Komisioni Evropian kërkon sqarime për numrin e zëvendësministrave

Aktuale

Komisioni Evropian kërkon sqarime për numrin e zëvendësministrave

Më: 26 prill 2018 Në ora: 13:52
Grupi i Veçantë për Reformën e Administratës Publike

Grupi i Veçantë për Reformën e Administratës Publike (GVRAP) ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku u vu në pah rëndësia e vullnetit politik në rrugën e reformave shtetërore.

Përfaqësuesi i Komisionit Evropian, David Cullen kërkoi sqarime lidhur me numrin e madh të zëvendësministrave në Qeverinë e Kosovës.

Ai ftoi për një zotim të përbashkët të të gjitha palëve për të çuar përpara reformat në administratën publike.

Cullen: Duam të dimë se si ky numër i lartë i zëvendësministrave e siguron efikasitetin e nevojshëm

"Në raportin e vitit 2018 kemi vërejtur një trend në rritje të numrit të zëvendësministrave në Qeveri, megjithëse kishte 45 zëvendësministra në Qeverinë e kaluar, ky numër është tani afër 80 zëvendësministra. Duam të dimë se si ky numër i lartë i zëvendësministrave e siguron efikasitetin e nevojshëm, i cili do të nevojitej për administratën publike. Për këtë çështje do të japim edhe rekomandimet. Duam të adresojmë dhe respektojmë domosdoshmërinë e plotë të parimit të meritës për të gjitha emërtimet, veçanërisht për ato në pozitat e larta. Keni pasur mbështetjen e Britanisë së Madhe për këtë. Jemi të interesuar se si do ta përcjellni këtë mbështetje, ka pasur një numër të procedurave të emërimeve që janë ngritur dyshime", tha ai.

Në emër të Qeverisë të Kosovës u përgjigj koordinatori për Reformat Shtetërore, Besnik Tahiri.

Ai tha se janë të vetëdijshëm për numrin e madh të zëvendësministrave, porse bëri të ditur se pas kalimit të tri pakove të ligjeve do të merren edhe me ligjin e Qeverisë, sipas së cilit, sipas tij, do të përcaktohet hierarkia.  

Tahiri: Si Qeveri e mirëpresim gjuhën e drejtpërdrejt të Collen, por jemi të vetëdijshëm për numrin e zëvendësministrave

“Ne e mirëpresim si Qeveri gjuhën e drejtpërdrejt të z. Collen. Jemi të vetëdijshëm për numrin e madh të zëvendësministrave, nuk është se dikush na tregon se ne jemi të vetëdijshëm për këtë. Kemi një përgjegjësi dhe raportin prej zëvendësministrave dhe mund të konfirmoj se rreth 50 raporte kanë ardhur në tavolinën e kryeministrit dhe do të etë një takim me zëvendësministrat. Dhe ministri është njeriu më i vetëdijshëm për krejt aspektin makroekonomik. Në këtë drejtim do të bëjmë krejt çka është e mundshme që pasi të kalojmë tri pakot e ligjeve, pastaj të vijmë tek ligji i Qeverisë që e përmbyllë pemën e hierarkisë se kush është kush në hierarki dhe kush në përgjegjësi dhe kush në paga”, u përgjigj ai.

Edhe ministri i Financave, Bedri Hamza, duke u ndërlidhur me çështjen e numrit të të zëvendësministrave, arsyetoi duke thënë se prioriteti i tij kryesor është pikërisht ruajtja e stabilitetit makrofiskal.

Ai foli edhe për ligjin për mësimdhënësit e viteve të 90-ta.

Hamza: Ligji për vitet e 90-ta nuk i plotëson kushtet që të trajtohet në Qeveri.

“Qëndrimi jonë si MF është që në moment kur një ligj nuk e ka deklaratën e vlerësimit të ndikimit buxhetor, me rekomandim pozitiv, një ligj i tillë, vendim i tillë, nuk i plotëson as kushtet ligjore për me u trajtuar në mbledhje të Qeverisë. Unë si ministër i Financave e kam të vështirë të them diçka më shumë sesa që kam thënë në mbledhje të Qeverisë. E di që ky qëndrim nuk shumë popullor, por nuk është punë e imja me qenë popullist. Punë imja është që me e pas prioritet stabilitetin mikrofiskal të shtetit”, theksoi ai.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, tha se ashtu siç është paraparë në Strategjinë për Modernizimin e Administratës Publike 2015 – 2020, Ministria në tetor të vitit 2017 ka filluar procesin e rishikimit të Planit të Veprimit për zbatimin e strategjisë.

Ai ka përmendur edhe zgjedhjet me të cilat u përshkrua viti i kaluar, me ç'rast tha se përkundër kësaj, është arritur progres konkret në kuadër të të gjitha konkluzioneve të takimit të fundit të Grupit, që është mbajtur më 18 maj të vitit të kaluar.

Yagcilar: Modernizimi i administratës publike ndihmon në afrimin e shtetit tonë më pranë Bashkimit Evropian

"Modernizimi i administratës publike në Kosovë, transformimi dhe avancimi i saj, është një investim në demokraci dhe ekonomi, në përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët tanë dhe në afrimin e shtetit tonë më pranë Bashkimit Evropian, që është interesi më i lartë shtetëror i yni", u shpreh ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat