Komisioni i jashtëm nuk miraton platformën për dialog me Serbinë

Aktuale

Komisioni i jashtëm nuk miraton platformën për dialog me Serbinë

Më: 4 maj 2018 Në ora: 15:59
Komisioni për Punë të Jashtme

(E plotësuar) - Komisioni për Punë të Jashtme nuk e ka aprovuar platformën e Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë, pasi tri vota ishin për, derisa 6 ishin kundër. Megjithatë, kjo platformë do t’i shkojë seancës plenare me rekomandimin e këtij komisioni që të mos miratohet me përmbajtjen aktuale, për shkak se ka shumë mangësi.

Në shqyrtimin e kësaj platforme, deputetët e opozitës kritikuan ashpër atë duke thënë se ajo është shumë e dobët. Megjithëse, u pajtuan që për çështjen e dialogut duhet të ketë unitet politik dhe konsensus të gjerë.

Deputetja e LDK-së, njëherësh kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani, tha se dokumenti i Qeverisë është i dobët dhe injoron vërejtjet e opozitës të cilat kanë qenë krejtësisht parimore.

Osmani: Ky dokument injoron zërat opozitarë

“Çka na është prezantuar nëpërmjet këtij dokumenti është një injorim i tërësishëm i zërave të opozitës që sot përfaqësojnë shumicën dërmuese të votuesve dhe i vërejtjeve krejtësisht parimore që ne kemi pasur lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, siç janë temat që duhet trajtuar, kohëzgjatja, disa prej parakushteve që do duhej të plotësoheshin e deri tek institucionet që janë bartëse dhe kanë përgjegjësi të udhëheqin këtë proces, i cili do të definojë në të ardhmen jo vetëm raportet bilaterale mes Kosovës dhe Serbisë, por fatkeqësisht për shkak të gabimeve në hapa që janë bërë deri tani, në tërësi rrugën evropiane”, tha Osmani.

Ndërsa, deputeti i Grupit të Deputetëve të Pavarur, Dukagjin Gorani, ka kundërshtuar sidomos pikën 6 sipas të cilit kjo pikë e sjell Kuvendin para një akti të kryer dhe të nënshtruar, meqë thotë se Kuvendi konfirmon që presidenti është i autorizuar të udhëheqë dialogun.

Gorani: Kjo platformë nënshtron Kuvendin

“Këto nëntë pika janë të ndara në dy pjesë, katër pikat e para janë konstatime, totalisht arbitrare, për mua edhe të panevojshme. Ndërsa pesë pikat tjera janë imponime ndaj Kuvendit. Nuk do mend që imponimi kryesor dhe më problematik është pika e gjashtë, për të cilën është diskutuar edhe më herët, mirëpo forma e formulimit, që Kuvendi i Kosovës konfirmon që presidenti i Kosovës janë të autorizuar të zhvillojnë bisedime. Pra fakti që Kuvendi sillet në një pozitë të vulosësit edhe të një subjekti të subordinuar, nënshtruar është e pakuptimtë dhe e dëmshme”, tha Gorani. 

Edhe deputeti tjetër i Grupit të Deputetëve të Pavarur, Visar Ymeri, është shprehur se nuk duhet të bëjnë platforma pa e diskutuar dialogun e zhvilluar deri më tani.

Ymeri: Duhet të kemi platformë, por jo pa e diskutuar dialogun e deritashëm

“Kështu duke e pretenduar se deri tash ka qenë shumë mirë dhe të vazhdojmë me të njëjtën do ta bëjmë më keq edhe se që është, kjo nuk do të jetë zgjidhje, dhe eventualisht mbase edhe marrim ulëse në OKB si Bosnja, vetëm formalisht sepse si shtet nuk ekziston. Nëse duam ta parandalojmë këtë, e cila për mua është e parandalueshme pra nuk ka asgjë të pashmangshme atëherë duhet të përgatitemi që ta parandalojmë. Nëse mendojmë që gjërat do të shkojnë mirë pavarësisht nesh atëherë jemi duke gabuar rënd”, theksoi Ymeri.

Ndërsa, deputetët e pozitës e vlerësuan të duhur platformën e Qeverisë dhe kërkuan unitet për këtë çështje.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, theksoi se kjo platformë është bazë dhe duhet të kenë një konsensus nacional rreth kësaj çështjeje. 

Kadrijaj: Kërkohet unitet politik për dialogun

“Neve na nevojitet një unitet politik, kjo platformë është bazë, ne ka shumë kohë që kemi kërkuar që procesi të jetë transparent dhe ky dokument që është sjell tregon që Qeveria po kërkon një bashkëpunim por edhe transparence”, theksoi Kadrijaj.

Edhe deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, tha se presidenti duhet t’i përmbyllë bisedimet ashtu siç i ka filluar.

Reçica: Presidenti duhet t’i përmbyllë bisedimet

“Nëse bisedimet kanë filluar me një grup të unitetit të udhëhequr nga presidenti mendoj që është ideja më e mirë që ashtu të përmbyllen si të tilla. Pse po mendoj kështu, sepse me Kushtetutë presidenti përveç rolit ceremonial përfaqëson edhe unitetin e shtetit. Në kuadër të kësaj pavarësisht se kush është dhe kush ka qenë, mendoj që është ide e mirë dhe ne e mbështesim që të jetë në krye të ekipit për t’i përmbyllur këto bisedime”, u shpreh Reçica.   

Deputeti i Nismës Socialdemokrate Zafir Berisha tha se kjo platformë nuk e qartëson dhe nuk i jep kuptim seriozitetit të çështjes, porse është një radhitje fjalësh të dëgjuara tash e sa vite. Madje, sipas tij, në këtë platformë ka një tejkalim të përgjegjësive kushtetuese, pasi Kosova është shtet parlamentar, dhe Parlamenti si organi më i lartë duhet të jetë në ballë të zgjidhjes përfundimtare për këtë çështje.

Derisa, deputetja e LDK-së Doruntinë Maloku u shpreh se LDK e ka potencuar që ky dokument ka tepër mangësi dhe vërejtjet e veta do t’i japë me anë amendamenteve në seancën plenare gjatë diskutimit. 

****

Komisioni për Punë të Jashtme nuk e ka miratuar platformën e Qeverisë për dialogun me Serbinë. Vetëm tri vota ishin për derisa 6 ishin kundër.

Kjo platformë do t’i shkojë seancës plenare me rekomandimin e Komisionit që të mos miratohet me përmbajtjen aktuale.

Në shqyrtimin e kësaj platforme deputetët e opozitës kritikuan ashpër atë duke thënë se ajo është shumë e dobët.

Deputeti i grupit të deputetëve të pavarur, Dukagjin Gorani tha se edhe ky dokument është përgjithësues sikurse dokumentet tjera të Qeverisë.

Gorani ka kundërshtuar sidomos pikën 6 sipas të cilit e sjellë Kuvendin para aktit të kryer, meqë thotë se Kuvendi konfirmon që presidenti është i autorizuar të udhëheq dialogun.

Ndërsa deputetja e PDK-së, Evgjeni Thaçi-Dragusha, e quajti përfshirëse platformën e Qeverisë. Ajo theksoi se spektri politik duhet të jetë unik në këtë temë të rëndësishme.

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha tha se kjo platformë nuk e qartëson dhe nuk i jep seriozitet çështjes së dialogut.

Deputetja e LDK-së, Doruntinë Maloku tha se vjen turp që Qeveria e ka sjellë një dokument të tillë për një proces si dialogu.

Sipas saj, LDK e ka potencuar që ky dokument ka tepër mangësi dhe vërejtjet e veta do t’i jap me anë amendamenteve në seancën plenare gjatë diskutimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat