Shtatë të lënduara nga aksidenti i djeshëm vazhdojnë qëndrimin në spitalin

Aktuale

Shtatë të lënduara nga aksidenti i djeshëm vazhdojnë qëndrimin në spitalin

Më: 6 maj 2018 Në ora: 15:33
Te lenduarat

Në repartin e ortopesë të spitalit të përgjithshëm të Pejës po vazhdojnë të qëndrojnë edhe shtatë gra të lënduar nga aksidenti i djeshëm me autobusë, i cili ndodhi në afërsi të këtij qyteti.

Kirurgu kujdestar, Gëzim Devolli  bëri të ditur se nga 32 të lënduarit, 25 prej tyre janë liruar, ndërsa, shtatë persona vazhdojnë të qëndrojnë të shtrirë për shkak të lëndimeve që kanë marrë.

Sipas tij, gjendja e pacientëve është stabile dhe shumë shpejt pritet që edhe ata të lirohen për në shtëpi.

Devolli: 7 pacientë vazhdojnë të qëndrojnë të shtrirë

"Gjendja sot është plotësisht nën kontroll  nga 32 pacientë të cilët kanë qenë dje në emergjencën e spitalit tonë për me kërkua ndihmë, 25 janë liruar, vetëm shtatë aktualisht janë të hospitalizuar dhe prej atyre shtatëve dy pacienta kanë fraktira të ekstremiteteve të poshtme, një pacient tjetër ka frakturë në ekstremitetin e sipërm dhe katër të tjerë trajtohen për shkak të ndrydhjeve të cilat kanë nëpër pjesë të ndryshme të trupit....Gjithë pacientët janë të shtrirë në repartin e ortopedisë... Gjendja e tyre është stabile, është trajtim i rregullt, shpresojmë që brenda një ose dy dite ata të gjithë do të lirohen në shtëpitë e tyre", u shpreh ai.

E lënduar në këtë aksident ishte edhe Advie Halili nga Ferizaj, të cilës saktësisht nuk i kujtohet si erdhi deri tek aksidenti.

Halili tregon se sot po ndihet me keq se dje për shkak se këmbën dhe dorën e ka të lënduar.

Halili: Sot jam më keq se dje

"Jemi zgjuar në mëngjes kemi pas qef me dal nëpër Kosovë me krejt gratë e Ferizajt edhe kena shkuar shumë mirë, kemi pas qef me ardh me hanger këtu në Pejë drekën edhe u kanë një kthesë e madhe u kon qatje nuk e di qysh po u quajke ai vend edhe nuk e di qysh kemi rënë veç e di që vetën vetë se kur kena ra i ka mshu autobusi një lisi....sot më keq jam sot dhimbjet më të mëdhaja... Këmbën e kam të thyer ndër gju dhe krahun e kam qitu të lënduar edhe kama sikur mu ka shtypur", tha ajo.

Në autobusin e aksidentar ishte edhe Rahime Shabani po ashtu nga Ferizaj, e cila po vazhdon ende të jetë të shtrirë në spitali. Ajo thotë se deri tek aksidenti erdhi si pasojë e shpejtësisë së madhe.

Shabani nga ky aksident ka lënduar brinjët, ndërsa, tregon se mjekët e kanë këshilluar që të vazhdojë me terapinë e përcaktuar.

Shabani: Autobusi e humbi drejtimin, ishte shpejt

"Ishim duke kaluar për me ardhë në Pejë dhe e humbi drejtimin, pak ke shpejt edhe në kthesë ishte njëherë duke u praptuar veç hyni me një si mal edhe një lisi pak....Brinjët të thyera jo, vetëm të shtypura... Po thonë me iu liru veç me marrë ende terapi", u shpreh Shabani.

Ndryshe, aksidenti i djeshëm sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur në orës 13:40 në rrugën Istog -Pejë, gjegjësisht në fshatin Jabllanicë e vogël, në vendin e quajtur ”Dydesh”.  Në këtë aksident ishte i përfshirë një minibus i tipit Iveco me targa të regjistrimit vendor dhe në të ishin gra të cilat ishin nisur në një eskuzion.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat