Selmanaj: Organizatat buxhetore janë mësuar të vjedhin mirë

Aktuale

Selmanaj: Organizatat buxhetore janë mësuar të vjedhin mirë

Më: 8 maj 2018 Në ora: 12:54
Forumi në lidhje me prokurimin publik

Driton Selmanaj, kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, në një forum ku u diskutua rreth prokurimit publik, tha se organizatat buxhetore janë mësuar mirë të vjedhin.

“Organizatat buxhetore në Kosovë janë mësu me vjedh mirë. Në letra jemi gjithçka në rregull”, tha Selmanaj.

Ai konstatoi se ndëshkimi nuk po funksionon sa i përket shkeljeve në prokurim.

Ndëshkimi s’po funksionon dhe përveç kësaj ka edhe mungesë të dijes, të ekspertizës”, tha Selmanaj.

Në forumin rreth integritetit dhe pandëshkueshmërisë në prokurim publik të organizuar nga Pro Open- Koalicionin për Hapje të të Dhënave dhe Llogaridhënie në Prokurim Publik, i pranishëm ishte edhe Besnik Osmani auditor i përgjithshëm në Zyrën Kombëtare të Auditimit.

Osmani tregoi se centralizimi i prokurimit publik po kushton më shtrenjtë.

“Qeveria rrezikon të pagujë rreth 2.8 milionë euro më shumë nga prokurimet e centralizuara. Në disa raste çmimet e Autoritetit Qendror të Prokurimit ishin më të larta se çmimet individuale të institucioneve publike.Nuk është bërë analizë e çmimeve”, tha Osmani.

Ndërsa Alban Hashani nga Instituti Riinvest prokurimin publik e konsideroi instrument për keqpërdorim të parasë publike.

“Në Kosovë prokurimi publik mbetet instrument për keqpërdorim të parasë publike në sektorin publik e privat”, tha Hashani.

Ai deklaroi se mosndëshkimi shkakton përsëritjen e gabimeve.

“Mungesa e ndëshkueshmërisë në prokurim publik i nxit sjelljet e tilla për të përsëritur gabimet”, tha Hashani.

Për Hashanin “lidhja e partive politike me prokurim publik po na kushton shumë”.

Për mosndëshkimin e shkeljeve në prokurim foli edhe Arton Demhasaj drejtor ekzekutiv në Organizatën Çohu.

“Mungesa e bashkëpunimit mes institucioneve ka ndiku që sot të mos kemi ndëshkim në shkeljet që bëhen në prokurim publik”, tha Demhasaj. Në këtë panel i ftuar ishte edhe kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi, por nuk ishte prezent.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat