Ankthi i dy dekadave për të pagjeturit

Aktuale

Ankthi i dy dekadave për të pagjeturit

Më: 26 prill 2018 Në ora: 20:15
Foto ilustrim

Çështja e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë vazhdon të mbetet një dhimbje dhe ankth për familjarët e tyre.

Tani kur Kosova po shënon Javën e Personave të Pagjetur, ky ankth nuk ka përfunduar as 19 vite pas luftës për familjarët e 1 mijë e 652 personave të zhdukur.

Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, thotë për Kallxo se të dhënat për të pagjeturit vazhdojnë të mbesin shqetësuese për Kosovën.

“Për fat të keq kaluan shumë vite 18- 19 vite ende si pasojë e luftës evidentohen si të zhdukur 1 mijë e 652 persona. Ende është numër shqetësues që obligon institucionet e Republikës së Kosovës që të vazhdojnë me punën për  ndriçimin e fatit të personave të zhdukur”, tha Gjetaj.

Gjetaj tregoi se deri më tani ishin evidentuar 6 mijë e 50 persona të zhdukur që ishin raportuar nga familjarët ndërsa tregoi se janë identifikuar më pak se gjysma e tyre.

“Mbi 2 mijë e 800 janë identifikuar dhe u janë dorëzuar familjeve. Shumë varreza ka pas edhe në Kosovë edhe në Serbi. Në Kosovë ka pas varreza masive, ka pas varreza individuale ndërsa në Serbi gjitha që janë gjetur kanë qenë varreza masive”, tregoi ai.

Sipas tij, nga Serbia janë kthyer 902 trupa të cilat janë gjetur në varreza masive në Petrovosellë,  Batajnicë, Bajina Bashta  dhe së fundmi në Rudnicë të Rashkës.

Gjetaj tregoi se janë edhe dy lokacione dyshuese për varrezë masive por që Serbia nuk po i fut në agjendën vlerësuese të kërkimeve.

“Po në momentin  kur kemi bërë kërkesë për Rudnicën që kemi gjetur 54 trupa ka qenë kërkesa edhe për dy pika të tjera pikërisht aty në rrethinën e Rudnicës, në vendin e quajtur Jallovisht dhe te një liqeni mbi Rudnicë. Deri më tash nuk ka gatishmëri nga pala Serbe për tu fut në agjendë të vlerësimeve”, tha ai.

I pyetur nëse në mesin e të zhdukurve kanë arritur të identifikojnë edhe persona nga komunitetet jo-shumicë, Gjetaj tregoi se 70 për qind e të zhdukurve janë shqiptarë ndërsa pjesa tjetër u takojnë komuniteteve tjera.

“Sigurisht ne të themi të drejtën të zhdukurit nuk i kemi trajtuar sipas përkatësive etnike, politike, sipas ngjyrës, por mendoj që i kemi trajtuar si të zhdukur. Megjithatë mendoj se janë të dhënat dhe shënimet mirëpo mbi 70 për qind gjithnjë janë shqiptar”, deklaroi ai.

Kryetari i Komisionit për të Pagjeturit, tha se Bashkësia Ndërkombëtare duhet të bëjë trysni mbi Serbinë për çështjen e të pagjeturve ndërsa edhe për  palën shqiptare pati një propozim, të kushtëzohet dialogu me Serbinë.

Gjetaj tha se 10 vite pas Pavarësisë së Kosovës, shteti ynë nuk ka akoma kapacitet që të marrë në duart e veta procesin e personave të pagjetur.

“Edhe pse po bëjmë 10 vjet Pavarësi, ende nuk kemi kapacitete të plota profesionale si shembull që ta marrim procesin në dorë. Tani janë filluar disa hapa për licencimin e mjekëve të cilët do ta marrin thirrjen e antropologëve dhe të cilët do të kenë mundësi që ta marrin këtë proces në dorë”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat