Kërcënojnë me protesta të reja

Aktuale

Kërcënojnë me protesta të reja

Më: 26 prill 2018 Në ora: 13:50
Banoret e fshatit Hade

Banorët e Hades sot kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës, në shenjë pakënaqësie ndaj vonesës së procesit të zhvendosjes së banorëve së këtij fshati, ndërsa kanë kërcënuar se nëse nuk merret vendim i drejtë dhe i shpejtë për çështjen e tyre, do të organizojnë protestë jo paqësore.

Përfaqësuesi i fshatit Hade, Ragip Grajçefci ka kërcënuar direkt kryeministrin Ramush Haradinaj duke thënë se banorëve po iu rrezikohet shëndeti nga mihjet, andaj kërkon që urgjentisht të merren parasysh kërkesat e tyre.

Grajçevci: Qeveria të zhvendosë banorët e fshatit Hade

“Përfshirja e pjesës së mbetur të fshatit Hade në planifikim për zhvillim të minierës së re të Korporatës Energjetike të Kosovës, të përfshihet Hadja në tërësi, në të kundërtën ne po anashkalohemi për 40 vjet, ndërsa qe 70 vjet kemi dhënë djersë, mund, toka prona, thëngjill dhe edhe jetë kemi dhënë, sepse kemi ‘fituar’ edhe kancer. Andaj, kërkojmë nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe Qeveria e tij të na garantoj me një vendim ose marrëveshje me shkrim që fshati jonë të përfshihet në këtë proces. Ndryshe, ne do ti mbrojmë të drejtat tona legjitime, tokat, shtëpitë dhe pronat me përgjegjësi politike dhe ligjore”, ka thënë Grajçevci.

Pas kërkesës së protestuesve nga Hadja për ta takuar kryeministrin Ramush Haradinaj, ka dalë të takohet këshilltari i tij Jahja Lluka me protestues, i cili mori me shkrim kërkesat e banorëve dhe garantoi se shumë shpejt do të organizohet një takim, për çka protestuesit u pajtuan. 

Lluka: Takimin me kryeministrin e bëjmë shumë shpejt

“Unë s’kam çka me ju premtuar tjetër, sepse nuk jam ekspert I kësaj fushe, mirëpo takimin me kryeministrin keni me pasur shumë shpejt. Nuk vendoset pa u takuar me kryeministrin asgjë. Besoj se do t’i zgjedhim së bashku krejt problemet, sepse ju e keni të drejtën e juaj, të drejtat e juaj nuk mundet askush me ia marrë, mos e merrni shumë tragjike, e keni të trajtën e juaj me protestuar për kërkesat e juaja, demokraci është kjo. Takimin me kryeministrin e bëjmë shumë shpejt”, tha ai.

Banorja e fshatit Hade, Fatlinda Grajçevci, e cila mori pjesë në protestë iu drejtua këshilltarit Jahja LLuka me ankesat për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe fëmijëve në këtë fshat.

Grajçevci: Fëmija im në klasën e katërt e ndien veten si kafshë

“Fëmija im në klasën e katërt e ndien veten si kafshë pranë të tjerëve. Pse? Në protestën e kaluar tha: “Mama, desha me fol”. Çka dashtë me thënë djali im? “Desha të them, që a po ju vjen marre, edhe unë jam njeri”. Përderisa ai e sheh veten që nuk është njeri sikur të tjerët, ku arrin ai nesër e pasnesër. Ka shumë aftësi që mundet me arrit ndoshta me qenë edhe në vendin e jua. Por, ai nuk po mundet, se nuk po ka ku me u zhvilluar. Nuk ka ku me lozur dhe nëse e lë unë fëmijët me lozur jashtë oborrit, ku me lënë unë me lozur? Frikohem që hip në trakë, frikohem që po helmohet prej lloj – lloj xehesh që ka aty. Pastaj, unë frikësohem që fëmija im mundet me ec, me vrapua dhe bien në minierë”, ka thënë Grajçevci. 

Ndërsa, Besnik Greiçevci, banor, ka thënë se nuk po mund të jetojnë në shtëpitë e tyre pasi Qeveria prej vitit 2004 u ka thënë se është zonë e interesit dhe nuk duhet ndërtuar.    

Në protestë kanë  marrë pjesë rreth 50 banorë të fshatit Hade, ndërsa protestës iu bashkua edhe Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ), që si organizatë ka mbështetur fuqishëm të drejtat e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat