Hoti: Tryezat politike pa rezultate, tregon çfarë presin nga Vetëvendosje

Aktuale

Hoti: Tryezat politike pa rezultate, tregon çfarë presin nga Vetëvendosje

Më: 11 maj 2018 Në ora: 11:23
Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti

Gjatë ditës së sotme, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka mbajtur konferencën e rregullt javore.

Shefi i Grupit Parlamentar i këtij subjekti politik, Avdullah Hoti ka thënë se kjo konferencë është thirrur për tu diskutuar dy tema.

"Janë dy tema që do t’i prezantojë e para funksionimi i institucione dhe për tryezën politike. Qeveria e Kosovës është jo legjitime, nuk e ka shumicën në parlament dhe nuk mund të marr vendime. Kryeministri po e mashtron komunitetin goran për themelimin e një komune për ta por pa u konsultuar me komunitetin boshnjak. Kuvendi është jo funksional. Nga 24 seanca 20 janë shtyrë për mungesë kuorumi. Është humb çdo kontroll o Kuvendit mbi Qeveri", ka thënë ai.

Tutje ai ka folur edhe për dy tryezat politike të organizuara.

"Tryezat e partive politike i kanë dhënë mundësi dialogut për mos me thënë një qeveri jo funksionale. Qytetarët e Kosovës nuk duhet të qeverisen nga një qeveri jodemokratike. Presim që tryezën e radhës ta organizojë Vetëvendosja", ka thënë Hoti.

Komunikata e plotë për media:

1.     Institucionet shtetërore kanë humbur legjitimitetin demokratik dhe janë bërë jo funksionale

Qeveria nuk e ka shumicën në Kuvendin e Kosovës. Rrjedhimisht, Qeveria nuk ka legjitimitet qytetarë e demokratik. Vendimet e saj nuk janë legjitime dhe do të anulohen në Qeverinë e ardhshme. Ministrat marrin vendime mbi interesave personale, siç ishte rasti me vendimin e Ministrit të Bujqësisë, i cili vazhdon të jetë në Qeveri me gjithë akuzat për keqtrajtim të shqiptarëve gjatë luftës. Deputetët e koalicionit e kushtëzojnë Qeverinë me votën e tyre për të realizuar interesat e tyre politike. Kryeministri mashtron komunitetin goranë me themelimin e një komune të re, pa asnjë konsultim me komunitetin boshnjak dhe me shumicën shqiptare në Dragash.  Tre liderët e PAN-it janë marrë peng nga njerëz të tillë dhe rrjedhimisht mbajnë përgjegjësi.

Funksionimi i Kuvendit është vënë në pikëpyetje. Seancat nuk thirren me rregull dhe dështojnë për mungesë kuorumi. Nga 24 seanca që janë mbajtur deri më tani, 20 prej tyre janë shtyrë kryesisht për mungesë kuorumi. Mbledhjet e komisioneve dështojnë për mungesë kuorumi. Në mungesë të shumicës parlamentare, koalicioni qeverisës bllokon çështjet në Kuvend me mos pjesëmarrje në votim.  Ministrat dhe Kryeministri nuk paraqiten në seancë dhe në Komisione Parlamentare. Kështu që kontrolli demokratik i Qeverisë nga Kuvendi i Kosovës ka dështuar. Kështu funksionon vetëm një Qeveri totalitare.

2.     Tryeza e partive politike

Qëllimi i tryezës është dalja nga kriza politike përmes caktimit të datës së zgjedhjeve dhe dakordimit për punët që duhet të kryhen nga institucionet deri në zgjedhje në mënyrë që mos të ngecin reformat për integrim evropian dhe proceset e tjera të rëndësisë nacionale. Përmes këtyre tryezave, ne i kemi dhënë mundësi dialogut për të dalë nga situata, përpara se të përdorim veprimet e tjera për të mos lejuar një qeverisje jo legjitime.  

Por, duket se ambicia për pushtet e Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit po mbizotëron përpara interesit nacional dhe përgjegjësisë qytetare që duhet të tregojnë bartësit e institucioneve. Ta kenë të qartë se qytetarët e Kosovës nuk lejojnë qeverisje jo demokratike. Tryeza e ardhshme duhet të qartësojë gjithçka në këtë drejtim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat