Dështon miratimi i rezolutës për të zhdukurit, Veseli me propozim për deputetët që munguan

Aktuale

Dështon miratimi i rezolutës për të zhdukurit, Veseli me propozim për deputetët që munguan

Më: 27 prill 2018 Në ora: 10:36

(E plotësuar) - Pas disa orëve debat, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të miratoi rezolutën e propozuar rreth zbardhjes së fatit të personave të zhdukur në luftën e fundit. Kjo për faktin se nuk pati kuorum, meqë në sallë nuk ishin të pranishëm 61 deputetë, aq sa nevojitën për të mundur të votohet kjo rezolutë.

Rezoluta, u la të votohet në seancën e 3 majit, kur është planifikuar të mbahet seanca plenare e radhës.

Pikat e rezolutës

1. Të bëhet zbardhja e fatit të personave të zhdukur me forcë bazuar në të drejtën ndërkombëtare, përfshirë konventën e Gjenevës të vitit 1949 dhe në protokollin shtesë numër 1 1977. Zbardhja e fatit të personave të zhdukur me forcë të vendoset si parakusht në dialogun Kosovë-Serbi dhe të bëhet pjesë e platformës shtetërore për dialogun!

2. Institucionet e autorizuara për dialog duhet t’i raportojnë Kuvendit dhe komisioneve përkatëse për çdo takim me palën serbe!

3. Subjektet bartëse të politikës parlamentare dhe politikës së jashtme të Kosovës në agjendat e takimeve me përfaqësues të OKB-së dhe BE-së dhe shteteve me ndikim në marrëdhëniet ndërkombëtare të fokusojnë me prioritet zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me forcë dhe për zbatimin e pikave të rezolutës ta njoftojnë Kuvendin e Kosovës.

4. Të gjithë bartësit e detyrave në bazë të pikave të kësaj rezolute të qasen në mënyrë të veçantë në dialogun me Serbinë të zbardhjes së fatit të Ukshin Hotit për shkak të rrethanës së zhdukjes së tij, të planifikuara nga strukturat komanduese të shtetit serb, përfshirë drejtorin e burgut të Dubravës në Istog dhe Ministrinë e Drejtësisë së Serbisë.

 5. Qeveria e Kosovës të finalizoj deri në fillim të muajit qershor 2018 koncept dokumentin e personave të zhdukur dhe të procedoj ndryshimin e ligjit për persona të zhdukur, gjegjësisht bazës ligjore dhe të njëjtin ta procedoj në Kuvend!

6. Qeveria të trajtoj me prioritet funksionalizimin e regjistrit qendror të personave të zhdukur, përfshirë edhe versionin elektronik me mundësinë e digjitalizimit me qëllim qasjen e publikut dhe rritjen e transparencës!

7. Qeveria të angazhohet që të lidh marrëveshje mirëkuptimi me Qeverinë e Serbisë për të ashtuquajturën ndihmë juridike ngjashëm me marrëveshjen që ka bërë Serbia me Bosnjën dhe Kroacinë!

8. Institucionet kompetente të Kosovës të angazhohen dhe të padisin Serbinë si përgjegjëse kryesore për personat e zhdukur duke përfaqësuar familjarët individualisht ose si grup në instanca ndërkombëtare!

9. Qeveria obligohet të realizoj projektin për shfaqjen e të dhënave të të zhdukure tek përmendorja e jashtë objektit të kuvendit dhe të përfundoj puna në memorialin në Meje të Gjakovës deri në fund të vitit 2018!

 10. Të ngritën kapacitetet institucionale të vendit për t’u marrë plotësisht me personat e zhdukur me forcë!

11. Të hartohet dhe procedohet projektligji i cili mundëson gjykimin e të akuzuarve për krime lufte në mungesë!.

Veseli propozon që t’u hiqen mëditjet deputetëve

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, pas dështimit për ta votuar rezolutën për personat e pagjetur, theksoi se duhet t’iu ndalen mëditjet deputetëve të cilët janë nënshkruar dhe nuk kanë qëndruar në seancë.

Ai tha se në sallë janë vetëm 56 deputetë, derisa në listën e nënshkrimeve për mëditje, ishin mbi 90 deputetë të nënshkruar.

Megjithatë, vendimin për t’ua ndalur mëditjet, do ta marrë Kryesia e Kuvendit, pasi Veseli tha se nuk dëshiron të marrë vendime arbitrare, ani pse ai ishte pro kësaj ndaljeje.

Disa deputetë thanë se nuk duhet ndalur mëditjet, jo për faktin e parave, por për shkakun se një numër i madh kanë qëndruar në Meje ku janë përkujtuar të rënët e masakrës së Mejës, e shumë tjerë po ashtu i kanë përkujtuar të rënët në masakra tjera.

Image

Bekim Haxhiu: Institucioneve u duhet përkrahje në zbardhjen e rasteve të të pagjeturve

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu,  kërkoi nga hartuesit e rezolutës së të pagjeturve që të hartojnë një pikë të vecantë për mbështetjen e mjekësisë ligjore, identifikimin e mbetjeve mortore dhe ruajtjen e mbetjeve mortore që kanë mbeur edhe nga luftrat e kaluara.

Ai tha se në mjekësinë ligjore të Prishtinës ka mbetje mortore të luftrave të kaluara të cilat janë gjetur gjatë gërmimeve dhe të cilat nuk kanë arrritur të identifikohen, prandaj ai kërkoi që të përkrahet ky institucion që në të ardhmen të mos ndodh e njejta gjë me mbetjet mortore të luftes së fundit.

Haxhiu tha që çështja e të pagjeturve u takon të gjihëve dhe bashkërisht duhet të punohet në zbardhjen e rasteve

Haradinaj - opozitës: Sivjet nuk ka zgjedhje, mos i jepni zor

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj ka kërkuar nga gjithë deputetët e Kuvendit që t’i thonë “PO” rezolutës për të pagjeturit. Madje, Haradinaj ka propozuar që familjet e kësaj kategorie të kenë edhe një ndihmesë shtesë financiare.

“… kisha kërku që ta riamandamentojmë ligjin sepse familjet e të zhdukurve kanë problem financiar. Por të paktën institucionet t’i trajtojnë në mënyrë meritore e mos të kenë plagë shtesë edhe në atë ekonomike”, ka thënë ai.

Haradinaj i është drejtuar partive opozitare që të jenë më sy hapur sa i përket çështjes në fjalë. Sipas tij, zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë këtë  vit.

“Kthejeni gishtin aty ku është përgjegjësia. Duhet me qit kushte në bisedimet me Serbinë, nuk duhet mu ndal deri në fund, deri te qytetari i fundit i zhdukur, pavarësisht etnie. Sivjet s’ka zgjedhje, mos i jepni zor”, është shprehur deputeti i AAK-së.

Musliu ironizon me Haradinajn: Emëroi edhe 22 zv/ministra që merren me Kuvendin

Në seancën kur po diskutohej lidhur me fatin e të pagjeturve deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu e ka shfrytëzuar rastin të bëjë një kërkesë jashtë kësaj teme. Ajo ka kërkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj që të shtohet numri i zëvendësministrave.

“Kam një kërkesë për kryeministrin Ramush Haradinaj. Në mesin e atyre 100 zëvendësministrave që i ke emëruar, që bashkë i kemi emëruar, dhe shtoj edhe 22 zëvendësministra që të merren me Kuvendin e Kosovës, që të na dëgjojnë sepse nuk po keni kohë për të na dëgjuar”, ka thënë Musliu.

***

Po vazhdon seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku po diskutohet për të pagjeturit.

Seanca ka nis me 10 deputetë.

Polemika të ashpra mes deputetes së Listës Serbe dhe të Nismës, Musliu: Ta ndalim këtë paturpësi të Qeverisë

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për mos prezencë në seancën e Kuvendit ku po debatohet për personat e pagjetur.

Ajo i kërkoi kryeministrit Ramush Haradinaj, që atyre 200 zëvendësministrave, t’ua shtojë dhe 22 tjerë që të merren me Kuvendin dhe të jenë prezentë aty kur mbahen seanca.

Musliu u shpreh e zhgënjyer që është pjesë e këtij Kuvendi, kur fyhet nga Qeveria kaq shumë.

Musliu: Qeveria po na ofendon

“E them me sinqeritetin me të madh që sot kur po diskutojmë për një temë kaq të ndjeshme ndihem e turpëruar që jam pjesë e Kuvendit, pjesë e këtyre institucioneve. Kisha një kërkesë direkte për Qeverinë Haradinaj, zotëri kryeministër të kisha lutur shumë që atyre 200 zëvendësministrave që kemi emëruar bashkërisht shtoj edhe 22 zëvendësministra të cilët do të jenë përgjegjës që të merren me Kuvendin e Kosovës, meqë ju asnjëherë nuk po keni kohë të na dëgjoni, nuk po keni kohë asnjëherë të na jepni përgjigje si deputetë dhe thjeshtë na injoroni deri në pafundësi. Ka ardhur momenti i fundit që Kuvendit t’i kthehet dinjiteti, e dinjiteti i kthehet vetëm përmes neve si deputetë. Thjeshtë mos ta durojmë këtë paturpësi e cila po ndodh dhe këtë ofendim që duke na u bërë nga Qeveria e Kosovës. Ata të cilët ne i kemi votuar”, tha Musliu.

Ajo tha se ka pasur shumë pyetje për ministrat e Qeverisë në këtë seancë, por që asnjëri nuk është për t’i kthyer përgjigje.

Musliu: S’jemi të denjë të shkruajmë historinë

“Sot kisha dashur ta shoh sallën plotë me deputetë, fatkeqësisht nuk janë, sot kisha dashur të shoh edhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, ambasadorë të vendeve që janë në Kosovë. Sot ky debat më së paku i ngjanë një debati të do të duhej të ndodhte. Sot ne treguam histori, nuk jemi ne të denjë të shkruajmë historinë, dikush tjetër duhet të merret me të”, tu shpreh ajo.

Ajo shprehu indinjatën edhe me deputetët kolegë të saj për mos prezencën e tyre në sallë për këtë debat..

Tahiri: Serbia, adresa e vetme për gjetjen e personave të zhdukur të Kosovës

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se adresa e vetme për të zbardhur fatin e të pagjeturve është Serbia- sepse ajo ka të dhënat për personat e pagjetur.

Sipas tij, kjo për faktin se sistemi serb i drejtësisë ka qenë pjesë e kryerjes së këtyre veprave.

Tahiri ka treguar edhe për nismën që kanë ndërmarrë për të dërguar nota verbale te shtetet e fuqishme për t’i bërë presion Serbisë deri në gjetjen e këtyre personave.

“Ka një adresë konkrete ku duhet të kërkohen të dhëna për fatin e këtyre personave dhe kjo adresë pa dyshim se është Serbia. Janë organet e saj të ushtrisë dhe drejtësisë të cilat në mënyrë direkte kanë qenë pjesë e kryerjes së këtyre veprave. Pra, kanë pasur dhe kanë njohuri dhe të dhëna për peronat që neve na mungojnë. Prandaj, ne konsultim me komisionin shtetëror dhe me familjarët e të pagjeturve jemi duke përgatitur një seri notash verbale ndaj vendeve me të fuqishme evropiane dhe me gjerë për të kërkuar që kjo temë, të jetë temë e diskutimit në çdo takim formal e jo formal ku është e pranishme Serbia që të bëhet presion i vazhdueshëm deri në gjetjen e këtyre personave”, tha Tahiri.

Kreu i drejtësisë kosovare shtoi se janë për paqe me shtetet e rajonit, por, tutje sipas tij, pa u zgjidhur çështja e të zhdukurve nuk mund të jenë të qetë dhe nuk mund të rrinë indiferent.

Ministri Tahiri këto deklarata i ka bërë në seancën që Kuvendi i Kosovës po mban me pikën e vetme të rendit të ditës, diskutimin për personat e pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë. 

Në seancën që Kuvendi i Kosovës po mban për ditën e të pagjeturve, është zhvilluar një debat në mes të deputetes nga Lista Serbe, Jasmina Zivkovic dhe deputetes nga Nisma Socialdemokrate, Albulena Balaj-Halimaj

Deputetja Zivkovic ka thënë se kjo temë po bëhet më shumë politike, në vend se të orientohet nga njerëzorja. 

Ndaj kësaj reagoi Balaj-Halimaj duke thënë se çështja e të pagjeturve nuk është politikë, por historia mbi të cilën u ndërtua shteti i Kosovës.

Zivkovic: Tema e të pagjeturve është bërë politike

“Kjo temë është bërë më tepër politike dhe krejt kjo po orientohet në anën e kundërt të asaj që është njerëzore dhe për fat të keq sot me shumë kemi bankat e zbrazëta në vend se të ishin plot. Pra, këtu është njëfarë mënyrë janë kidnapuar këta civilë, njëra palë pse janë shqiptarë, tjetra palë pse janë serbë. Është e nevojshme pas gati 20 viteve dhe besoj se me kuptojnë edhe familjet e të pagjeturve, se sot nuk duhet të flas si politikane dhe t’i fyej familjet e të zhdukurve, por ato të me kuptojnë se është koha që së bashku t’i kërkojmë nga të gjithë që me në fund që të dilet në vërtetë pasi është e njohur e vërteta, nuk është e fshehtë ajo, vetëm se nuk është dal ajo e vërtetë”, u shpreh Zivkovic.

Ajo tha se rezoluta e përgatitur për këtë seancë është e njëanshme.

Ndaj deputetes serbe, reagoi deputetja e Nismës Socialdemokrate të Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj, duke i thënë asaj se kjo nuk është politikë, por është histori mbi të cilën është ndërtuar Kosova.

Balaj-Halimaj: S’ka politikë këtu, ka histori

“Këtu nuk ka politikë, këtu ka histori, Kosova është ndërtuar mbi një histori të madhe dhe shumë të dhimbshme. Ju po mundoheni t’i barazoni viktimat dhe mos u viktimizoni se nuk janë të njëjta. Nëse jeni vërtetë të interesuar të punoni në këtë temë atëherë edhe ju si Listë Serbe ushtroni presion tek institucionet tuaja në Beograd që të na ndihmojnë dhe bashkë t’i gjejmë këta persona”, theksoi Halimaj.

Reagoi përsëri deputetja Zivkovic, duke përsëritur se kjo temë është bërë politike.

Zivkovic: Po e ripërsëris që kjo temë u shndërrua në çështje politike

“Për fat të keq ta them prapë që kjo çështje me shumë është politizuar sepse edhe pas 19 vjetëve të mos vije deri tek e vërteta nuk mund të interpretohet ndryshe pos si politike. Çështja e dytë ndarja e viktimave, për mua është me tepër se diskriminim, me shumë se fyerje, sepse viktimat e kidnapuara dhe të zhdukura janë krejtësisht të njëjta”, shtoi ajo.

Deputeti i NISMA-s, Milaim Zeka tha sot në seancën parlamentare se pajtohet me deputetin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, kur tha se çështja e t ë pagjeturve po përdoret si fasat mes dy qeverive asaj serbe dhe kosovare.

“Kam menduar që sot në këtë seancë do të flasim për mos punën e delegacionit tonë në Bruksel për çështjen e të pagjeturve sepse unë mendoj që është bërë një punë shumë e vogël dhe pajtoj me Albin Kuritin që tha që kjo çështje është përdor si fasada në mes të dy qeverive. Nuk kemi çka të bisedojmë me palën serbe kur ata luajnë me kufoma tona”, tha Zeka.

Ai gjatë fjalës së tij iu drejtua edhe deputetes Jasmina Zizkovic, duke i thënë se pikërisht ajo duhet të e ngrit çështjen e të pagjeturve në takimet me Vuqiqin, në Beograd.

“E dashur Jasemina një fjalë e urtë suedeze thotë që dy shalqi nuk mundesh me i mbajt me njërën dorë. Nuk mundeni ju kry në Beograd e pjesën e trupit në Prishtinë. Ju duhet të ngrini çështjen e të pagjeturve në Beograd, ju personalisht që paske pas tragjedi familjare”, tha Zeka. 

Qaushi: Pushtetarët po e përsërisin gënjeshtrën për të pagjeturit

Debati për të pagjeturit po vazhdon në Kuvendi e Kosovës, ku në emër të Grupit të Pavarur të Deputetëve, Driton Qaushi, akuzoi pushtetarët se po përsërisin gënjeshtrën e përvitshme se të pagjeturit janë prioritet i tyre.

Qaushi: Pushtetarët po e përsërisin gënjeshtrën e përvitshme se të pagjeturit janë prioritet

“Sot është shumë më lehtë të flasësh për këtë temë për faktin se përballë nesh nuk janë  familjarët, nënat, prindërit, fëmijët e të pagjeturve dhe për faktin se nuk jemi pjesë e një talljeje tradicionale institucionale në cirkun që quhet homazhe e ku nga pushtetarët përsëritet çdo vit gënjeshtra se të pagjeturit janë prioritet ynë, se ata do të jenë prioritet në dialogun e Brukselit, e se përgjegjësit do të dalin para drejtësisë”, theksoi Qaushi.

Qaushi shtoi se familjarët e të pagjeturve kanë një dëshirë të vetme, të mos vdesin pa i gjetur me të dashurit të tyre.

Ai ka përmendur edhe të pagjeturit që janë nga komunitetet jo shqiptare, sepse sipas tij, të zhdukurit nuk duhet të ndahen.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, theksoi se plagët nga lufta janë ende të hapura, duke qenë se ende vazhdojnë të mbesin qytetarë të Kosovës të pagjetur.

Reçica: Plagët e luftës janë ende të hapura

“Debati i sotëm sa është emocional po aq edhe obligativ për ne. Personat e pagjetur nga lufta janë dhe mbeten barra dhe kujtesa jonë e përgjithshme. Ende kemi fëmijë, gra e burra të pagjetur, plagët janë ende të hapura. Lufta e la Kosovën me mbi 6 mijë persona të zhdukur. Deri tani mbi 4 mijë persona janë identifikuar, ndërsa edhe 19 vjet pas luftës vazhdojnë të jenë mbi 1600 persona të zhdukur”, tha Reçica.

Serbia nuk po merr përgjegjësinë për krimet në Kosovë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, e cila është njëra nga nismëtarët për debatin për të pagjeturit, theksoi se pas gjithë këtyre viteve pas luftës, nuk është bërë sa duhet në zbardhjen e fatit të edhe shumë qytetarëve të Kosovës që rezultojnë të pagjetur.

Madje, ajo tha se pos që nuk është bërë asgjë në këtë drejtim, është keqpërdor kjo temë.

Bogujevci: Krimet që i ka bërë Serbia t’iu përplaset çdo gjë në fytyrë

“Do doja që sot si deputet më vjen keq që nuk e kemi asnjë përfaqësues të Qeverisë këtu, të ktheheni pak mbrapa te koha kur ka përfundu lufta, ku kemi pas ndjesinë se ku janë familjarët tanë, ku kemi pasur atë ndjesinë ku kemi humbur familjarë dhe miq, ta ngritni atë ndjenjë sot këtu, sepse vetëm përmes kësaj ndjenje mund ta dimë se në çfarë kanë kaluar familjarët dhe çfarë kanë kaluar për këto 19 vite. Përgjegjësia është shumë e madhe duke filluar nga personat përgjegjës, në të gjitha aspektet që kanë kaluar qeveritë tona karshi bisedimeve me Serbinë, të gjitha krimet që i ka bërë Serbia t’iu përplaset çdo gjë në fytyrë në çdo moment, sepse ata nuk janë të interesuar për krimet që kanë bërë në Kosovë”, tha Bogujevci.

Ajo përmendi edhe lirimin e një personi i cili ishte i dënuar për vrasjen e familjes së saj, duke thënë se kjo tregon se Serbia nuk dëshiron ta marrë përgjegjësinë për krimet që ka bërë në Kosovë.

Edhe deputeti i PDK-së, Andin Hoti, i cili bashkë me deputeten Bogujevci e kanë iniciuar këtë debat, kërkoi nga shteti që të bëjë më shumë për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Ai përmendi edhe fatin e babait të tij, Ukshin Hoti, duke thënë se si djalë i tij e ka obligim të ngre zërin për drejtësi në kërkim të zbardhjes së gjithë personave të pagjetur për hirë të paqes dhe mos mbajtjes peng së ardhmes.

Hoti: Do të jem zëri i atyre që presin zbardhjen e fatit të pagjeturve

“Besoj se secili prej jush, secili qytetarë, e sidomos familjarët e personave të pagjetur e kuptojnë ndjenjën të rritesh pa babain. E kuptojnë ndjenjën e pritjes nëse do ta shoh e do ta gjejë një ditë por sot me duhet t’i mposhtë emocionet dhe të jem zëri i gjithë atyre që presin që të dinë për 1652 njerëzit tanë, për ata që dikush edhe i ka harruar, për ata që nuk e ndjejnë vendosmërinë e institucioneve tona të paktën për të ushtruar presonin të autoritetet ndërkombëtare dhe Beogradit para dhe gjatë dialogut. Qytetarët tanë ka me dhjetëra herë që dëgjojnë deklarata politike për marrëveshjen e paqes me Serbinë, për normalizimin e raporteve, por si është e mundur të normalizohen ato, si mund të arrihet paqe për brezat e ardhshëm kur njëra palë s’tregon vullnetin minimal as për çështje tërësisht humanitare”, theksoi Hoti.

Deputetja e LDK-së, Lirie Kajtazi, theksoi se Kosova vazhdon të jetë dosja e krimit të pandëshkuar në Ballkanin Perëndimor dhe vazhdon të lëngojë nga plaga e hapur me rrëmbimin e qytetarëve të saj.

Kajtazi: Familjeve kosovare vazhdon t’iu mungojnë 1652 njerëz

“Pas gjithë këtyre viteve familjeve kosovare vazhdon t’iu mungojnë 1652 njerëz të cilët nëse e marrim në një mesatare pesë anëtarësh të familjeve, kjo nxjerrë se 8 mijë e 260 persona në Kosovën tonë të vogël vazhdojnë të vuajnë dhe të presin për të afërmit e tyre. Për rrethanat tona ky shqetësim ka përmasa edhe me të mëdha personash të shtresave të ndryshme shoqërore dhe këto shqetësime natyrisht që traumatizojnë këtë kategori e cila si numër është e vështirë të menaxhohet edhe nga shtetet me të konsoliduara e natyrisht është e vështirë edhe për Kosovën dhe konsolidimin e saj”, u shpreh ajo.

Në emër të PDK-së, deputetja Flora Brovina ka kërkuar nisjen e hetimeve nga prokuroria e shtetit. Brovina u shpreh e pakënaqur me realizimin e rezolutave në lidhje me të pagjeturit.

Ajo tha se asnjëherë nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi dhe kryerësit e krimit të dënohen  sepse vetëm kjo është satisfaksioni i dhimbjeve të tyre.

Brovina: Kërkoi nisjen e hetimeve nga prokuroria e shtetit

“Gjithashtu kërkoi që prokuroria e shtetit të fillojë ngritjen e akuzave për krimet dhe për gjetjen e varrezave masive dhe zhdukjen e personave. Kërkoj që kjo të bëhet për varrezat në Batajnicë, në Petrovosello, në varrezat këtu në Kosovë, për krimet në Kosovë. Gjithashtu kërkoj që të filloj akuza shtetërore për humbjen ose zhdukjen e Ukshin JHotit, kërkoi gjithashtu që të zbardhet masakra në Dubravë, sepse edhe këtë e ka kryer shteti i Serbisë, sikurse tjerat”, theksoi ajo.

Debati po vazhdon, derisa aktualisht po shfaqet edhe një dokumentar për të pagjeturit.

Djali i Ukshin Hotit: Më kuptojnë vetëm ata që e dinë si është të rritesh pa baba

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka thënë sot se personat e pagjetur mbeten barra dhe kujtesa jonë e përgjithshme.

Në fjalimin e tij, Reçica theksoi se ka shumë fëmijë, gra e burra të cilët  nuk dihen se ku janë dhe çka ka ndodhur me ta.

“Ngjarjet që kanë ndodhur në Kosovë peshojnë rëndë mbi supet e atyre që nuk harrojnë të kaluarën. MPMS në mënyrë financiare ka mbështetur dhe mbështet familjarët e të zhdukurve. Në kuadër të ministrisë kemi 7 zyra regjionale për personat e zhdukur”, ka thënë Reçica.

Sipas tij, familjarët e të zhdukurve gëzojnë të drejta dhe beneficione sipas ligjit të Kosovës.

“Në bazë të dhënave kanë aplikuar një numër i konsiderueshëm i familjarëve të të zhdukurve për të gëzuar pensione dhe beneficione dhe ato i kanë gëzuar. Nuk shlyhen plagët për të zhdukurit e viktimat e dhunës seksuale, por duhet të punojmë shumë që të kemi një shtet më të mirë”, ka shtuar Reçica.

***

Po mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës me të vetmen pikë të rendit të ditës, debat parlamentar për personat e pagjetur, pikërisht në ditën e të pagjeturve në Kosovë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në fillim të seancës, tha se nuk do të ndalen në kërkimin e drejtësisë për të pagjeturit, ani pse Serbia po synon që ta shtyjë harresën tonë për këta persona.

Veseli: Serbia duhet ta dijë, fshehja e krimit dhe integrimi evropian nuk shkojnë bashkë

“Kuvendi i Kosovës do të mblidhet çdo herë, çdo vit deri sa të përfundoj kjo dramë e fatkeqësisë sonë kombëtare, duke pasur parasysh se kemi ende shumë qytetarët të Kosovës që janë të pagjetur. Po bëhen dy dekada të dhembjes. Serbia po vazhdon të heshtë dhe po tenton të nxisë harresën tonë, por ne nuk harrojmë, as nuk do të ndalemi kurrë së kërkuari drejtësi për qytetarët tanë. Serbia duhet ta ketë të qartë se fshehja e krimit dhe aspirata për integrim evropian nuk shkojnë bashkë. Vetëm drejtësia i shëron plagët e së kaluarës e jo harrimi i tyre. Ne do të bëjmë gjithçka që të ndriçohet fati i njerëzve që janë aktualisht të pagjetur. Ky është obligim i yni kushtetues e nacional të jemi bashkërisht t’iu qëndrojmë bashkë atyre që deri me sot nuk i kanë gjetur të dashurit e tyre”, tha Veseli.

Balje: Nuk është lehtë të takohesh me familjarë të të pagjeturve

Deputetja Duda Balje në debatin për të pagjeturit tha se nuk është lehtë të takohesh me familjarë të tyre.

“Plagë më e rëndë e pasluftës, nuk është lehtë të takohemi me familjarë”, tha Balje.

Ajo, si kryetare e Komisionit për të pagjetur tha se kërkesat e familjarëve nuk janë të mëdha.

“Kërkesat nuk janë të mëdha, relativisht janë reale”, tha Balje që deklaroi se do të ndryshojë ose do të bëhet ligj i ri për të pagjeturit.

Ajo tha se nuk duhet në këtë ditë, ose këtë javë të themi se nuk kemi bërë asgjë për kategori njerëzish.

Djali i Ukshin Hotit: Më kuptojnë vetëm ata që e dinë si është të rritesh pa baba

 Andin Hoti, djali i Ukshin Hotit ka thënë disa fjalë në seancën e jashtëzakonshme për të pagjeturit.

Ai ka theksuar se sot pas 19 vitesh akoma shumë njerëz mungojnë pranë më të dashurve të tyre.

“Sot është një ditë e shenjtë dhe po kam emocione por më kuptoni. Sot thirrëm këtë debat jo vetëm për të ndarë dhimbjen me familjarët, por për të kërkuar zgjidhje dhe t’i japim fund këtij ankthi 19 vjeçar. Këtë ndjenjë e kuptojnë ata që kanë humbur dikë, si është të rritesh pa baba”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, Kosova ka fakte për gjenocidin që e ka kryer Serbia dhe duhet të shfrytëzohen.

“Shteti duhet ta bëjë këtë sepse është gjë e mundur. Si djalë i Ukshin Hotit e ndjej obligim të bëj thirrje për zbardhjen e fatit të të zhdukurve”, ka thënë tutje Hoti.

E mbijetuara e familjes Bogujevci: Të bëhet çmos që të gjenden të pagjeturit

E mbijetuara e masakrës së familjes Bogujevci, Saranda, njëhërit deputete e Kuvendit të Kosovës në seancën kur po bisedohet për temën e të pagjeturëve në emocione ka thënë se duhet të behët çmos që familjarët të dinë për fatin e të pagjeturëve të tyre.

Para deputetëve ka thënë se çështja e të pagjeturve u është dashur t’i përplasur në fytyrë Serbisë gjatë dialogut.

Tutje ajo ka thënë se Serbia nuk do të pranojë fajin që ka kryer krime dhe se ka informacione se ku janë trupat e familjarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Image

Disa fjali nga fjalimi i saj në seancë:

Përgjegjësia është shumë e madhe duke u nisur nga personat përgjegjës që nëpër të gjitha aspektet që kanë kaluar qeveritë tonë nëpër bisedime me Serbinë.

Çështja e të pagjeturve u është dashur t’i përplaset në fytyrë në çdo moment, sepse ata nuk janë të interesuar të pranojnë krimet që i kanë bërë.

Serbia nuk do të pranojë fajin, nuk do ta pranojë që kryer krime, që ka informacione se ku mundemi të gjejmë trupat.

Kjo duhet të jetë mësim se çka duhet të marrim ne e çka të punojmë që ta shtyjmë Serbinë, që ta merr përgjegjësi.

I bëjë thirrje komunitetit ndërkombëtar, që ti bëjnë presion Serbisë që kjo çështja e të pagjeturve të jetë prioritet dhe të merren hapa korrekt rreth kësaj çështje.

Kjo temë është më rëndësi dhe duhet të bëjmë çmos që të mos i lëmë familjarët në këtë gjendje.

Debat parlamentar për personat e pagjetur 

Kuvendi i Kosovës sot po mban seancë të jashtëzakonshme, ku pikë e vetme e rendit të ditës është debati parlamentar për personat e pagjetur.

Janë mbi 1600 persona të cilët konsiderohen si të pagjetur. Familjarët rregullisht kanë ngritur zërin për një presion më të madh ndërkombëtar ndaj Serbisë, në mënyrë që kjo e fundit të tregoj për fatin e të pagjeturve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat