Kimete Berisha: Të humbur në Kosovë!

Aktuale

Kimete Berisha: Të humbur në Kosovë!

Nga: A.M. Më: 2 maj 2018 Në ora: 21:01
Kimete Berisha

Publicisjta e njohur, Kimete Berisha përmes një shkrimi në profilin e saj Facebook ka komentuar zhvillimet e fundit në vend.

Gjithashtu, ajo ka komentuar edhe kritikat e përfaqësues së Bashkimit Evropian në Kosovë Natalya Apostolova, për numrin e zëvendësministrave.

Postimi i plotë:

Të humbur në Kosovë!

1. Ishin tubu n'katun te Samia, gjithë ai mashkull secili ma zhvillë se tjetri, ishin fsheh prej diellit, nën hije, si burrat e Çajupit, pika që s'u bie, loznin e kuvendonin.

Marrja e Zotit me shku m'u tubu kry' m'kry, e me ba reklama t'gëzimit n'këtë situatë. Bëhen edhe gëzime në kohë hidhërimesh, çojnë njerëzit dashni e duhen bile edhe më shumë në kohë lufte, ama e bëjnë me një perde.

Kryetari e Kryeministri e ministra e bandita tjerë, ishin tubu n'bahçe t'babës (rast ideal me pas dikush që ju kish hy shllaf), rreth tavolinës së Sami Lushtakut, rreth shishes (ku e kishin gjet atë shishe) sa tinari e madhe të verës së kuqe, e pinin e duheshin e shkriheshin e oh e uh e ih...derisa policët i kanë të zhdukur e s'dihet as s'di kush me tregu çka u bë me ta.

Plus nuk pihet vera e kuqe në pikë të diellit.

Kryetar, Kryeministër, ministra të pagdhendun, shumë të poshtër dhe ordiner në poshtërsinë e tyre. S'është puna te poshtërsia, se gati krejt njerëzit pak a shumë janë të 'poshtër', ama puna është te njëfarë morali që duhet me aktru edhe kur nuk e ke, ti mundesh mos me qenë njeri i mirë, askush s'po t'imton të jesh, por duhesh me fsheh kur s'të bën zemra vërr për dhimbjen e të tjerëve.

'Mu?ki logor' siç thotë mafiozi serb i pjesës veriore të Kosovës, shoku i ngushtë i Ramush Haradinajt, Millan Radoji?i?.

Asnjë femër, as për ilaç, në tavolinë.

Kadri Veseli me mëngë të shkurta dukej zaif, po më i lumtur se lumturia. I kënaqun me këtë jetë.

Prej se ja ka falë 'spiunazhin' Ramushit, kur i ka pas tregu ky i fundit David Philipsit se SHIK-u në krye me Kadri Veselin bëjnë kontrabandë me serbët në veri, e ka përmend bile edhe prostitucionin...

Me qenë si Kadriu kurrë s'ja kisha falë...as s'isha hakmarr, e kisha lan vjerrë...

Po. Edhe femra ka pas aty afër tavolinës, jashtë kamerës, po ato kanë qenë tuj gatu me ua rras gushat tërrpisë, se kjo vera e kuqe lyp me hëngër, e kur e pin kush që të ngin s'ka.

...ministresha e ambientit, po, ka mujt me qenë e pranishme aty, po ajo është tuj doktoru, pasi ka zbuluar diçka që s'është ditur deri më tani nga shkenca. E ka zbuluar se, 'në këtë jetë më i rëndësishëm është uji, toka dhe ajri'. Zoja Reshitaj ende nuk e ka bërë renditjen e këtyre tri elementeve sipas rëndësisë. A më i rëndësishëm është ajri apo uji, ndoshta toka është më e rëndësishme, mbetet të vendos ajo.

Nëse më pyet mua, nuk i kisha nda hiç, por ajo si zbuluese e ka parasysh bylbylin që jeton pa tokë...

...plus që as pa gjumë nuk jetohet..e kam provu me kurriz, vet kur kam fjetur në fletë gazete në qiell të hapur, në tokë, armiku serb gjuante në drejtim tonin, i dëgjonim plumbat e krismat gjithë natën, dikush vritej, dikush ikte, dhe dikur aq u lodhëm sa krisma e plumbave na vuri në gjumë.

Gjumi është më i ëmbël se shpirti, e them nga përvoja personale.

Prandaj shpresoj se Zoja Reshitaj e përfshinë në 'gjërat' më të rëndësishme në jetë, gjumin, menjëherë pas ujit.

2. Shefja e zyrës së BE-së, Apostolova sot ka marrë guxim t'i tregojë Ramushit, se ka shumë zëvendësministra. Por, Ramushi e di që janë shumë zv.ministra, edhe pa i treguar Apostolova.

Neve na duhet një sheficë e kfjelltëve BE-së që ia bën me tybe Ramushit, e jo si kjo shefe që i konstaton gjërat që i dinë të gjithë, e edhe Ramushi i cili vet e ka pranuar nuk di gjë.

3. Ramushi po i përforcon lidhjet me serbët, të cilët ia zbuluan varrin e babgjyshit të tij në Beograd. SHIK-u nuk e ma ditur këtë fakt të vdekur, se ata të SHIK-ut e kanë shtri perimetrin e hetimeve vetëm

rreth ushkurit, ata kanë pasur informata veç për lidhjet erotike mes njerëzve e jo edhe për varre, kujt i ka shku mendja se edhe varri ka farë vlere, e mund e zbulon karakterin e njeriut.

4. Në anën tjetër, Edi Rama po i forcon raportet me Erdoganin. Ma flladiti zemrën kur i tha dje David Phillipsit 'Kqyri ti punët t'ua', a shkoj unë në dasma të Erdoganit, a jo, kjo është puna ime.

Dhe, na ftoi të mos i frikësohemi Erdoganit. Se edhe Maxim Gorku ka menduar njësoj si unë tash që mendoj se s'mund të jetë njeriu vetëm 'i keq' apo vetëm 'i mirë'. Nëse Erdogani për gylenistët është 'i keq', për pavarësinë e Kosovës është 'i mjrë'. Kështu funksionojnë këto gjana.

Neve na intereson se a u gëzu a jo Erdogani për pavarësinë e Kosovës, s'na intereson neve më shumë...(e pashë një ditë në Gërmi një grua të vjetër, turke, e mbuluar me shami e mantel, që voziste bicikletë, dhe menjëherë e mora për gyleniste ????).

David Philipsi, (shoku i Vetonit, të cilit ende nuk i kam kërkuar falje kur në vitin 2010 me shkrimin 'Armiku publik i Kosovës' pati deklaruar publikisht se e kam lënduar), në raport me Edi Ramën u zbulua rrens, sepse ka thënë se Edi Rama ka vallëzuar në kanaxheqin e vajzës së Erdoganit, po Edi Rama e zbuloi se nuk di të vallëzojë, prandaj s'ka pasur se si të vallëzonte, kur nuk di të vallëzojë.

Mirë e ka Edi Rama, ne nuk kemi 'shokë' për të humbur dhe nuk e kemi luksin t'i zgjedhim shokët. Nëse vjen puna siç thotë Ramushi 'stani-pani', prej zori edhe ujkun duhet ta bëjmë dajë.

5. Por apet më mirë është me dasht, se me ditë. Se, me ditë, di gjithkush, e me dasht gati askush. Me pas ditë Lulzim Basha, më keq i kish pas puntë. Për aso dashurie pa kushte, malli m'ka marrë, hajr ishalla...

Dashuria e pakusht e Sali Berishës për Lulzim Bashën, për të cilin e jep partinë, është shembulli më i mirë se kur të do dikush hakikat, të do, pa marrë parasysh çka e ke. E kur nuk të do dikush, qet kërrname, gjen arsye të paarsyeshme.

Unë besoj në dashuri ekstreme, kur edhe atdheun, edhe shpirtin e trupin e jep për dashuri, se për pasuni mos të flasim, kuptohet që pasuria jepet e para, para luleve.

6. Kush e ka shkruar 'Emri i trëndafilit' i pyeta do studenta sot ke oborri i filologjikut, derisa po kaloja andej e ata më përshëndetën me emër. Asnjëri nuk e përmendi Umberto Econ. Por, më thanë, 'pyetna ku po i kalon pushimet Marina me Getin, ose eventualisht edhe Majku e dimë ku është momentalisht'.

'Nanën ja kajsh' më erdh mërzi pse nuk e ditën 'emrin e trëndafilit', por ama e ditën emrin tim.

A lexojnë shqiptarët?

Nuk është e vërtetë se nuk lexojnë, lexojnë shumë, por preferojnë vetëm autorë të gjallë dhe të atillë që nuk e zgjasin shumë muhabetin.

Si duket ka kaluar koha kur shkrimi e mbijeton autorin. Sido që të jetë, punë e madhe, çka ndodh kur ti më nuk je.

7. Aktorit nga Gjakova portal/gazeta veç çka s'ja kish futur kamerat në gropë të varrit. Gjynah. Fytyrën e vdekur zbuluar portalit, pa njerëzi, pa keqardhje, pa sens, pa kulturë.

Me të vdekurit luan si të duash. Të drejta i vdekuri nuk ka në një vend ku askush i gjallë as nuk i lyp më të drejtat e tij, aq shumë që ka humbur besimi në drejtësi.

Qysh i thonë kësaj pune, këtij njeriu që tregton me fytyra të vdekura!

Monstrum i thonë.

8. John Lennon viteve të shtatëdhjeta ankohej me nervozizëm ndaj shtypit anglez, në TV intervista, në prezencën e gruas së tij Yoko Ono, shkaku se gazetat britaneze kishin shkruar me të madhe se ai Yoko Ono ishte grua 'e shëmtuar'. John Lennon, i habitur me pashpirtësinë e gazetave dhe me diskriminimin e lookismin e tyre, thoshte po kjo që shkruani ju s'është njerëzore 'mua më duket e bukur', 'nuk është e shëmtuar'.

Pra, mediat angleze kanë qenë primitive dhe diskriminuese, shumë dekada para nesh. Ne tash krejt vonë jemi bë të poshtër dhe ua kemi shkuar të gjithëve.

9. Millan Radojicici ia kish kujtu dje Ramush Haradinajt kohën kur pasanikët shqiptarë i blenin brekët speciale serbe të dedikuara për shtatë ditë të javës, brekë këto që i ka gëzu veç naj zingjin: brekët me mbishkrimet në ballë të brekëve: 'ponedeljak', 'utorak', 'sreda'...'?ervrtak', 'petak' e kështu me radhë, secila ditë i ka pasur brekët e veta me emër. E tash, ka ardhur dita që shqiptari i pasur veç një herë i mbath çorapat dhe i gjuan ato nga xhami i mercedesit.

10. Për çdo ditë po përparojmë, po ecim përpara, përveç bindjet tona kanë mbetur të njejta. Populli që për idiomë e kultivon thënien 'Çka humbt mos u gjett', nuk gjen dot asnjë të vërtetë. Deputetët u larguan nga salla e Kuvendit atë ditë kur u dasht të votojnë për të kërkuar të 'pagjeturit', e këtë gjest kaq të shëmtuar as armiku nuk e bën....ndërsa policët e pagjetur në Lepenc veçse i kanë shpallur 'të zhdukur'.

11. Ku shkojnë njerëzit e zhdukur?

Jo rastësisht e kaluara jonë është e zhdukur, e humbur, e pashkruar dhe e padokumentuar. Ne jetojmë sot për sot, prandaj jemi të lumtur, sepse asgjë nuk mbajmë mend.

Ndoshta ne e kemi zbuluar lumturinë. Lumturi do të thotë m'u kënaq, me hangër me pi, me jetu sot për nesër, mos m'i dhënë shumë zor, me prit prej Zotit veç gjëra të mira dhe me harru të kaluarën, e cila (siç ka thënë madhe edhe Balzaku) është shkaku kryesor pse njeriu është fatkeq.

P.S. Kur herët në mëngjes e hapa dritaren e dola në penxhere, asgjë nuk dëgjohej përveç takave tak-tak të grave që nxitonin për të arritur me kohë në punë dhe dëgjohej kënga e zogjve.

Askush s'bën zhurmë më shumë se ne dhe zogjtë, dhe askush më pak nuk dëgjohet se ne.

Ndoshta sepse, sikurse zogjtë, që tha poeti, këndojnë bukur por gjithmonë të njejtën këngë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat