Haradinaj: Çështja e pagave të mjekëve nuk shkon në pakufi

Aktuale

Haradinaj: Çështja e pagave të mjekëve nuk shkon në pakufi

Më: 10 maj 2018 Në ora: 15:30
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas takimit që zhvilloi me ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili tha se me qeverisjen e tij gjendja në shëndetësi ka ndryshuar për të mirë.

Sipas tij në Ministrinë e Shëndetësisë po bëhet punë e madhe me qëllim që t’iu jepet dinjiteti i merituar mjekëve.

Haradinaj: Gjendja në shëndetësi është ndryshe

“Sot mund të konstatojmë se gjendja është ndryshe në shëndetësi, pra veç ka shumë më shumë seriozitet, shumë më shumë dinamik besoj edhe rezultate. Por si rezultate të mirëfillta i marrin ato periudhat e veta kohore por do të arrijmë atje. Është për mua shumë me rëndësi me thanë që mjekët në përgjithësi në Kosovë, personeli mjekësor po ashtu janë heronjtë tanë, mirëpo edhe këtu bëhet një punë e madhe që atyre me iu dhënë edhe dinjitetin e tyre”, tha Haradinaj.

I pyetur për ngritjen e pagave  të  mjekëve, kreu i ekzekutivit u zotua se kjo çështje nuk do të shkojë në pakufi, duke u zotuar se vitin e ardhshëm do ndodh gjithsesi.

Haradinaj: Çështja e pagave të mjekëve nuk shkon në pakufi

Video “Çështja e pagave për mjekët dhe personelin mjekësor, ne u  jemi shumë borxh mjekësve dhe personelit mjekësor se na kanë respektuar edhe si Qeverisë sepse ata përpos ngritjes së zërit të tyre edhe zërit ta quajmë sindikal e pranuan edhe një dialog me ne dhe ne do ta respektojmë këtë dialog me ligjin për pagat, kategorizimi dhe të gjitha ato kuota do të jenë të respektueshme për mjekët dhe personelin mjekësor, pra nuk do shkon në pakufi kjo kohë, vitin e ardhshëm financiar gjithqysh”, u shpreh Haradinaj.

Kurse, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili tha se do i mbështesin  punëtorët shëndetësorë përmes ngritjes të pagave  dhe përmes një sistemi më të mirë të menaxhimit.

Ismaili: Do mbështesim punëtorët shëndetësor 

“U zotuam ashtu siç është edhe zotimi jonë qeveritar që do bëjmë zgjidhje në sektorin e shëndetësisë. Do mbështesim punëtorët shëndetësor me ngritje të pagave do t’i mbështesim me  një sistem më të mirë të menaxhimit do të mbështesim edhe kuadrot të cilat janë ashtu siç kemi bërë ditë më parë me specializantët të cilët i kemi mbështetur financiarisht. Pra jemi duke bërë hapa gradual por të vendosur dhe me fokus që shëndetësia në Kosovë në mandatin qeveritar tonë  të përmirësohet shumë dukshëm nga ajo që e kemi gjetur”, ka deklaruar Ismajli.

Ministri i Shëndetësisë  foli edhe për mungesën e barnave me ç’rast tha se MSH është në përfundim të një zgjidhje për furnizim me barna.

Ismajli: Jemi tek një zgjidhje përfundimtare?

“ Jemi në përfundim të zgjidhjes përfundimtare, pra jemi në përfundim të blerjes së barnave, kemi punuar edhe dje që ka qenë ditë pushimi, ka pasur këtu takime pikërisht për këtë punë pra që të ketë furnizim të rregullt, blerje të rregullt. Ajo është një pikë për të cilën them se kërkon një dedikim ditor deri sa të arrihet rezultati i cili unë jam shumë i bindur që do ta shohim gjatë javëve, muajve pak në fillim. Zotohem se do të bëjmë zgjidhje që barnat,  qytetarët mos të arrijnë me bë blerje siç bëjnë sot  ku ti hyn dhe del me një grusht barnash që ti duhet t’i sjellësh në spital për me bë një zgjidhje ”, tha Ismajli.

Haradinaj në Ministrinë e Shëndetësisë është takuar edhe me drejtorët e departamenteve në këtë Ministri ku i pranishëm ishte edhe drejtori i QKU-së Basri Sejdiu.

****

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka zhvilluar një takim pune me ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili. Haradinaj ka thënë se shëndetësia ka qenë tema e parë prioritare si fillim i punës së tyre si Qeveri

“Falënderoj ministrin që e ka marrë me seriozitet këtë punë. Gjendja është ndryshe sot në shëndetësi, personeli mjekësor dhe mjekët në Kosovë janë heronjtë tanë”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtuar se çështja e pagave për mjekët dhe personelin mjekësor do të rregullohet.
“U jemi shumë borxh atyre, me ligjin për pagat dhe rishikimin e buxhetit jemi duke shikuar që ta rregullojmë këtë çështje”, u shpreh Haradinaj.

Në anën tjetër ministri Uran Ismaili, theksoi se gjatë këtij u zotuan që do të bëjnë zgjidhe në sektorin shëndetësor

“Do të mbështesim punëtorët shëndetësor me ngritje të pagave me një sistem më të mirë të menaxhimit”, ka thënë Ismaili, duke theksuar se janë duke bërë hapa gradual që shëndetësia në mandatin e tyre të përmirësohet dukshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat