Polemika të ashpra mes Haradinajt dhe Kurtit, dështon seanca për energjinë në mungesë kuorumi

Aktuale

Polemika të ashpra mes Haradinajt dhe Kurtit, dështon seanca për energjinë në mungesë kuorumi

Më: 26 prill 2018 Në ora: 15:03

(E plotësuar) - Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, si propozues i interpelancës së kryeministrit Haradinaj, në lidhje me reduktimet e ashpra të furnizimit me energji elektrike dhe situatën në sektorin e energjisë, ka paraqitur para deputetëve të Kuvendit nëntë rekomandime, të dala nga tri Grupet Parlamentare, si VV, LDK dhe GDP.

Ato i lexoi Glauk Konjufca, ku ndër to thuhet se Qeveria brenda dy jave, në bashkëpunim me menaxhmentin e KEK-ut të hartojë planin e masave për reagimin emergjent dhe afatgjatë për sigurimin e prodhimit të energjisë, si dhe të auditohet kontrata e privatizimit të distribucionit nga KEDS-i, e cila sipas Konjufcës nuk është bërë kurrë.

Mirëpo, në vazhdimin e seancës për interpelancë të kryeministrit Haradinaj për energjetikë në sallë ishin vetëm 43 deputetë që nuk pati kuorum për t’i votuar rekomandimet dhe për vazhduar seanca.

Konufaca: ZRRE të mos pranojë kërkesa për rritjen e energjisë nga kompania KEDS-KECKO

“Qeveria brenda dy jave, në bashkëpunim me menaxhmentin e KEK-ut të hartoj planin e masave për reagimin emergjent dhe afatgjatë për sigurimin e prodhimit të energjisë. Pika e dytë, Zyra e Rregullatorit të Energjisë të mos pranoj kërkesa për rritjen e energjisë nga kompania KEDS-KECKO. Pika e tertë, qeveria e Kosovës të inicioj sa më shpejt rindërtimin e Termocentralit Kosova A. Pika e katërt, Ministria e Zhvillimit Ekonomik në bashkëpunim me KEK-un të përshpejtoj planin e remontit për TC Kosova B. Pika e pestë, KOSTT-i të realizoj kontraktimin e energjisë elektrike me Shqipërinë për periudhën afatgjatë. Pika e gjashtë, Qeveria të marrë masa urgjente dhe t’i aplikoj ato për stabilizimin e prodhimit të qymyrit, si dhe sanimin e ndërtimeve të kundërligjshme në Shipitullë. Pika e shtatë të auditohet kontrata e privatizimit të distribucionit nga KEDS-i, e cila nuk është bërë kurrë. Pika e tetë, ZRRE-ja ta kërkoj planin e mirëmbajtjes nga KEDS-i, në mënyrë që ta kontrolloj procesin e shkyçjeve që KESCO po i bënë pikërisht në emër të mirëmbajtjes dhe pika e nëntë dhe e fundit, ZRRE-ja t’i shqyrtoj reduktimet, çmimet e larta, tarifat për biznese që janë dukshëm më të larta, përdorimin e maksigrafit dhe kategorizimin në A plus që ndodhin dhe realizohen nga KEDS-KESCO”, tha Konjufca. 

Ai tha se të gjitha këto rekomandime kanë arritur të krijojnë pajtueshmëri vetëm në taborin e opozitës, por shtoi se do të ishte mirë që këto të mbështeteshin edhe nga pozita, ngase ka vend për një pajtueshmëri edhe për deputetët të cilët e përfaqësojnë mazhorancën për të përfshirë edhe ndonjë rekomandim tjetër.

Ndërsa, për vazhdimin e seancës, kryesuesi i saj, Kujtim Shala tha se vendos Kryesia e Kuvendit.

Haradinaj: Në veri duhet të vendoset rregulli i pagesës

Kryeministri Hardinaj ka vazhduar debatin me deputeten Hykmete Bajrami, lidhur me shpronësimin në fshatin Hade dhe Shipitullë. Haradinaj kësaj të fundit i tha se në qeverisjen e LDK-së as një shtëpi nuk kanë mundur ta zhvendosin nga ajo pjesë, duke lejuar kështu që Kosova të mbetet pa qymyrë dhe pa prodhim.

Haradinaj: LDK nuk ka mundur asnjë shtëpi ta zhvendos

“Partia jote jo që ka qenë e shantazhuar por nuk keni mundur ta zhvendosni një shtëpi dhe i keni lënë 10 vite të ndërtohen një mbi një, do të thotë dy vite të qeverisjes së juaj janë ndërtuar ato dhe nuk e keni mund t’i ndaleni dhe janë ndërtuar një mbi një dhe e keni lënë Kosovën pa qymyr dhe pa p pa prodhim”, tha ai.

Bajrami tha se LDK nuk ka pranuar çmime aq të para për shpronësim.

Haradinaj foli edhe për veriun e Mitrovicës.

Haradinaj: Në veri duhet të vendoset rregulli i pagesës

“E vërteta është që në veri ne e japim energjinë, nuk e jep tjetërkush, nuk është mirë ta jep askush dhe nuk do të lejojmë ta jap askush për shkak se është Kosovë si treg por duhet të vendoset edhe rregulli i pagesës, kemi ofruar me hap tregun me shpërndarës, jo si KEDS-i, por me shërbime tregtare por po na kërkohet me i thyer ligjet e Kosovës dhe nuk kemi arrit t’i bëjmë “, tha ai.

Sipas Haradinajt, ka diçka kur kanë ndodhur reduktimet nga dy-tri ditë, por nuk dëshiron të flas derisa t’i kryejnë të gjitha problemet që janë të trashëguara.

***

 Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka polemizuar me kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj mbi situatën e energjisë elektrike të krijuar në Kosovë.

“Kemi pikëpamje shumë të ndryshme, në mandatin e kaluar shteti ishte i kapur dhe vazhdoj të besoj që shteti është ende i kapur, pra për mua nuk është qeveria e re. Këtu kanë defiluar si në sfilatë ministra dhe zëvendësministra”, deklaroi Kurti.

“Ju e keni marrë stafetën në të njëjtin rreth dhe po thoni që e keni fanellën ndryshe. Strategjia energjetike ka ardhur në kuvend pas marrëveshjes me “Contour Global”, kjo tregon mosrespektin ndaj strategjisë që ne vet i hartuam. Duhet të bëhen ato shpronësime në Hade e Shipitullë mirëpo nuk duhet të barazohen banorët, sepse aty ka edhe zaptues të pronave për të cilët duhet të ngriten edhe aktakuza”, përfundoi Kurti.

Haradinaj i është përgjigjur Kurtit duke thënë se ka të drejtë të mos i vërejt këto ndryshime, por qytetarët e Kosovës po e shohin ndryshimin

.“Masi nuk po do m’i pa këto ndryshime, atëherë ki ndikime nga dikush”, tha Haradinaj.

Kurti i replikon Haradinajt: Nuk parandalove apokalips, duam kapacitete të reja energjetike

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka kritikuar Kryeministrin Ramush Haradinaj pasi sipas tij ai nuk po angazhohet për të trajtuar çështjet e ”krimeve të ndodhura në qeveri”.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Kurti madje ka kritikuar kryeministrin Ramush Haradinaj pasi ky i fundit nuk pos jell kapacitete të reja energjetike në vend.

”A e dini cfarë arkive të krimit ka në Qeverinë e Kosovës. Është në detyrën tuaj që të denonconi e të hapni dosjet”.

”Në fund natyrisht që duhet të bëhen ato shpronësime. Së pari Kryeministri thotë se ka pasur të ndodhë bankroti e  unë e kam parandaluar. Fundi ka qëndruar në mandate tëndin dhe e ka bërë atë. Kjo për mua është brengosëse”.

Citon Haradinajn (Unë e kam parandaluar apokalipsin, dy dekada pas pavarësisë!)

”Fatkeqësia e këtij vendi është se politikanët tanë kanë ambicie të mëdha për veti e jo për vendin”.

”Le të kemi ambiciet e mëdha për vendin, e jo për vete atëherë do ta kemi progresin. Jam kritik por jam për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike në Kosovë”.

Haradinaj hedh akuza ndaj Kurtit: Ndalova bankrotimin e energjisë

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj ka replikuar me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për çështjen e energjisë në Kosovë.

Haradinaj hodhi akuza ndaj Kurtit pasi sipas tij nuk po i gëzohen suksesit që i pari i qeverisë së vendit solli për energjinë elektrike në vend.

”Nuk e kuptoj qysh mundet dikush me ja ndjell vendit të vet mos me u prodhu energjia”.

”Nuk e kuptoj, koston të gjithë e kemi shqetësim. Jemi duke punuar për mos rritje cmimi. Por mos harro se kemi importuar rrymë me cmim të shtrejtë se sa që ne e prodhojmë ndonjëherë”.

”Nuk ka qymyr s’ka qymyr. Atë gjendje e kam gjetur. Në atë Kosovë ashtu kemi arrit me i zhvendos këta njerëz. Shumë i mirë je në punën tënde dhe ta pranoj në shumë drejtime”.

”Por në temën e energjisë, ka ndryshuar Qeveria Albin Kurti. Këto që thirren në mbrojtje të ambientit e kanë për dicka tjetër. Një trend të energjisë që e keni pasë ka ndryshu”.

”Të thuash se me e ndal bankrotimin energjetik është gjë e madhe. CountourGlobal është ambicie plus. Në Kosovë bukur pakicë janë kanë njerëzit kur ka ndodhur kjo”.

Bajrami: Energjia elektrike barriera kryesore e të bërit biznes

Në emër të grupit parlamentar të LDK-së, deputetja Hykmete Bajrami, tha se energjia elektrike është kusht për mirëqenie dhe zhvillim.

Sipas saj, kur shtet tjera flasin për energji të ripërtëritshme, Kosova fatkeqësisht dy dekada pas luftës përballet me reduktime të energjisë elektrike.

“Nuk ka asnjë biznes në Kosovë që nuk është dëmtuar rënd nga reduktimet e energjisë elektrike. Në fakt bizneset po vazhdojnë, edhe familjet të dëmtohen edhe sot për shkak se reduktimet e energjisë elektrike po vazhdojnë. Në studimet që janë bërë viteve të fundit, po përmend një studim të OEK-ut, është një intervistë që bëhet çdo muaj me shtatëqind biznese në Kosovë, në top dhjetë barrierat e të bërit biznes renditet energjia elektrike. E para është reduktimet, e dyta është energjia jo kualitative, që do të thotë kur ndërpritet ajo kur të vjen, ose vjen me tension shumë të lartë, ose të ulët që shkakton dëme të mëdha në makinat prodhuese, e treta janë tarifat verë dimër që janë harmonizuar kohëve të fundit nga ZRRE-ja, por megjithatë është bërë një shtrenjtim”, theksoi Bajrami.

Ajo në seancën e cila po vazhdon, ka thënë se gjendja në energji është rënduar, sidomos pas privatizimit të KEDS-it nga kompania Çalik&Limak.

Bajrami tha se kur është bërë privatizimi i KEDS-it, janë privatizuar në mënyrë të mistershme edhe katër hidrocentrale të vogla.

***

Kuvendi i Kosovës po mbanë interpelancë me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj rreth mungesës së energjisë elektrike e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Propozuesi i interpelancës, shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se vjedhjet e energjisë elektrike dhe mos pagesa nuk kanë asnjë përmirësim, përkundrazi raportimet e ZRRE-së për raporte në favor të periudhës kur kompania ishte në pronësi publike.

Ai tha se Kosova nga viti 2011, ka harxhuar miliona euro në importimin e energjisë elektrike, ani pse ka mundur të prodhojë energji me çmim të ulët duke marrë parasysh resurset që ka.

Konjufca: Kosova po harxhon miliona në energji, prapë nuk ka mjaftueshëm

“Në këto gjashtë vite prej privatizimit të KEDS-it, çmimet e energjisë elektrike sipas kërkesës së konsorciumit Limak&Çalik, është rritur katër herë deri tash, prej vitit 2012. Kjo me arsyetim me gënjeshtër që me mbulimin e kostos në defekte në gjenerim të energjisë janë të nevojshme për ta përballuar koston. Siç e dini importi i energjisë për vitin 2017, ka qenë 68 milionë euro, ndërsa që nga viti 2011, Kosova i ka shpenzuar mbi 300 milionë euro në import të energjisë elektrike. Ne kemi avantazh që të prodhojë rrymë me çmim të ulët për shkak të burimeve që kemi, por në fund po del që së pari qytetarët po paguajnë shumë shtrenjtë për çmimin e energjisë, e dyta që nuk po furnizohen me rregull dhe e treta nuk e kemi as në pronësi publike rrjetin e distribucionit që u privatizua”, tha Konjufca.

Konjufca tha se vendimi i Qeverisë Haradinaj për t’ua kompensuar të gjitha ndërtimet në zonën e mbrojtur ekonomike në Shipitullë ka qenë i gabuar, pasi janë bërë ndërtime abuzive duke e ditur saktë se një ditë do të shpronësoheshin ato.

Konjufca: Vendimi për Shipitullen precedent i rrezikshëm

“Vendimi i Qeverisë për Shipitullen dhe kompensimin e ndërtimeve abuzive atje ka shkaktuar një precedent të rrezikshëm sepse çdo kush tash mund të ndërtoj ilegalisht në një zonë ku ka informacione se do të hapet minierë dhe Qeveria e ka dhënë shembullin se është e gatshme për kompensim”, theksoi ai.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se të dhënat e prezantuara nga Konjufca janë komplet të gabuara dhe këtë e bëri qëllimshëm, pasi e dinë të vërtetën.

Haradinaj tregojë për masat që ka marrë pasi është bërë kryeministër.

Haradinaj: Ato shtëpi i gjeta aty, s’u ndërtuan në qeverisjen time

“Cilat kanë qenë opsionet për Qeverinë e vendit, kushdo që kishte me qenë, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj apo dikush tjetër, ose me u bazu në import, e importi me qel vende punë tek tjerët, ose me ndërmarr ne diçka. Në këtë kohë sa jam unë në qeverisje asnjë shtëpi s’ka arritur të ndërtohet sepse kam pasur dy-tri javë, i kam gjetur aty, krejt në atë gjendje. Në emrin e juaj e popullit të këtij vendi i kemi hyrë bukur si trup kësaj pune me ditë e natë me orë të tëra, kemi kaluar me ta, ata janë njerëz të këtij vendi edhe Shipitulla edhe Hada, dikujt i duket që janë kriminel e kanë bërë krime por janë qu prej tokës së vet. Na kompensojmë për rrugë, për gjithçka tjetër, normal që kompensojmë edhe për ta”, tha Haradinaj.

Kreu i Qeverisë theksoi se i kanë mbikëqyrur ndaljet e energjisë elektrike, por ua kanë shpjeguar se disa janë për shkak të ndërtimit të rrjetit, disa për shkak të mbingarkesës.

Haradinaj shtoi se me investimin e ri, Kosova mund të kalojë në tregë dhe të kthehet në një fuqi elektrike.

 Nuk është votuar formimi i komisionit hetimor për t’i zbardhur të gjitha procedurat në arrestimin dhe deportimin e gjashtë shtetasve turq për në Turqi.

Kjo pasi partitë në koalicion kërkonin që të votoheshin pikat 1 dhe 2 në mënyrë që të votohet pastaj ky komision.

Pas kësaj shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, si propozues i debatit dhe formimit të komisionit e tërhoqi atë nga rendi i ditës.

 Emrat e propozuar për anëtarë të Komisionit nga LDK-ja Anton Quini dhe Driton Selmanaj,  i cili do të jetë edhe zëvendës-kryesues i komisionit, nga PDK Hajdar Beqa dhe Ganimete Musliu, Vetëvendosje Xhelal Sveçla dhe Sami Kurteshi, ku Sveçla do të jetë edhe kryesues i Komisionit, Grupi i Deputetëve të Pavarur, Dardan Molliqaj, AAK Muharrem Nitaj, Nisma Socialdemokrate e Kosovës Enver Hoti dhe Grupi 6+ ende nuk janë dakorduar për emrin që do t’i përfaqësojë.

Miratohen rekomandimet lidhur me skandalin e mishit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar rekomandimet e propozuar nga deputetja Ganimete Musliu dhe deputetët tjerë rreth skandalit të mishit, pas debatit të mbajtur në seancën e kaluar.

Rekomandimet janë: Kryeministri të marrë masa adekuate ndaj përgjegjësve bordit dhe menaxhmentit të AUVK-së;

Organet e drejtësisë të fillojnë menjëherë hetime përgjegjëse publike dhe subjekteve private që sjellin në treg produkte të dyshimta’

Të bëhet mbështetje më e madhe buxhetore për AUVK-në për konsolidimin e saj me pajisje të laboratorëve, pajisjen e inspektorëve me kamera personale për ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe shtimin e stafit me inspektor;

 Në funksion të rritjes së transparencës AVUK të pasqyrojë të gjitha të dhënat e veprimtarisë së inspektorëve në baza ditore;

Të rishtohet legjislacioni përkatës që saktëson periudhat kohore minimale para skadimit të afatit të përdorimit të produkteve ushqimore që importohen në Kosovë;

 Të rritet mbështetja financiare për masat mbështetjes së programit për zhvillim rural që rritë prodhimin vendor.

Miratohet mocioni për Sistemin informativ shëndetësor

Kuvendi i Kosovës ka miratuar mocionin e propozuar nga grupi parlamentar i Vetëvendosjes rreth Sistemit Informativ Shëndetësor, pas interpelancës së ministrit Uran Ismajli.

Mocioni mori 76 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Pikat e mocionit janë që  Qeveria e Kosovës të rishikojë funksionalizimin dhe shtrirjen e plotë të SISH-it dhe të bëjë publik kalendarin e aktiviteteve, Qeveria e Kosovës t’i implementojë 22 masat e rekomanduara nga raporti i auditorit.

Qeveria e Kosovës, MSH-ja, Oda e Profesionistëve Shëndetësor dhe SSHKUK-ja të hartojë dhe përgatis parakushtet për SISH-in, ku përfshihen lista e shërbimeve për tërë sistemin shëndetësor për institucionet publike dhe private Kontrollin dhe licencimin të gjithë profesionistëve shëndetësor që i plotësojnë kushtet në sektorin privat; krijimi i regjistrit shtetëror; dërtimi i sistemit dhe referimit të pacientëve; regjistri shtetëror i barnave.

Nuk votohen emrat për anëtarë të Bordit të AKP-së

Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar propozim vendimin e Qeverisë së Kosovës për emërimin e gjashtë anëtarëve të bordit të AKP-së.

Kjo pasi nuk pati kuorum për vendimmarrje, meqë votuan vetëm 50 deputetë, ani pse në sallë ishin me shumë se 80 deputetë. 

Po ashtu nuk ka kaluar as projektligji për ratifikimin e traktatit ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë për transferimin e personave të dënuar, pasi as për këtë pikë nuk pati kuorum, meqë për t’u miratuar duheshin dy të tretat e votave.

Nis me një orë vonesë seanca plenare e Kuvendit 

Pas rreth një ore, ka nisur seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kjo seancë ishte paralajmëruar të niste në ora 10:00, për t’u shtyer në ora 14:00, por as atëherë nuk nisi

Në këtë seancë janë pikë e rendit të ditës edhe katër interpelancat e kryeministrit Ramush Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat