuar.

“Ka pas një seriozitet të gjithë juve, na nevojitet aktivitet dhe angazhim narrativ se çka janë rezultatet e punës tonë si zv/ministra”, ka thënë Haradinaj.

Në fjalën e tij zv/ministri i Punëve të Jashtëm ka shprehur pakënaqësinë për siç ka thënë ai ka muaj që nuk komunikon me shefin e tij, ministrin Behxhet Pacolli.

“Unë kam vërejtje me komunikimin që kemi me Ministrin. Mund të themi që sot e gjashtë muaj nuk kemi asnjë komunikim. Unë ende nuk e di zyrën e ministrit tim”, ka thënë Dedaj, para se të largoheshin mediat nga salla ky po mbahet ky takim, me dyer të mbyllura.

* *  * *

Me fillim nga ora 07:00 është paralajmëruar të fillojë takimi i kryeministrit, Ramush Haradinaj me zëvendësministrat e qeverisë së tij.

Takimi është konfirmuar nga Qeveria e Kosovës, përderisa Haradinaj pritet të flasë lidhur me raportet e dorëzuar nga vetë zv/.ministrat për punën e tyre në ministritë përkatëse.

Ditë më parë Haradinaj ka pranuar shumicën e raporteve të kërkuara përderisa duhet përkujtuar që në Qeverinë e Kosovës janë të punësuar mbi 80 zëvendësministra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat