Prokurori heq ‘krimin e organizuar’ në rastin e shënjestruar për liberalizim të vizave

Aktuale

Prokurori heq ‘krimin e organizuar’ në rastin e shënjestruar për liberalizim të vizave

Më: 25 prill 2018 Në ora: 13:35
Gjykata

Në çështjen penale kundër 8 të akuzuarve për shmangie nga tatimi, Prokurori Special i çështjes, Faik Halili, ka hequr dorë nga vepra penale krim i organizuar.

Rasti i cili po gjykohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë është njëri nga 39 rastet e shënjestruara si kusht për liberalizim të vizave.

Prokurori special, Faik Halili, bëri të ditur se pas analizimit të aktakuzës që është proceduar në shqyrtimet e mëhershme, ka ardhur në përfundim që ta heqë veprën penale të krimit të organizuar, duke mbetur në tërësi pranë veprave penale tjera, si shmangia nga tatimi dhe keqpërdorimi i autorizimeve në ekonomi.

“Pas analizimit të bërë përsëri të materialit të grumbulluar gjatë hetimeve, por, në veçanti pas analizimit të të gjitha provave dhe dëshmive të cilat janë grumbulluar edhe gjatë shumë shqyrtimeve kryesore që janë mbajtur lidhur me këtë rast, janë analizuar të gjitha ekspertizat përsëri, çoftë ato të cilat janë angazhuar nga ekspertët nga PSRK, por edhe ato të dorëzuara nga palët e tjera, po ashtu edhe procesverbalet e seancave të shqyrtimeve kryesore të mbajtura më herët dhe pas analizimit të tërësishëm po ashtu edhe konsultimeve me koleget e mi dhe me ligjet në fuqi e komentarët, kemi ardhë deri tek përfundimi se nuk janë plotësuar elementet qenësore për krim të organizuar”, tha prokurori Halili.

Ai shtoi se Prokuroria Speciale nuk ka mundur të vërtetojë se ka ekzistuar një strukturë mirë e organizuar ashtu siç kërkohet në bazë të dispozitave ligjore për krim të organizuar.

“Nuk kemi mundur të vërtetojmë se me të vërtetë ka qenë një lider kryesor që me veprimet e tija do t’ i përbënte të gjitha elementet e krimit të organizuar, andaj nga kjo që them, ne kemi edhe obligim ligjor që në çdo kohë deri në përfundim të fjalës përfundimtare t’ i analizojmë të gjitha rrethanat e provat, andaj kemi ardhë në përfundim se duhet të hiqet dorë nga krimi i organizuar”, shtoi ai.

Pas fjalës së prokurorit, i erdhi radha përfaqësuesit të palës së dëmtuar, e që në këtë rast është ATK. Shpend Pllana tha se kërkesa pasurore- juridike që po e kërkon ATK nga të akuzuarit, ka ndryshuar, duke ia rritur, zvogëluar, madje edhe duke ia falur disave nga të akuzuarit.

Tani më, Pllana bëri të ditur se ATK po kërkon nga i akuzuari Blerim Sinani shumën prej 274,341.63 euro, nga Skender Sinani 50,260.09 euro, nga Isa Durguti 385,652.18 euro, nga Samir Sinani 12,396.67, nga Sabit Sogojeva 5,931.98 euro, si dhe ndaj Ramadan Sogojevës 18.166.01 euro.

Ndërkaq, subjekti juridik themeluesi i të cilit është i akuzuari Enver Hasani, bëri të ditur se ka përfituar nga falja e borxheve publike nga ATK, kështu duke iu falur borxhi prej 106,302.00 euro, rrjedhimisht në raport me këtë të akuzuar nuk kishin kërkesë pasurore- juridike.

Njëjtë, ka përfituar nga falja e borxhit edhe i akuzuari tjetër Mentor Emini, në vlerë prej 16,263.88 euro.

Pas fjalës së tij, reagim pati i akuzuari Isa Durgutit për rritjen e shumës që po e kërkon ATK nga ai, por, kryetari i trupit gjykues, Hamdi Ibrahimi, i tha se Gjykata në këtë fazë nuk e prejudikon se sa është ajo lartësi.

Pas aktakuzës së ndryshuar, të gjithë të akuzuarit u deklaruan përsëri të pafajshëm.

Proceduralisht, duhej të vazhdohej me fjalën hyrëse, mirëpo avokatja Hedije Ademi e cila e zëvendësoi në pjesën e fundit të seancës avokatin Emrush Kastrati kërkoi që shqyrtimi gjyqësor të shtyhet meqenëse nuk është e përgatitur.

Seanca e radhës u caktuar për muajin maj.

Në këtë proces gjyqësor janë Blerim dhe Skender Sinani, Sabit e Ramadan Sogojeva, Mentor Emini, Isa Dërguti, Samir Sinanaj dhe Enver Hasani.

Pjesë e këtij procesi gjyqësor ishte edhe i akuzuari Fatmir Sinani, por ndaj tij është veçuar procedura.

Sipas aktakuzës, Blerim, Skender dhe Fatmir Sinani, Isa Dërguti, Samir Sinanaj, Ramadan e Sabit Sogojeva, Enver Hasani dhe Mentor Emini, duke funksionuar si grup i organizuar në periudhën kohore 2010-2014, me qëllim që vetes t’i sjellin pasurim të drejtpërdrejt financiar, i kanë regjistruar bizneset e tyre, disa prej tyre fiktive.

Aktakuza sqaron se për t’iu shmangur pagesës së tatimit të akuzuarit kanë lëshuar fatura fiktive dhe ua kanë mundësuar edhe bizneseve të tjera shmangien nga tatimi.

Në bazë të aktakuzës, disa nga bizneset të cilave u janë lëshuar faturat fiktive nga të akuzuarit në fjalë janë: “Asi” SH.P.K, “Lesa” SH.P.K, dhe NTP “Besa” me pronar të akuzuarin Blerim Sinanin, NTP. “Skenda” dhe “Vali-2” pronar i të cilave është i akuzuari Skender Sinani, “Konto-Ëeb” me pronar të akuzuarin Isa Durguti, “O and M” me pronar të akuzuarin Mentor Emini, “Banana” me pronar Enver Hasanin e shumë kompani të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat