“Po i presim djemtë e axhës së tij” – Prokuroria e Ferizajt do të kërkoj dënim për inskenuesit e kidnapimit në Shtime

Aktuale

“Po i presim djemtë e axhës së tij” – Prokuroria e Ferizajt do të kërkoj dënim për inskenuesit e kidnapimit në Shtime

Më: 26 prill 2018 Në ora: 14:18
Ervis Tafa

Më 8 prillin e këtij viti u raportua për një rrëmbim në qytetin e Shtimes, ku viktimë ishte 11-vjeçari Erlis Tafa. Por në realitet,  i gjithë rasti kishte qenë inskenim i fëmijës bashkë me  fëmiljarët e tij, për të përfituar dokumentacionin valid të shtetit të Belgjikës.

Policia e Kosovës përmes një komunikate njoftoi se në bazë të hetimeve kishte ardhur në përfundim se nuk kishte të bënte me kidnapim.

“Lidhur me rastin e rrëmbimit të fëmijës 11 vjeçar nga Shtimja, rast ky i raportuar më 08.04.2018, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në bashkëpunim të vazhdueshëm me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, gjatë hetimit të rastit, intervistimit të të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, nxjerrjen e video –incizimeve në disa lokacione në qytetin e Ferizajt, kanë arritur në përfundim se nuk ka të bëjë fare më rrëmbim”, thuhej nga policia.

Ishte vetë Erlis Tafa që gjatë intervistimit të policisë kishte pranuar se rastin e  kishin kurdisur bashkë me dy djemtë e axhës së tij, me qëllim që i njëjti të përfitojë dokumentacionin valid të shtetit të Belgjikës

“Zbardhja e këtij rasti, i cili në masë të madhe e shqetësoi mbarë opinionin, është arritur pas sigurimit të të gjitha provave relevante, ndërkaq, në prani të punëtorit social dhe të psikologes, është intervistuar i mituri, (E.T.), i cili e ka pranuar se rasti është inskenuar. Sipas tij, rastin e ka inskenuar bashkë me dy djemtë e axhës së tij, me punë në Belgjikë, (V.T.21 vjeç dhe D.T.19 vjeç)”.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj kishte urdhëruar që rasti të procedohet në mënyrë të rregullt si ”Lajmërim apo kallëzim i rremë”.

Media sot ka kontaktuar kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jasharin i cili ka treguar se deri ku kanë shkuar hetimet rreth këtij rasti.

Sipas kryeprokurorit Jashari, Policia e Kosovës është autorizuar që dy djemtë e axhës së të miturit të sjellen nga Belgjika në Kosovë, për intervistim.

‘Para hetimeve është mendu se kemi të bëjmë me rrëmbim, pas hetimeve është rezultu se ka qenë inskenim. Domethënë rastin e kanë inskenuar dy djemtë e axhës të të dëmtuarit dhe ata për momentin janë në shtetin e Belgjikës. Kemi autorizuar policinë që ata me u ftu për intervistim dhe me fillu procedura penale për dënim apo kallëzim penal ndaj atyre dy djemëve të axhës ’, ka thënë Jashari.

Kryeprokurori Jashari ka treguar se në momentin që këta dy persona të sigurohen, do të intervistohen dhe do të ngritet kallëzim penal për kidnapim të rremë.

‘Pra është zbulur që nuk ka rrëmbim por lajmërim apo kallëzim të rremë’, ka shtuar Jashari.

Lidhur me këtë rast, policia kishte intervistuar edhe babain e të miturit, i cili e ka pranuar dhe vërtetuar se rasti është inskenuar, por sipas tij, ai nuk kishte qenë në dijeni.

Pjesë e inskenimit ishte edhe mesazhi që  ‘rrëmbyesit’ e 11-vjeçarit kinse ia kishin dërguar familjes Tafa, ku  i kërkonin 50 mijë euro si kusht për lirimin e djalit.

Tek pas mesnatës, Policia e rajonit të Ferizajt kishte lëshuar një njoftim ku thuhej se i mituri Erlis Tafa ishte paraqitur rreth orës 00:15 në stacionin policor.

Në raport thuhej se viktima  kishte arritur që të dalë nga automjeti i të dyshuarve dhe ishte paraqitur në polici.

Ky inskenim kishte çuar në këmbë institucionet kompetente si dhe kishte shqetësuar gjithë opinionin publik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat