‘Serbia nuk është e interesuar t’i dënojë kriminelët’

Aktuale

‘Serbia nuk është e interesuar t’i dënojë kriminelët’

Më: 26 prill 2018 Në ora: 14:02
Deputetja Saranda Bogujevci

(E plotësuar) - Përfaqësuesja e familjes Bogujevci dhe Duriqi, Saranda Bogujevci, ka deklaruar se Serbia nuk është e interesuar sa i përket drejtësisë që t’i dënoj dhe t’i mbajë dënimet e kriminelëve të luftës për krimet në Kosovë.

Ajo këto komente i bëri pasi që Gjykata e Lartë në Beograd dje ka marrë vendim për lirimin e ish-pjesëtarit të njësisë “Skorpion”, Sasha Cvijetan, me arsyetimin se është ‘risocializuar’.

Ai ishte dënuar më 20 vjet burgim për masakrën e 28 marsit 1999 mbi civilët shqiptarë, ku ai ishte pjesëtar i njësitit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë “Skorpioni”.

Kjo njësi, pjesë e të cilës ishte Cvijetan, ka pushkatuar në oborrin e familjes Gashi në Podujevë 14 civilë shqiptarë, shtatë fëmijë të moshës prej 2 deri 15 vjeç dhe shtatë gra.    

Bogujevci: Serbia nuk është e interesuar sa i përket drejtësisë

“Kjo na bën me kuptua si familje që Serbia nuk është e interesuar sa i përket drejtësisë, nuk është e interesuar që t’i dënoj dhe t’i mbajë dënimet e kriminelëve të luftës për krimet që i kanë bërë në Kosovë dhe nuk janë duke marrë seriozisht këtë çështje. Si familje jemi shumë të zhgënjyer, të mllefosur dhe është e papranueshme që një person lirohet për krime të luftës. Tjetra është se Sasha Cvijetan nuk ka dhënë asnjë indikacion që është penduar për krimet që i ka bërë, ende mundet të gjendet edhe faqja e tij në rrjetet sociale ku përkrah njësitin që ka qenë pjesë e këtij njësiti dhe krimet që janë bërë edhe në Kosovë edhe në Bosnje. Gjithashtu, qasjes së tij nacionaliste ndaj Kosovës dhe kjo na bënë me besua që Sasha Cvijetan po t’i jepet mundësia e njëjtë prapë do t’i bënte krimet e njëjta”, tha ajo.

Saranda Bogujevci e cila është edhe deputete e Kuvendit të Kosovës, ka potencuar se si familje nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi dhe se institucionet e Kosovës duhet t’i bëjnë presion shtetit serb që të mbajë përgjegjësitë për krime lufte në Kosovë.

Bogujevci: Kjo na ka dhënë vetëm më shumë kurajë për të luftuar për drejtësi

“Si familje kjo na ka dhënë vetëm më shumë kurajë për të luftuar për drejtësi, për të mos u ndalur, për të kërkuar përgjegjësi nga Serbia, për të luftuar për drejtësi dhe për të kërkuar nga Serbia që edhe kriminelët e tjerë të dënohen dhe t’i përmbahen dënimeve që i marrin karshi dënimeve që i kanë dhënë. Nuk do të dorëzohemi, kjo është vetëm edhe një betejë tjetër që e kemi. Në të njëjtën kohë, këtë vendim që e ka marrë Serbia na bënë me kuptua që si vend jo vetëm si institucione, por si popull duhet të punojmë shumë më shumë që ta shtyjmë Serbinë të mbajë përgjegjësi për krimet që i ka bërë në Kosovë. Në të njëjtën kohë është edhe një thirrje për komunitetin ndërkombëtar për presionin që duhet t’i bëhet Serbisë karshi përgjegjësisë që ka ndaj krimeve që janë bërë në Kosovë”, tha Bogujevci.

Ajo ka bërë të ditur se këtë çështje do ta ngritë edhe gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës.

Kujtojmë se në masakrën e 28 marsit 1999 mbi civilët shqiptarë, në oborrin e familjes Gashi në Podujevë janë pushkatuar 14 civilë shqiptarë, shtatë fëmijë të moshës prej 2 deri 15 vjeç dhe shtatë gra. Shëtim Bogujevci (10), Shpend Bogujevci (13), Sale Bogujevci (39), Nora Bogujevci (15), Shefkat Bogujevci (43), Shehide Bogujevci (67), Nefise Bogujevci Llugaliu (54), Fezdrije Llugaliu (21), Dafina Duriqi (9), Arbera Duriqi (7), Mimoza Duriqi (4), Albina Duriqi (2), Fitnete Duriqi (36) dhe Isma Duriqi (69), ishin vrarë. Pushkatimit, me lëndime të rënda, i kishin mbijetuar pesë fëmijë, Saranda, Fatosi, Jehona, Lirije dhe Genc Bogujevci.

Për këtë krim në vitin 2005 para Gjykatë së Qarkut në Beograd u dënua Sasha Cvijetan, derisa në vitin 2010 janë dënuar edhe kryerësit tjerë të krimit në Podujevë – Dragan Borojeviq, Miodrag Sholaja dhe Dragan Mediq, dhe në vitin 2011, pas përsëritjes së procedurës, u dënua edhe Zhelko Gjuriq.

Bogujevci: Serbia e painteresuar që t’i dënojë kriminelët e luftës

Deputetja Saranda Bogujevci ka reaguar pas lirimit të parakohshëm të Sasha Cvetjanit, njërit prej anëtarëve të njësisë policore “Akrepat” që kishte marrë pjesë në masakrën e vitit 1999 në Podujevë, duke thënë se Serbia nuk po duket e interesuar që t’iu ndajë dënime kriminelëve të luftës për krimet që i kanë bërë në Kosovë.

“Serbia nuk është e interesuar sa i përket drejtësisë, nuk është e interesuar që t’iu ndajë dënime kriminelëve të luftës për krimet që i kanë bërë në Kosovë, dhe nuk janë duke e marrë seriozisht këtë çështje”, tha Bogujevci, e cila është e mbijetuar e asaj masakre.

“Si familje, jemi shumë të zhgënjyer, të mllefosur, dhe është e papranueshme që një person të lirohet për krime të luftës”.

“Tjetra është, që Sasha Cvetjan, nuk ka dhënë asnjë indikacion që është  penduar për krimet që i ka bërë”.

“Si familje, kjo na ka dhënë vetëm edhe më shumë kurajë për të luftuar për drejtësi, për të mos u ndalë, për të kërkuar përgjegjësi nga Serbia, për të kërku nga Serbia që edhe kriminelë të tjerë të dënohen dhe t’iu përmbahen vendimeve që i marrin karshi dënimeve”.

Bogujevci e cila tani është deputete në Kuvendin e Kosovës flet  për këtë masakër një ditë pasi Gjykata e Lartë e Beogradit vendosi për ta liruar para kohe nga burgu Sasha Cvjetanin, njëri nga anëtar e njësisë policore “Akrepat”  që mori pjesë në këtë masakër.

Cvjetan dhe anëtarë të tjerë të njësisë “Akrepat”  hapën zjarr mbi një grup prej 19 shqiptarësh të Kosovës në Podujevë më 28 mars 1999, përfshirë gra dhe shtatë fëmijë.

“Akrepat” vranë 14 prej tyre, ndërsa pesë fëmijët që mbijetuan pësuan lëndime të rënda. Viktima më e re ishte vetëm dy vjeç dhe më e moshuara ishte 69 vjeç.

Gjykata serbe i dha lirim të parakohshëm  atij më 21 mars, sepse ai kreu dy të tretat e dënimit me 20 vjet burg, por vendimi nuk u bë publik.

Pesë anëtarë të njësisë “Akrepat” të Ministrisë së Brendshme janë burgosur për sulmin e vitit 1999 në Podujevë.

Cvjetan, Zhelko Gjukiq, Dragan Mediq dhe Dragan Borojeviq u dënuan me nga 20 vjet burg dhe Miodrag Solaja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat